Traktati i harruar, që e fut SHBA-në dhe Britaninë në luftë me Rusinë, nëse preket Ukraina


Një traktat i nënshkruar në vitin 1994 nga Britania dhe SHBA, mund të tërheqë të dy vendet në luftë në rast se trupat ruse ndërhyjnë në Ukrainë.

Traktati u nënshkrua atëherë nga Bill Clinton, John Major, Boris Yeltsin dhe Leonid Kuchma, drejtuesit e SHBA, Britanisë, Rusisë dhe Ukrainës, dhe u quajt Memorandumi i Budapestit.

Ai ishte pjesë e përpjekjeve për denuklearizimin e ish- republikave sovjetike.

Sir Tony Brenton, që ka shërbyer si ambasador britanik në Moskë nga viti 2004 deri në vitin 2008, thotë se lufta është një opsion i hapur, nëse do i referoheshim këtij memorandumi.

Ai thotë se në memorandum premtohet që të mbrohen kufijtë e Ukrainës, në këmbim të dorëzimit të armëve bërthamore.

Ky zhvillim vjen në një kohë që drejtuesit e Krimesë i kanë kërkuar edhe zyrtarisht ndihmë presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Ndërkohë mbetet ende e paqartë se kujt i përkasin trupat që kanë marrë nën kontroll pikat strategjike në Krime.

Mediat thonë se ata janë trupa rusë.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Barack Obama i ka dërguar një paralajmërim të fortë Moskës.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga raportimet për lëvizje ushtarake të ndërmarra nga Rusia brenda në Ukrainë. Çdo dhunim i sovranitetit të Ukrainës dhe integritetit territorial do të ishte thellësisht destabilizues,” tha Obama.


“Shtetet e Bashkuara do jetë përkrah komunitetit ndërkombëtar për të afirmuar se do të ketë kosto për çdo ndërhyrje ushtarake në Ukrainë”.