Hajmalitë, objektet fatsjellës dhe domethënia e tyre


Të gjithëve na ka rastisur, të paktën një herë në jetën tonë, të kishim apo edhe kemi, një send të cilin e ruajmë fort, pasi në perceptimin tonë, mund të jetë fatsjellës. Megjithatë hajmalia jonë mund të mos jetë vetëm një send, por edhe një njeri, një kafshë etj. Në fakt, shumë njerëz janë të fiksuar pas këtij fenomeni, sikurse edhe të tjerë që nuk besojnë aspak, megjithatë le ta pranojmë, të paktën një herë të gjithë kemi menduar se një ndodhi e mirë, apo arritje na ka ardhur në sajë të besimit në diçka. Ndonëse është e vështirë të besohet në vetië magjike të këtyre sendeve, ato sipas shumë studimeve janë një motivues shumë i mirë dhe me reuzultate në jetën tonë të përditshme. Varëse, byrzylykë, unaza, vathë, mbajtëse çelësash, të cilat nëse kanë formën e luleve, kafshëve, akoma edhe më mirë, shërbejnë si hajmali për të gjithë ne.
Akoma edhe më mirë nëse ato na i ka dhuruar dikush me rëndësi të veçantë. Edhe pse mund të mos jetë një objekt i vlefshëm sa i përket vlerës reale, ai do të marrë menjëherë një vlerë mistike, duke u konsideruar si një fatsjellës. Megjithatë jo vetëm objektet, por edhe ngjyrat, numrat madje edhe ditët e javës, mund të bëhen në një moment të caktuar hajmalitë tona. Kështu ngjyra e kuqe është konsideruar shpesh si fatsjellëse, aq sa shumë raste tregojnë për një obsesion të njerëzve që dëshirojnë të arrijnë suksesin, pas kësaj ngjyre. Ndërkaq, dita e dielë është konsideruar kahera si ditë me fat, e po ashtu edhe numri dhjetë. Duke folur për hajmalitë, psikologët thonë se e gjithe bestytnia është çështje jo vetëm individuale, por thellësisht psikologjike. Në realitet, objektet nuk mendohet të kenë asnjë fuqi të mbinatyrshme, por megjithatë i bëjnë njerëzit që të mendojnë se kanë një shtysë më shumë për të qenë të suksesshëm në diçka, duke i induktuar ata në mënyrë të pavetëdijshme, me pozitivitet. Më poshtë janë disa nga hajmalitë më klasike dhe më të përhapura, të cilat prej shekujsh janë konsideruar si fatsjellës.

Buburreci, mbrojtje

Në Egjiptin e lashtë, buburrecat shiheshin si insekte të cilat mbronin dhe kujdeseshin për shpirtrat e atyre që vdisnin. Ata ishin kujdestarët e këtyre shpirtrave përgjatë rrugës së tyre drejt mbretërisë së të vdekurve. Kështu që nëse në këto moment keni nevojë për një mbrojtje, mundohuni që një buburrec ta keni me vete, qoftë ky mbi një unazë, byrzylyke, kapëse flokësh, apo edhe karficë në rroba. Mendohet akoma se ndikon shumë dhe se fuqitë e tij të kenë ardhur deri në ditët tona sot.

Bufi, zgjuarsi

Nëse në një moment të caktuar e ndieni veten se nuk jeni në lartësinë e duhur intelektuale, për një bisedë a takim, por nga ana tjetër doni të dilni me sukses, atëherë bëni mirë të merrni me vete një buf, të cilin mund ta keni si objekt zbukurimi në trup. Mendohet se ndihmon të ruani sjelljen e ekuilibruar dhe ju largon nga injoranca. Ky shpend i veçantë i natës, i cili depërton me shikimin e tij edhe në terrin më të errët, është kthyer padyshim në mbrojtësin më të fuqishëm kundër syrit të keq, mirëpo jo gjithmonë ka qenë kështu. Në Romën e lashtë, shfaqja e bufit ishte paralajmërim për katastrofat.

Dielli, energji

Ky element kaq i domosdoshëm për jetën në tokë është një prej objekteve të konsideruara si prej kohësh fatsjellës, madje dielli ka shërbyer në antikitet edhe si kult për njerëzit. Ngjyra e tij, e ngjashme me atë të arit, ka frymëzuar popuj të ndryshëm në antikitet, të cilët e kishin edhe Perëndi. Të mbash në veshjen tënde një objekt simbolik që tregon diellin, do të thotë padyshim që keni nevojë të hyni në kontakt me një forcë energjie superiore dhe të krijoni një kontakt harmonie me vetëdijen tuaj.

Mollëkuqja, fat

Prej kohësh ky insekt i çuditshëm është konsideruar fatsjellësi më i madh, ndoshta nga të gjithë insektet. Përveç se sjell fat, mollëkuqja supozohet të jetë sinonim i pasurisë dhe suksesit. Por vetitë e këtij insekti kaq simpatik, nuk mbarojnë me kaq. Mendohet se nëse një mollëkuqe qëndron mbi një femër të re, të sapo martuar, kjo femër shumë shpejt mund të bëhet nënë, pasi insekti mendohet të jetë një ogur i mirë i fertilitetit të lartë.

Gjarpëri, ringjallje

Ndonëse një kafshë e urryer nga disa, gjarpëri është prej zvarranikëve më të përfolur si fatsjellës të mëdhenj. Jo me kot është edhe shprehja se çdo shtëpi ka gjarprin e saj, si për të treguar se çdo shtëpi ka fatin e saj. Në antikitet, gjarpri ishte thuajse i pandarë nga bizhutë e femrave apo objekteve të meshkujve. Në këtë mënyrë, ata mbroheshin nga njerëzit e tjetër që dëshironin të keqen. Mirëpo gjarpri jo vetëm mbron dhe sjell fat, por edhe është simbol i ringjalljes, duke qenë se përmes ndërrimit të lëkurës së tij, kjo kafshë ripërtërin vetveten. Një bizhuteri apo hajmali në formë gjarpëri, do të duhet të mbahet nga të gjithë ata të cilët dëshirojnë të rilindin në vetvete.

Perla, vetëvlerësim

Është një nga prodhimet e natyrës më të vlefshme, që mund të jetë krijuar ndonjëherë në natyrë. E konsideruar si magjike, perla do të thotë feminilitet. Për indianët, perlat ishin paralajmëruese dhe mbrojtëse nga katastrofat,pasi mbante në vetë edhe forcën e tokës, por edhe të hënës. Për të gjithë ata të cilët e ndiejnë se janë shpesh nën trysninë e ankthit apo të depresionit, një varëse me perla autentike , do të ishte një ndihmesë e madhe dhe qetësuese e menjëhershme.

Kryqi, forcë

Ky simbol, i cili shoqërohet menjëherë me fenë e krishterë, ishte në fakt i pranishëm edhe më herët, që në periudhën e neolitit dhe përdorej si fatsjellës. Mendohet, se nëse mban me vete një kryq, ke thënë në të njejtën kohë se ke nevojë për të rigjetur besimin tënd, mbrojtje shpirtërore dhe forcë.

Hurma, harmoni

Edhe në Bibël ky frut konsiderohet si symbol i bashkimit dhe fertilitetit. Një çift, nëse është i vendosur për t’u martuar, atëherë bën mirë që bonbonieret t’i dhurojë duke vënë si symbol hurmën, pasi në këtë mënyrë do të tregontë se bashkimi i tyre është i fuqishëm dhe jetëgjatë./100revista

Related Posts: