Kriza mes Rusisë dhe Ukrainës po njeh vetëm përshkallëzime, pas ultimatumit të fundit të lëshuar nga Rusia për dorëzimin e forcave ushtarake ukrainase në Krime, në të kundërt do të përballeshin me sulm frontal deri në 03:00 të mëngjesit të së martës.
Vitaly Churkin, i dërguari i Rusisë në OKB, ka bërë të ditur se presidenti i rrëzuar i Ukrainës, Viktor Yanukovych i ka dërguar një letër presidentit rus, Vladimir Putin, ku i ka kërkuar ndihmë dhe përdorimin e forcave ushtarake në Ukrainë, për të rivendosur atje legjitimitetin, paqen, sigurinë e rendin.
Ndërkohë, raportimet e fundit bëjnë të ditur se njerëz të armatosur kanë marrë kontrollin e linjës së trageteve mes Rusisë e Krimesë dhe, sipas citimit
të “Reuters” të rojes bregdetare ukrainase, këta persona janë ushtarë rusë të cilët po sjellin përforcime të tjera ushtarake.
Ndërkohë, në New York të SHBA-ve është mbledhur Këshilli i Sigurisë së OKB-së, për të diskutuar mbi krizën mes këtyre dy vendeve, si dhe për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë,
E dërguara e SHBA-ve në OKB, Samantha Power, nga ana e saj ka bërë të ditur se “nuk ka asnjë provë” se rusët etnikë apo qytetarët rusisht-folës në Ukrainë janë të kërcënuar. Moska ka theksuar vazhdimisht se rusët etnikë janë të rrezikuar tashmë që regjimi i Yanukovych ka rënë, ndaj dhe ka marrë hapat e fundit për të mbrojtur qytetarët e vet.
Ndërsa nga kampi ukrainas, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ihor Tahyukh, ka theksuar se rreth 16 mijë trupa të shërbimit rus janë aktualisht në territorin ukrainas, sipas raporteve të agjencisë së lajmeve ukrainase “Interfax”, e cila shton se sipas ministrit, rreth 5500 trupa ruse për qëllime speciale janë rivendosur në Ukrainë.
Në një intervistë për CNN, ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, i ka bërë thirrje botës të “përdorë të gjitha rrugët e mundshme për të shmangur humbjen e Krimesë nga ana e Ukrainës”.
NATO pritet të zhvillojë diskutime emergjente mbi Ukrainën gjatë së martës, pasi Polonia kërkoi mbajtjen e konsultimeve, sipas një deklarate të publikuar në faqen e tyre në web.
***
Ushtria ruse u kërkoi forcave ukrainase në Krime të dorëzohen deri në orën 04:00 të mengjesit të se martës ose në të kundërtën do të vihen në shënjestër.
Burime të sigurisë së Ukrainës thanë se kreu i Flotës Detare Ruse të Detit të Zi, Aleksandër Vitko vendosi këtë afat dhe kërcënoi me një ofensivë në të gjithë Krimenë. Gjithashtu u kërkoi edhe dy luftë-anijeve të Ukrainës të dorëzohen, ose përndryshe do të sulmoheshin në orën 18:00 të së hënës. Megjithatë, kapiteni i një prej dy luft-anijeve i tha televizionit ukrainës se njerëzit e tij janë gati të luftojnë dhe nuk do të dorëzohen.
Agjensia ruse e lajmeve Interfax citoi një zëdhënës të Flotës Detare Ruse në Detin e Zi për ultimatumin drejtuar trupave ukrainase. “Eshte tërësisht i pakuptimtë, tha ai. Jemi mësuar tashmë me këto raportime të përditshme, që na akuzojnë se po përgatitemi për sulme ushtarake kundër kolegëve ukrainas. Nuk do të shkojmë drejt një përballje të tillë”.
Autoritetet ruse kanë deklaruar se mbrojnë të drejtat e njeriut në Krime, por kjo është dënuar fuqimisht nga Kievi, Shtetet e Bashkuara dhe Europa Perëndimore. Sic raportojnë mediat ndërkombëtare, Rusia është tani “de facto” në kontrollin e rajonit të Krimesë.
Parlamenti rus apo Duma, mund të miratojë një ligj që do të lejojë aneksimin e Krimesë. Një zyrtar amerikan tha se SHBA vlerëson se janë rreth 6000 ushtarë rusë, këmbësorie dhe detare në Krime dhe nuk ka asnjë diskutim se janë në pozicion për të pushtuar.
Ukraina në anën tjeter urdhëroi mobilizimin e plotë të ushtrisë për t’i bërë ballë ndërhyrjes ushtarake. Asnjë e shtënë nuk është dëgjuar në rajonin me shumicë rusisht-folëse, ku qeveria lokale është pro Moskës. Por, ndërkohë Shërbimi i Sigurisë së Kufirit në Ukrainë raportoi për disa sulme në pikat kufitare në lindje të Krimesë, përgjatë kufirit me Rusinë. Dhjetë baza ushtarake dhe detare të Ukrainës në Krime janë bllokuar nga persona të armatosur, sipas komandantit të sapocaktuar të forcave detare ukrainase, Admiralit Serhei Gaiduk. Paraardhësi i tij Denis Berezovski dezertoi në favor të trupave ruse në Krime.
Kryeministri Arsenji Jacenjuk tha më herët se cdo përpjekje për të marrë Krimenë, do të dështojë dhe u kërkojë aleatëve të mbështesin ekonomikisht dhe politikisht qeverinë e tij. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian po zhvillojnë një takim të jashtëzakonshëm për situatën në Ukrainë.
Zv.Presidenti amerikan, Joe Biden i kërkoi Rusisë të mbështesë planin për të zhvendosur vëzhgues ndërkombëtare në Ukrainë. G7 tërhiqet nga përgatitjet për G8, i caktuar në muajin Qershor në Soci të Rusisë, çka ndezi revoltën e Moskës.
Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se situata në Ukrainë është kriza më e madhe me të cilën po përballet Europa në shekullin e 21-të.
“Departamenti amerikan i Shtetit po përgatitet për t’i vendosur sanksione Rusisë dhe po ecën drejt kesaj rruge”. Kështu ka shkruar në profilin e tij në Twitter, Mark Mardell, korrespondent i BBC-së për çështjet e Amerikës së Veriut.
Nga ana tjetër, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, shefja e Politikës së Jashtme të unionit, Catherine Ashton tha se, “organizata po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa zv/presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi kryeministrin rus, Dmitrij Medvedev për të shtuar izolimin politik dhe ekonomik nëse Rusia nuk lëviz për të zgjidhur situatën e krijuar”. Michael Mann, zëdhënësi Ashton, tha se ajo do të takohet të martën me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Llavrov dhe të mërkurën do të udhëtojë drejt Kievit.
Obama: Rusia, gabim historik
"Bota është e bashkuar në qëndrimin se në Ukrainë, Rusia ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe se Moska është padyshim në anën e gabuar të historisë".
Këtë deklaratë Obama e ka bërë teksa priste për një takim në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit, Benyamin Netanyahu. "Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë marrjen e masave ekonomike për të izoluar Rusinë", ka shtuar presidenti amerikan.
Një ditë më parë, Obama zhvilloi një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin, në përpjekje për ta bindur që të tërhiqte trupat nga Krimea, përpjekje që gjithësesi rezultoi e kotë.
Merkel: Putin, jashtë realitetit
Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur e acaruar me presidentin Putin, qëndrim të cilin e ka shprehur në një bisedë telefonike me presidentin Obama.
"Nuk jam e sigurt nëse Putin është në kontakt me realitetin. Kam frikë se ai jeton në një botë tjetër", ka thënë Merkel, e cituar nga prestigjozja gjermane "Bild", që nga ana e saj i referohet "NYT".
/ Top Channe
l