90 minuta zgjati biseda telefonike mes presidentit amerikan Barak Obama dhe shefit të Kremlinit Vladimir Putin.
Njeriu i hekurt në Kremlin u shfaq i palekundur. Rusia rezervon të drejtën për të mbrojtur interesat e saj dhe të popullatës rusisht-folëse, e pavarësisht presioneve të perëndimit, sot ky qëndrim u përforëcua zyrtarisht.
Trupat e Moskës nuk do të tërhiqen nga Ukraina, një vendim i justifikuar me mbrojtjen e interesave të Rusisë dhe qytetarëve të saj deri në normalizimin e situatës politike në vend. Për zyrtarët amerikanë, Vladimir Putin ka bërë një zgjidhje tmerrësisht të gabuar e cila e le Moskën në pocizion shumë të dobësuar tashmë. Obama urdhëroi më herët masa që do ta dëmtojnë ekonominë ruse e do të çojnë në izolimin e Moskës.
Por e gjithë kjo situatë sipas ekspertëve, është edhe një test për vetë lidershipin e presidentit amerikan sepse do të tregojë çfarë ndikimi ka realisht amerika në botë. John Kerry udhëton drejt Kievit për takime me udheheqësit e rinj të vendit dhe në linja të përgjithshme, Uashingtoni ka marrë frerët e përpjekjeve për një përgjigje ndërkombëtare të koordinuar me qëllim ushtrimin e një presioni sa më të madh mbi Putinin.
Ditët në vijim do të jenë të mbushura me zhvillime të reja, sepse Shtetet e Bashkuara po përpiqen t'i japin Moskës një shkundje të mirë, thotë BBC.
Ndërhyrja ushtarake megjithatë përjashtohet si mundësi nga zyrtarë të lartë të administratës amerikane. Kritikët e akuzojnë Obamen për ngadalësi veprimi e i përmendin "vijat e kuqe", që anashkaloi me Sirinë. Të premten ai paralajmëroi se nderhyrja ushtarake e Moskës në Ukrainë do të ketë koston e saj, e sërish, vetëm pak orë pas deklaratës së fortë të shefit të Shtëpisë së Bardhë, Rusia dërgoi sfiduese trupat e veta në Krime. 6.000 ushtarë rusë janë aktualisht të dislokuar në gadishull. Ka zëra që flasin për probleme besueshmërie të Obamës dhe Putin, padyshim, ndihet i inkurajuar. /Top channel/






