Kryeministri Rexhep Taip Erdogan, që po e qeveris vendin qysh nga 2003, brenda 10 vitesh e ka kthyer Turqinë në një model për shumë vende në zhvillim, aziatike dhe afrikane. Qielli ishte blu, vendi ishte i gjelbër, duke u zhvilluar me shpejtësi, dhe ekonomia përparonte. Kombinimi i demokracisë me standardet morale strikte të islamit dukej i pastër dhe populli turk duartrokiste. Asgjë nuk linte të parashikoheshin trazira të mëdha.
Për pasojë, protestat massive kombëtare, të cilat shpërthyen në qershor të 2013 në Stamboll, për komunitetin ndërkombëtar dhe sidomos për Erdoganin, politikanin favorit kombëtar, tribun, karizmatik dhe fleksibël ranë si bombë në atë kohë.
Shkalla e trazirës popullore ishte gjithashtu e papritur. Ashtu si përpara kësaj, pati shumë zhvillime revolucionare në vendet arabe që filluan si një ngjarje e vogël, me një demonstrim të vogël në mbrojtje të Parkut Gazi Taksin të Stambollit, që autoritetet planifikonin ta prishnin për të ndërtuar një qendër tregtare dhe një autostradë. Njerëzit anembanë Turqisë u tërbuan nga mizoria që policia tregoi për shtypur demonstratat dhe protestat shpërthyen. Jehonat e këtyre demonstratave akoma nuk qenë shuar kur në dhjetor shpërtheu një furtunë e re politike. Siç e nënvizonte me të drejtë revista “Economist”: “Turqia poi ndjek rrugën arabe”.
Me 18 dhjetor, 5 oficerë të lartë policie që drejtonin operacionin “Big Bribe” u shkarkuan. Gazeta turke “Hurriyet Daily News” shkruante se krerët e 5 drejtorive të policisë së Stambollit e kishin humbur vendin e tyre të punës, si pasojë e faktit se qenë përpjekur të ekspozonin një grup të tërë zyrtarësh qeveritarë dhe të të afërmish të tyre, të dyshuar se po merreshin me korrupsion.
Në të njëjtën kohë, pakënaqësia popullore me investigimet në zhvillim dhe përpjekjet për të mbuluar korrupsionin në nivelet më të larta çuan në zgjerimin e skandalit. Me 25 dhjetor, dukshëm jo pa presion nga Erdogani, i cili nisi një spastrim të radhëve të tij, 3 ministra të qeverisë turke papritmas u dorëhoqën nga postet e tyre – Ministri i Ekonomisë, Zafer Caglajan; Ministri i Brendshëm, Muamer Gulerand dhe Ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Urban, Erdogan Bajraktar, që ishte një provë jo e drejtpërdrejtë e fajësisë së tyre lidhur me skandalin e korrupsionit. “Natyrisht që operacioni policor (arrestimi i 50 zyrtarëve të korruptuar, përfshi djemtë e ministrave të sipërpërmendur, ishte shkaku i shkarkimit të oficerëve të policisë) ishte një konspiracion i ndyrë kundër qeverisë, partisë dhe shtetit tonë. Unë po largohem nga posti i Ministrit të Ekonomisë me qëllim që të parandaloj implementimin e këtij skenari, që përfshin djalin dhe asistentët e mi, ashtu si dhe për të hedhur dritë mbi të vërtetën e kësaj situate”, komentoi Caglajan lidhur me vendimin e tij, duke u përpjekur në mënyrë eksplicite që të mbronte patronin e tij. “Ne po përballemi me një kurth të madh, objektivat dhe synimet e të cilit janë shumë të qartë. As unë, as im bir, as kolegët e mi në punë nuk kemi të bëjmë aspak me të. Shpejt gjithçka do të bëhet e qartë”.
Megjithatë, në terma të thjeshta, asgjë nuk u bë e qartë. Gjithsesi, dëmi ndaj Erdoganit dhe koalicionit të tij me lëvizjen e fuqishme religjioze të Fetullah Gylenit – e rrethuar nga një aureolë sekreti, që siguroi mbështetje të gjerë popullore për Kryeministrin – ishte shumë serioz. Presidenti turk Abdullah Gul, i cili është një mbështetës i Gylenit, e distancoi veten nga Kryeministri dhe këtu nuk ka asnjë habi.
Gjithashtu, partia e Erdoganit (AK në turqisht do të thotë “i pastër”) e siguroi popullaritetin e saj edhe me sloganin e saj të integritetit, dhe kjo është arsyeja se pse goditja e dhjetorit ishte “goditje e pandershme”. Rezultoi e rrezikshme të qëndroje përkrah saj (duhet nënvizuar se kreu i qeverisë argumenton se skandali i korrupsionit u shkaktua nga gylenistët). “Ndryshimi” urgjent i qeverisë, emërimi i 10 ministrave të rinj, deklaratat e forta të Erdoganit rreth “konspiracionit” kundër tij dhe partisë së tij nga forca që janë “xheloze” për suksesin e tij, sëbashku me akuzat jo vetëm ndaj Fetullah Gylenit, që banon në Pensilvani, por edhe ndaj Uashingtonit dhe Tel Avivit, impresionuan pak njerëz.
Tani njerëzit po e akuzojnë partinë e Erdoganit, fillimisht me faktin që ai eventualisht shkatërroi kastën ushtarake, e cila mbante pushtetin laik në Turqi. Me që ra fjala, kjo ishte bërë me mbështetjen e Perëndimit, i cili besonte se një gjë e tillë ishte një lëvizje drejt demokracisë, e cila pothuajse ndodhi më pas edhe në Egjipt. Partia e Erdoganit futi pothuajse të njëjtin sundim autoritar, por kësaj radhe të bazuar në pushtetin pothuajse të pakufizuar të Kryeministrit. Ata filluan të flasin rreth refuzimit gradual të shtetit laik, dominimit të dramës religjioze, përpjekjeve të kreut të qeverisë për ta zgjidhur gjithçka vetë, përfshi përdorimin e gjerë të dhunës kundër demonstruesve në qershor të 2013, persekutimin e gazetarëve të pavarur, etj.
Atëhere, ku gaboi Kryeministri? Në admirimin për pushtetet e tij apo në korrupsionin e vartësve dhe të afërmve të tij? Duket se ky grup klasik akuzash ndaj lideri të madh politik pasqyron vetëm majën e ajsbergut. “Makina” turke kishte filluar të pikonte shumë kohë më parë.…
Për të kuptuar arsyet për çka ndodhi, ne duhet të kthehemi prapa për disa vjet – në periudhën 2006 – 2007. Në atë kohë, Kryeministri turk filloi të perceptohej në Uashington dhe në Londër si një njeri që mund të niste procesin e demokratizimit në Lindjen e Mesme të Madhe. Presidenti Bush e shpalli një gjë të tillë me fanfarë në 2003. Ky proces ngeci pas dështimit të projektit iraken dhe më së fundi e ezauroi veten në dhjetor të 2006, pavarësisht konsakrimit të tij me vendime nga ana e G8-ës, dhjetëra konferencave dhe simpoziumeve.
Veçanërisht sepse Erdogani e demonstroi veten si një promotor aktiv i Turqisë, që të ishte “motori” i demokracisë së Lindjes së Mesme, në kundërshtim me Gylenin, i cili promovonte panturkizmin, megjithëse të përzier me religjionin, por që synonte më shumë nga Azerbajxhani dhe Azia Qendrore. Veç kësaj, momenti dukej i favorshëm si për vetë Kryeministrit, ashtu dhe për patronët e tij anglo – saksonë (në atë kohë). Nga fundi i 2006 dhe fillimi i 2007, pas dekadash negociatash të vështira, Ankaraja e kuptoi se në të ardhmen e parashikueshme ajo nuk do të pranohej në Bashkimin Europian. Prandaj ata duhej të gjenin një tjetër fushë aktiviteti.
Në të njëjtën kohë, ekonomia turke ishte akoma në lulëzim (rritja ra me gjysmën e saj vetëm në periudhën 2012 – 2013, pas rizgjedhjes së Erdoganit në postin e tij në 2011), modeli politik i “islamit të moderuar”, i shumëfishuar nga dekori i ri demokratik i Turqisë, dukej tërheqës. Shpejt Erdogani, dukshëm i ndihmuar nga Uashingtoni dhe Tel Avivi, me të cilët Turqia kishte marrëdhënie të ngrohta, u kthye krejtësisht për nga bota arabe, duke zhvilluar aktivitet frenetik në këtë zonë, sipas motos “Zero Probleme më Fqinjët” së Ministrit të Jashtëm të atëhershëm Abdullah Gyl. Edhe përpara kësaj, marrëdhëniet me arabët po zhvilloheshin jo keq, por pas vitit 2006 ato fituan dinamika të reja të paprecedenta.
Vetëm me Sirinë, qeveritë turke nënshkruan më shumë se 50 marrëveshje tregtare dhe bashkëpunimi ekonomik gjatë mbretërimit të Kryeministrit aktual. Erdogani dhe al Assadi u bënë miq të mirë dhe vizituan së bashku kafenetë e lira të Damaskut, duke treguar afinitetin e tij me njerëzit e thjeshtë. Marrëdhëniet me Irakun, nga ku Turqia nxirrte një sasi të madhe nafte me çmim të arsyeshëm, po zhvilloheshin gjithashtu mirë. Një manovër propagandistike efikase, që e rriti vlerësimin e Kryeministrit turk në botën arabe, qe një përplasje me Izraelin në lidhje me kapjen nga ana e komandove izraelianë në 2010 e “Freedom Flotilla”, e cila po transportonte ndihmë humanitare për Rripin e Gazas, që ndodhej nën darën e bllokadës izraeliane.
Më vonë ky akt tregoi se në fakt ishte një gjest historik: ai tregoi preferencat e Erdoganit në favor të Vëllazërisë Myslimane, ideologjikisht e afërt me të (grupi Hamas, që qeveris Gazën qysh nga viti 2006, është pjesë e kësaj “vëllazërie”). Këto veprime u mirëpritën mjaft mirë në Uashington, ku dukej së këshilla e tij po bëhej gjithnjë e më e vlefshme.
Vetë Erdogani konsideroi se “momenti më i mirë” i tij ishte fillimi i pranverës arabe dhe ardhja masive në pushtet e Vëllazërisë Myslimane në disa vende arabe në 2011, që nuk u pranua me qejf, por u mbështet aktivisht nga Perëndimi, i cili sërish nxori nga mënga e tij sloganin e tij disi të shpifur të lirisë dhe demokracisë. Nuk ka rëndësi se kush do të vijë në pushtet, për aq kohë sa një gjë e tillë bëhet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të ndershme. Lideri turk ishte i pari që erdhi në Egjipt pas përmbysjes së Hosni Mubarakut, i pari që “i puthi dorën” një lideri të vërtetë të Vëllazërisë Myslimane, Muhamad Badies, që e mbështeti energjikisht zgjedhjen e Mohamed Morsit si President. Gjithashtu, ai vizitoi vende të tjera, që e gjenin vetën në mëshirën e ndryshimit revolucionar (Tunizi, Libi), duke folur kudo si një patron i Vëllazërisë Myslimane, të cilin e promovonte aktivisht si lajmëtaren e një ere të re demokratike, si luftëtare kundër diktaturës dhe kleptokracisë. Për të njëjtat arsye, ai mbështeti aktivisht opozitën në Siri, e cila në fazën e parë (nga 2011 deri në 2012) drejtohej nga Vëllazëria Myslimane.
Në këtë skenë “romantike”, bazuar në dashurinë për Vëllazërinë Myslimane, ai formoi një aleancë prekëse me Katarin, bile edhe me Riadin, megjithëse kjo e fundit është e bazuar në një urrejtje të përbashkët (në rastin e Erdoganit, një gjë e tillë qe një shpërthim i papritur) për Bashar al Assadin.
Pastaj historia filloi ta rrëzojë. Anëtarët e Vëllazërisë Myslimane, pothuajse kudo që erdhën në pushtet, në një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër kohore – 1 vit deri në 1 vit e gjysmë – e treguan veten si politikanë të papërshtatshëm dhe bile si menaxherë akoma më të këqij. Ata filluan kudo që të vendosin norma strikte fetare, të shkatërrojnë themelet e shtetit shekullar dhe të promovojnë njerëzit e tyre, duke përdorur praktika të ashpra të largëta për demokracinë, sidomos të pasjellshëm me opozitën shekullare dhe në disa vende duke i shtypur fizikisht kundërshtarët e tyre. Kjo çoi në zhgënjimin e shpejtë e masave dhe në falimentimin politik e “vëllazërisë”, kryesisht në Egjipt, diçka që nuk pritej nga Erdogani. Veç kësaj, ai u shit lirë nga një tjetër “mik” i ngushtë, Riadi, i cili në 2013 lançoi së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe një fushatë energjike kundër Vëllazërisë Myslimane, kur e kuptuan se religjioni i “vëllazërisë” nuk vlente dhe aq shumë, krahasuar me ambiciet dhe teknologjitë elektorale e marrjes së pushtetit të tyre, duke qenë të rrezikshëm për vetë monarkitë brishta. Princat sauditë dhe të Emirateve e larguan shumë shpejt dhe me mjaft efikasitet (me sa duket, jo pa bekimin e Uashingtonit) Emirin e Katarit, i cili po i ndihmonte aktivisht “vëllezërit myslimanë” në qershorin e 2013 dhe më pas ndihmuan ushtarakët egjiptianë që të përmbysnin Mohamed Morsin.
Megjithatë, goditja më serioze ndaj liderit turk u bë nëpërmjet “mosrrëzimit” të Bashar al Assadit. Basti i lidhur me largimin e tij nga posti qe i madh, me të gjitha kapitalin politik që Erdogani po investonte në të. Plani ishte që të fitohej ai nëpërmjet një blickrigu, njëlloj si në Libi, por një gjë e tillë dështoi. Ndërsa shtyrja e konfliktit filloi që ta minojë vetë stabilitetin e Turqisë, u shfaq problem alevitëve proAssad, të cilët janë një minoritet i fuqishëm në vend. Pastaj çështja kurde u shfaq me të gjithë forcën e saj dhe, gjithashtu, u shfaqën edhe problem të tjera – korrupsioni, demokracia, rritja e ekstremizmit, penetrimi i militantëve salafitë nga Siria, etj.. U bë e rrezikshme të hidhje gure në vetë shtëpinë e qelqtë të dikujt.
Duket se ngjarjet e qershor – dhjetorit 2013 në Turqi duhet të shikohen vetëm nga ky këndvështrim. Përvoja tregon se është mbështetja e pakushtëzuar e opozitës së armatosur në Siri dhe e Vëllazërisë Myslimane në përgjithësi në Lindje të Mesme ajo që e ka minuar seriozisht kredibilitetin e Erdoganit dhe politikave të tij, si në vendin e tij, ashtu edhe në Uashington. Me sa duket, në këtë të fundit politikanët i kanë humbur iluzionet e tyre rreth Vëllazërisë Myslimane si demokrate e madhe (me që ra fjala, mund ta kishin nuhatur një gjë të tillë përpara me përvojën e Hamasit në Gaza). Tani, me ndihmën e teknikave të thjeshta dhe të një “miku” që jeton në Shtetet e Bashkuara (Fetullah Gylenit), liderit turk ju dërgua një mesazh i paekuivok rreth nevojës për të ndryshuar kurse – përndryshe mund të futet në një dilemë – që ose ta humbë pushtetin si Emiri i Katarit ose ta gjejë veten të zënë me një “pranverë turke” – me të njëjtin rezultat.
Erdogan është një politikan me përvojë dhe i zgjuar. Ai e ka provuar këtë gjë shumë herë gjatë karrierës së tij, në mënyrë të veçantë me gjetjen e resurseve për të retifikuar marrëdhëniet me Rusinë, të minuara nga mbështetja e tij për separatistët çeçenë. Duket se ai i kupton tani sinjalet e dhëna ndaj tij, megjithëse sipas thirrjes së tij për “konspiracionin” e Uashingtonit, kjo qe mjaft e dhimbshme për të. Fakti që koka e tij po funksionon akoma mirë është e provuar nga fillimi i afrimit politik midis Turqisë dhe Iranit (lidhjet ekonomike midis tyre janë shumë të mira tani – 21.3 miliard shkëmbime në 2012), normalizimi i afërt i marrëdhënieve të të cilit me Perëndimin mund t’i lejojnë Erdoganit që të ndërtojë një alenacë rajonale të re dhe mjaft fitimprurëse ekonomikisht dhe politikisht. Hapi i parë – një vizitë e Ministrit të Jashtëm Ahmet Davutoglu në Teheran me 27 nëntor të vitit të kaluar – është hedhur. Në rast suksesi, Turqia mund të ndërtojë një urë midis gjigandit shiit, duke fituar peshë politike, dhe Perëndimit. Kjo do t’u lejonte të dyja vendeve që të ndajnë influencën në botën arabe. Megjithatë, kjo kërkon fillimisht një lëvizje të vogël – pajtim me faktin që Bashar al Assadu do të qëndrojë në pushtet dhe “t’u heqë prizën: ekstremistëve salafitë në Siri, të cilëve Kryeministri turk u dha asistencë të madhe gjatë dy viteve të fundit. Problem është: a ka Erdogani kurajo dhe kreativitet për një gjë të tillë, për të mos u dukur si renegat mbështetësve të tij, dhe së fundi të mos grindet me liderin aktual të botës arabe, Riadin, i cili vetëm mund ta shikojë një skenar të tillë në një ëndërr të keqe?
Përgatiti për www.bota.al:
ARMIN TIRANA






