NDRIÇIM KULLA |
Nga udhëtimi i gjatë albanologut në “Lahutën e Malcis”
At Zef Valentini: Shqipëria është perëndimore.
Është mjaft kurioz raporti i parë i prof. at Valentinit, (albanologut, studiuesit brilant të Fishtës dhe mjaft poetëve rilindës shqiptarë) me poemën “Lahuta e Malcis”. Ja se si e kujton ai më vonë, me rastin e përkujtimit të parë të vdekjes së Fishtës në vitin 1941: “Porsa e kisha xanun shqipen sa me kuptue domethanjen e fjalëve, kur nji admirues i Fishtës, me nji kujdes të lëvdueshem më dëftoi se i ka edhe letërsija shqipe kryeveprat e veta, duke më sjellë nji librec, si formati i atyre që shihen nëpër ‘bankarellet’ napoletane. Nuk po them se e bëra menjëherë gjykimin tim mbi ketë paraqitje të parë, por, nuk më tërhiqte, e së fundi, mbas dy javësh libreci ishte aty i paçelur. Mbas dy javësh e hapa: “Lahuta e Malcis”! hëm! nji titull romantik i viteve tetëqind; Lexova vjershat e para: Tara tarata – thashë me vedi, duke e mbyllur librecin. Kur erdhi miku me e marrë, plot dëshirë – e siguri! – për një gjykim entuziazt, unë i thaçë veç një “bukuri” me një gjysëm goje, por e pashë se ai shkoi prishaqefas. Kaluan vite. “Lahutën” Valentini e lexoi dhe e studioi, u thellua në të dhe e shijoi, duke e çmuar si nji ndër kryevepra ma të bukura që njihte, madje, siç rrëfen Karl Gurakuqi, “janë të paharrueshme ato bisedimet që zhvilloheshin nëpër kafe dhe në qarqet shoqërore mbì shprehjet qi “Zalvi” (pseudonimi i Zef Valentinit) përdorte për të qitë sa më në shesh bukurìn e gjuhës fishtjane”. Me po të njëjtin patos do të vazhdonte ai edhe kur u thirr të drejtonte katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Universitetin e Palermos. Ja si e kujton një ish-studentja e tij mësimin e kursit aq interesant mbi Fishtën. “Na recitoi këngën XXVI të ‘Lahutës së Malcis’, “Koha e re”, të përkthyer në versionin poetik italian nga prof. Ernest Koliqi, një version ky që përballë tekstit shqip jepej në dispozicion të studentëve nëpërmjet dispensave të fotokopjuara. Nga leximi dhe komentimi i kësaj kënge të epokës së pavarësisë dhe lirisë pas 5 shekujve të sundimit turk, shfaqej mrekullisht portreti i gjallë i shqiptarit, i skalitur në të gjitha ato peripeci përmes të cilave ka kaluar, e me të gjitha ato veçanti etnike që e spikasin atë si një grup tipik i Gadishullit Ballkanik. Ai ndalonte kryesisht te metrika dhe stili i kësaj kënge, duke na bërë të përjetonim si aftësitë e saj të jashtëzakonshme shprehëse, ashtu dhe se sa i fortë e i lakueshëm, skulpturor dhe kumbues, tash aulik e më pas i rrjedhshëm, por gjithmonë aq shumë popullor, ishte stili i Fishtës. Me një mjeshtëri të pashoqe, arrinte të na zhvillonte edhe nuancat e shumta satirike që ndesheshin te Fishta, duke i skalitur ato fort në karakterin therës, humoristik e sarkastik të poetit”.
Është vërtet i gjatë dhe i mrekullueshëm udhëtimi i Valentinit për të zbuluar çelësat që do të mund të përdoreshin për të hapur, kuptuar dhe admiruar “Lahutën e Malcis”, që ai e quante kryeveprën poetike të thesarit fishtjan. E në këtë punë ai u mundua të mos ngutej, për të mos me i shti ndonji lavdi të autorit dyshimin se ishte entuziast apriori i veprës së Fishtës, ose së paku, i ndikuar nga entuziazmi i mëvonshëm për veprën e tij; apo pse flet kështu i shtrënguar nga droja e nënshtrimit ndaj gjykimit të shumicës. Asnjëra nga këto. Përkundrazi, mendimet e tij, të paraqitura në teza (a çelësa mund t’i quanim ne) qenë fryt i përfundimeve të disa vërejtjeve e studimeve të mirëpeshuara dhe arsyetuara.
E ja tezat e tij. At Gjergj Fishta – e sot ka ardhur koha të flitet qartë – pavarësisht nga një lloj afetarizmi i kryeveprës së tij “Lahuta e Malcis”, ka qenë midis misionarëve më të lartë katolikë që shërbyen asokohe në Shqipëri. Të gjithë sot e dimë se metoda e vërtetë misionare qëndron në pranimin dhe vlerësimin e virtyteve etnike dhe vlerave kulturore të kombeve, dhunti këto natyrore të zotit, të shënjuara për t’u shndërruar në hire e hijeshi të veçanta në kontekstin e kishës universale. Diçka e tillë është njohur gjithmonë nga ana e kishës, edhe pse jo gjithmonë i është qëndruar tundimit të importimeve kulturore. E kjo sepse ky fakt nuk ia vlen vetëm të dihet. Lipset një ndjeshmëri e veçantë ndaj këtyre vlerave. E ndonjëherë, për vlera të caktuara, një ndjeshmëri të tillë e zotërojnë vetëm poetët dhe artistët, madje akoma dhe më mirë se shenjtët.
Është më se e sigurt që çfarëdolloj qëndrimi, që çfarëdolloj shprehje e heronjve të mëdhenj e të vegjël të poemës së Fishtës, mund të shërbejë si tekst i traditës filozofike, sociale, juridike dhe politike të popullit shqiptar, në po të njëjtin nivel me çfarëdolloj dokumenti zyrtar apo me studimin më të mirë shkencor; Ndoshta dhe akoma më mirë, sepse prej himnizimit fishtjan mund të nxirret hermeneutika më e mirë e dokumenteve, bashkë me mbresëlënien estetiko-morale që u jep jetë dhe jehonë këtyre traditave. Aq më tepër që ky aktivitet i jashtëzakonshëm misionar ndiqte një linjë mjaft të përpiktë, edhe pse jo personalisht të programuar prej tij, pasi ai bazohej në linjën e tradicionalizmit. Shqipëria e vendosur në mes të rrugës midis Romës dhe Kostandinopojës, edhe pse zotëronte një karakteristikë mjaft të spikatur etnike, e për të qenë më të saktë, një hijeshi të sajën shpirtërore të pangatërrueshme me asnjë tjetër, përsëri mbetej subjekt i një ndikimi të dyfishtë, kundërshtues me njëri–tjetrin, midis Orientit dhe Perëndimit dhe i një mundësie të dyfishtë të pasurimit të kulturës së saj, por njëherësh edhe të kanosjes së rrezikut të transformimit të një kulture të tillë, çka do të sillte zbrazësimin dhe thyerjen e saj. Veçanërisht në shekujt e fundit, ndikimi tejmasësisht i fortë oriental, i tipit turko-mysliman, i ngërthyer në prangat e vjetra të tipit bizantin, kish qenë për të mjaft kërcënues. Ja pse orientimi drejt Europës ishte një rrugëdalje aq shumë e dëshiruar prej patriotëve shqiptarë. Një zgjidhje e tillë ishte vërtet e çmuar për të gjitha kombet ballkanike, veçse për Shqipërinë ajo merrte formën e një ultimatumi.
Nga ana tjetër, që në pjesën e parë të punimit “Shënime mbi historinë kulturore të Shqipërisë” (Palermo, 1956, në dy vëllime), Valentini do të theksonte se “Fryma mbizotëruese perëndimore në kulturën e Shqipërisë nuk duhet t’i detyrohet vetëm faktit që ajo gjeografikisht hapet e tëra para Adriatikut dhe është pothuajse krejt e mbyllur nga malet për karshi Lindjes, por gjithashtu edhe falë ndikimit të madh ndaj saj të perandorisë romake, si gjatë periudhës së parë ashtu dhe gjatë periudhës bizantine e në vazhdim, në shpërhapjen prej Romës së rrezatimit të kulturës latine dhe perëndimore. Nga ana tjetër, edhe udhëheqja e përhershme e komunitetit të saj nga një mentalitet logjik e përqas atë shumë afër me mentalitetin europjan”.
Një ide të tillë ai e kish shtjelluar më parë edhe në studimin “Qytetërimi katolik: elementët romako-katolikë në kulturën shqiptare” (1940), studim ky me të vërtetë erudit, i udhëhequr nga një kthjelltësi dhe objektivitet i pazakontë, që përmbledh gjithë historinë e letërsisë shqiptare që nga fillimet e saj, për të vënë theksin në fokusimin që ajo ka pasur në sferën e kulturës romako-katolike.
Ja, pse për t’i dhënë vrull dhe shtytje kthesës në historinë e Shqipërisë, më të kualifikuarit qenë pa dyshim katolikët, latinët e përjetshëm, konservatorë këmbëngulës si të autonomisë, ashtu dhe të traditave antike juridike e mrekullisht logjike të sistemit të tyre. E kjo shoqërohej me faktin se, ndërsa për ta katolicizmi dhe shqiptaria konsistonin në një gjë të vetme, në një quid unicum, për patriotët e mëdhenj ortodoksë e myslimanë të vendit, katolikët ishin përfaqësuesit më shembullorë të shpirtit kombëtar dhe kisha e tyre, mbrojtësja tradicionale e kombit.
“Besoj se asgja tjetër nuk mundet ta diftojë ma mirë lidhjen e veçantë me të cilin Islamizmi dhe Kristianizmi arrijnë, si pa kuptuar, në shpirtin e bashkësisë shqiptare, madje dhe në fushën e letërsisë që reflekton veprimet dhe ndjenjat ma të thella. E kjo pasi Islamizmi dhe Kristianizmi në asnji vend tjetër nuk jetojnë krah për krah si në Shqipni, letërsia e së cilës i shtrin për të bashkue shpirtnat dhe format e besimit të Lindjes e Perëndimit”. Ja kështu do të shprehej Koliqi në një kritikë të tij të famshme; porse ne do të donim ta argumentonim akoma dhe më thellë këtë pohim të tij duke analizuar atë që ai e quan “Biblën” e traditave shqiptare, pasqyrën e shkëlqyeshme dhe besnike të zakoneve, veshjeve dhe frymëzimeve të shpirtit shqiptar: “Lahutën” e At Gjergj Fishtës. Gjejmë në të gjithë përbërësit shpirtërorë antikë dhe të rinj, ankthet dhe shpresat, paragjykimet dhe supersticionet, instinktet e mira dhe të këqija të shqiptarëve, të paraqitura qartësisht përmes mijëra personazheve që endin poemën. Tek të gjithë tingëllon zëri misterioz dhe i papërsëritshëm i racës, aq sa të na lërë të mëdyshur midis dy pohimeve: gjithë kjo mjeshtëri e poetit është një dhuratë e fuqishme e natyrës dhe një virtyt instiktiv i tij apo përgjegjshmëria e lartë e një personaliteti, që arrin ta përjetësojë denjësisht racën e vet, duke e ngritur në një piedestal të pavdekshëm.
Po gjithsesi, ajo që spikat më fortësisht në këtë kënd të vështrimit tonë mbi poemën, është fakti se islamizmi dhe kristianizmi gjejnë një platformë të tërë mirëkuptimi në vargjet e françeskanit At Gjergj Fishta. Poezia e tij e bukur dhe e thellë i ndihmoi shqiptarët të krijojnë një atdhe, fillimisht në zemrat e tyre, për të kaluar pastaj edhe në veprim. Pranë personazhit të Marash Uçit, një katolik që mishëron mençurinë shqiptare të përpunuar nga pasuria e çmueshme e përvojës shumë të hershme të racës, ai krijon figurën e myslimanit Oso Kuka, një hero nga natyra, i cili ka dashuri të veçantë për atdheun dhe ndjenjën e vëllazërimit, të ndriçuar nga koncepti i nderit individual dhe kolektiv. Fjalët e Kupe Danit: “Nderi asht nji trashëgim i përditshëm dhe i njëjtë si tek myslimanët edhe tek të krishterët”, tingëllojnë si motiv dominues në gjithë poemën e Fishtës.