Fëmijët e luftës


Mbi 1.2 milionë fëmijë sirianë janë tashmë refugjatë në vende të tjera, 3 milionë të tjerë kanë ndryshuar vendbanimin brenda vendit dhe 323 mijë jetojnë në zona ku shpërndarësit e ndihmave e kanë të pamundur të futen. Organizatat humanitare japin alarmin
NGA ELDA SPAHO BLETA

Në një tendë refugjatësh në Liban, Amiri dhe Kameruni jetojnë prej kohësh vetëm me gjyshen e tyre. Të dy vëllezërit mbërritën dy vjet më parë nga Siria, të lodhur, të pluhurosur dhe plot frikë; megjithëse luftimet kishin nisur prej një viti, ata s’e kishin provuar ende hidhësinë e tyre të plotë. Pastaj, i erdhi rradha edhe shtëpisë së tyre, të rrethuar nga një oborr plot bar, pemë e zogj. “Kur nisën predhat, disa njerëz erdhën dhe na morën prindërit, nuk na thanë fare se ku i çuan. Nuk e dimë ku janë. Pastaj, erdhi gjyshja, na mori dhe na solli këtu në Liban”, thotë Kameruni, 9 vjeç, i cili ngjan thuajse si binjaku i Amirit 10 vjeçar. 

Në një çast të vetëm, ajo shtëpi e madhe, plot dritë dhe ai oborr i gjelbër plot zogj, u kthyen në hi. Çdo gjë u dogj, duke tronditur në themel jetën e dy të vegjëlve. Atëherë ishin 7 dhe 8 vjeç. Prindërit s’i kanë parë ende, por shpresa se ata janë diku, të gjallë, në kërkim të tyre, s’u shkulet nga zemra. Bashkë me përpjekjet që edhe ata vetë bëjnë nga këtej përtej kufirit, në Liban. Përpjekje që u shtohen atyre që Amiri, si vëllai i madh, bën çdo ditë për të sjellë ndonjë para apo ushqim në tendën e leckosur. “Më duket se e kam për detyrë, duhet ta bëj, duhet t’i sjell ushqim familjes sime. Ngrihem herët në mëngjes dhe shkoj të punoj në fushat e patateve. Mbledh patate nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 12 të drekës. Por më mungojnë shumë prindërit”, thotë ai me një mall, qetësi e maturi që një fëmijë 10 vjeçar mund ta ketë fituar vetëm pas vuajtjesh të mëdha. Dhe ai i ka patur me shumicë. Përveç prindërve, ka parë teksa i vdiste shoku i fëmijërisë, shoku më i ngushtë. Ndërtesa ku ata ndodheshin së bashku, u bombardua dhe flakët e përpinë të gjithën. Amiri ia doli mbanë, por shoku i tij, një fëmijë gjithë gjallëri, me sy të zinj e plot shkëlqim, mbeti pas. U dogj aty, para syve të Amirit. Vetëm ca çaste më parë, ata kishin qenë duke biseduar…

Vëllezërit i ka marrë malli për librat që u lexonte i ati rregullisht në verandën e shtëpisë. Ato libra tashmë janë bërë hi dhe kushedi ç‘fat ka patur edhe babai… kanë kaluar dy vjet dhe ende asnjë shenjë e tij apo e nënës. Të dy djemtë kanë veshur bluza e pantallona të errëta, kanë flokë të prerë shkurt dhe një vështrim që nuk mund të bëhet më i trishtuar se kaq. 

Po kaq të trishtuar i ka sytë edhe Maiza e bukur, e cila, para se të kthehej në një refugjate, ëndërronte të bëhej mjeke. Tani i duhet të jetojë në një kamp çadrash. “Dikur unë luaja në një tendë, të cilën e ngrinim bashkë me shoqet e kushërirat sa herë që dilnim piknik. Atëherë mendonim se ishte shumë qejf të jetoje në një çadër, të paktën për ca kohë. Nuk e dija se do të jetoja me të vërtetë në një të tillë, për shumë, shumë kohë. Ndonjëherë, bashkë me shoqet, mbyll sytë dhe imagjinoj sikur jemi në shtëpitë tona, në Siri. Por pastaj hap sytë dhe… nuk është ëndërr. Kjo është e vërtetë… unë jam në Liban dhe jetoj në një çadër”. 

Si Amiri, Maiza, Kameruni, ka mijëra histori që mbushin me trishtim kampet e refugjatëve sirianë në Jordani dhe në Liban. Më saktë, bëhen më shumë se 1.2 milion histori. Kaq është numri i fëmijëve që janë detyruar të largohen nga Siria për shkak të konfliktit që nisi në mars 2011. Mbi 10 mijë fëmijë janë vrarë. Deri tani, numri i njerëzve të vdekur shkon në 130 mijë. 



Refugjatë mes fyerjesh e urisë

Megjithëse i kanë shpëtuar vdekjes dhe luftës, jeta e fëmijëve sirianë në Jordani dhe Liban është shumë e vështirë. Një anë kjo që, në përgjithësi, i ka munguar raportimeve të mediave ndërkombëtare, thuajse të përditshme nëpër kampet e refugjatëve. Kronikat e artikujt më së shumti përqëndrohen te shpërndarja e ushqimeve, dhënia e ndihmës mjekësore, bashkimet e papritura familjare. Të gjithë duket se kaq presim nga kampet dhe nga vendet pritëse të refugjatëve sirianë, pa shkuar më tej. Por edhe kur të gjitha këto duken në rregull, shumë ndodh brenda tendave apo të shtëpive të vogla kubike, marrë me qera. Nuk bëhet fjalë thjesht për vetminë, frikën apo mallin për të dashurit, tashmë të humbur. Bëhet fjalë për tallje nga vendasit, martesa në moshë të hershme, frikë nga ngacmimet seksuale, problemet në shkolla dhe sidomos stresin e prindërve sirianë. Janë familje të tëra që, në vend të shtëpive me disa dhoma, tani ngjishen në tenda ose shtëpi të ngushta, lëshuar me qera nga vendasit. Shpesh bëhen më shumë se 10 vetë në një dhomë. Baballarë e nëna që dikur kanë qenë mjekë e mësuese, tani nuk gjejnë dot punë as si pjatalarës apo pastruese. Kanë shumë fëmijë për të ushqyer e për të veshur dhe thuajse asnjë para në dorë. 

Megjithëse fytyrat e të miturve janë pjesa më e dhimbshme e gjithë luftës civile në Siri, zërat e tyre rrallë dëgjohen. Pak dimë se si i kalojnë ata ditët nëpër kampe, sesi po kthehen në lypësa apo si po martohen në moshë të njomë. Dimë historitë e tmerrshme të shtëpive në flakë, prindërve të vrarë dhe mallit, por pak dimë mbi jetën e tyre tani në Jordani apo Liban, ndërsa raportohen si të rregjistruar nëpër shkollat e këtyre vendeve apo si pjesë e listave të rregullta të kuponeve. Për t’u futur brenda këtyre jetëve, për të parë dhe kuptuar se ç’ndodh me refugjatët sirianë në Jordani e Liban, gjatë muajve të fundit u dëgjuan dhe bisedua me qindra fëmijë, nga mosha 10-17 vjeç. Problemet e tyre janë përmbledhur në një raport të shkruar sërish po prej fëmijëve, i cili u publikua zyrtarisht vetëm disa ditë më parë. Në 10 Mars 2014, pesë ditë para se lufta në Siri të hynte në vitin e saj të katërt. 

Puna për hartimin e raportit u mbështet nga World Vision International, një nga organizatat më të mëdha në botë për mbrojtjen e fëmijëve. Një përpjekje për t’u rikujtuar udhëheqësve botërorë se duhet të çojnë përpara bisedimet për paqe në këtë vend të Lindjes së Mesme, të paktën për hir të fëmijëve. Organizatat më të mëdha të fëmijëve janë në një mendje dhe kanë ngritur koalicionin “NO Lost Generation”. “Eshtë një brez i tërë fëmijësh që po humb! Liderë botërorë, jepini fund luftës në Siri. Mos u jepni këtyre fëmijëve edhe një vit tjetër gjakderdhjeje”, - deklaruan përmes tij UNCHR, UNICEF, World Vision, Save the Children dhe Mercy Corps. 

Shifrat që ata bëjnë publike, janë të tmerrshme: 1.2 milionë fëmijë sirianë janë tashmë refugjatë në vende të tjera, 3 milionë të tjerë kanë ndryshuar vendbanimin brenda Sirisë dhe 323 mijë jetojnë në zona ku shpërndarësit e ndihmave e kanë të pamundur të futen. Mes fëmijëve refugjatë, 1 në 10 fëmijë pu punon, kurse 1 në 5 vajza siriane që jetojnë në kampet e Jordanisë detyrohet të martohet. Mbi 2.8 milionë fëmijë gjenden jashtë shkollës, në një kohë që duhet të ishin duke u arsimuar. 

Sikur të mos mjaftonin ecejaket dhe tensionet diplomatike të 2013-ës mbi pranimin ose jo të faktit nëse Asadi kishte përdorur armët kimike dhe pastaj mosmarrëveshjet për shkatërrimin e tyre, bisedimet për paqen në Siri kanë hyrë sërish në një ngërç të vërtetë. Për të cilin duket se as OKB nuk ushqen shpresa zgjidhjeje tani së shpejti. As forcat e Bashar Al Asadit dhe as ato të kryengritësve nuk po bien në ujdi për përbërjen e qeverisë së re. Zhvillimet më pozitive përmblidhen gjithë-gjithë në lejimin e lëvizjes së ndihmave në qytetin e Homsit apo arritjen e shkëmbimit të 22 murgeshave ortodokse (që mbaheshin nga kryengritësit) me 150 gra e fëmijë sirianë (që mbaheshin peng nga qeveria). Asnjë shenjë e vërtetë paqeje në sfond. Bisedimet e paqes janë shqetësimi më i madh jo thjesht i sirianëve të rritur, të sfilitur ndërkaq nga lufta, po edhe i të vegjëlve. Terma të cilat as që i njihnin më parë, tashmë dalin si pa të keq nga buzët e tyre. “Gjithë këto bisedime në Gjenevë, gjithë këto fjalë… komuniteti ndërkombëtar nuk po na dëgjon me të vërtetë! Sikur thjesht të na dëgjonin një herë, thjesht t’i ndalonin bombat, të na e përmirësonin jetën dhe të na ndihmonin të jetonim në paqe! Thjesht këtë kërkojmë”, thotë Soha, 13 vjeçe. 



Raporti i fëmijëve refugjatë

“Ne, fëmijët refugjatë të Sirisë, kemi shumë probleme. E para është varfëria. Familjet tona nuk kanë mundësi të blejnë rroba, ushqim dhe ilaçet për të cilat kemi nevojë. Jeta këtu në Liban e Jordani është shumë e shtrenjtë, sidomos ngaqë zakonisht na mungon njëri nga prindërit dhe nuk ka siguri që organizatat e ndryshme mund të na paguajnë qeranë“, nis raporti i hartuar nga 140 fëmijë sirianë (80 janë refugjatë në Liban e 60 në Jordani). Ata kanë mbledhur shqetësimet e tyre më të shpeshta, të familjarëve dhe qindra moshatarëve të tjerë. 

Qëllimi kryesor i ditës së refugjatëve të vegjël në Liban e Jordani është të sigurojnë bukën e gojës ose të ndihmojnë prindërit me sa munden. Këta të fundit zvarriten nga një vend pune në tjetrin, në përpjekje për t’ia dalë jetës. Për të njëjtën punë, sirianëve u paguhet gjysma e shpesh çereku i rrogave të vendasve. Sigurisht, këta të fundit janë të shqetësuar sepse refugjatët, me krahët e tyre të lirë të punës, kanë prishur shumë ekuilibra. Souheila, 17 vjeçe thotë e sheh të atin vetëm në raste urgjencash. “Babi punon plot 14 orë në ditë në një restorant dhe paguhet 400 dollarë në muaj. Por këto para nuk mjaftojnë pasi familja jonë përbëhet nga 11 anëtarë”. 

Për shkak të stresit dhe lodhjes fizike, frikës dhe talljeve nga fëmijët vendas, të miturit sirianë tregojnë se kanë shumë nevojë të flasin me prindërit e tyre. Por këta të fundit kanë gjithnjë e më pak durim pasi duhet të punojnë e të përpiqen gjithë kohën që të sigurojnë të paktën bukë në tavolinë. Ata po e humbasin lidhjen me fëmijët e tyre dhe shpesh i trajtojnë ashpër ose i godasin ata. “Babi i shokut tim vjen në shtëpi shumë i lodhur nga puna. Nëse shoku im përpiqet të bisedojë me të, i ati i bërtet ose e godet sepse gjendja familjare e tyre është shumë e vështirë”, tregon në raport një tjetër fëmijë. 

“Jemi të detyruar të mbajmë mbi shpatullat tona këto barrë. S’bisedojmë dot me prindërit sepse ata po vuajnë si ne, ndoshta më shumë. Kur nisim të bisedojmë, në fund e gjejmë veten tek dëgjojmë problemet e tyre, në vend që ata të dëgjojnë tonat”. 

Të vegjlit sirianë nuk duket se i kanë punët mirë as në shkollat e Jordanisë dhe Libanit, ku, në të vërtetë, duhet të ndihen më të pranuar se kudo tjetër. Përveç vështirësive të gjuhës (në Liban dhe Jordani shkencat dhe matematika zhvillohen në anglisht dhe frëngjisht, kurse në Siri është këmbëngulur në gjuhën arabike, mospërkitje kjo që ende s’ka sjellë ndonjë përshtatje në kurrikulën e vendeve pritëse), goditjen më të madhe duket se e jep qëndrimi i nxënësve, mësuesve dhe sidomos drejtuesve të shkollave. “E kemi shumë të vështirë të përshtatemi dhe të shkojmë mirë me të tjerët sepse fajësohemi për çdo problem që mund të ndodhë në shkollë. Nëse thyhet ndonjë pajisje, faji bie mbi ne, fëmijët sirianë. Nuk mundemi as ta mbrojmë veten dhe të ankohemi te drejtorët e shkollave, pasi mësuesit na diskriminojnë. Shpesh na ofendojnë, na shajnë dhe na godasin”. 

Muhamedi, 14 vjeç, tregon se një prej shokëve të tij u godit fort nga drejtori i shkollës. “Drejtori erdhi dhe e akuzoi për diçka që shoku im nuk e kishte bërë. Ai nisi të mbronte veten, por drejtori jo vetëm që nuk e besoi, por e goditi në kokë, derisa e gjakosi”. Talljet dhe ofendimet nga fëmijët vendas, në rrugë, në shkollë, në dyqane, janë pjesë e zakonshme e jetës së të miturve sirianë. Madje edhe parrullat fyese shkruar nëpër mure. Lejla, një vajzë 12-vjeçare, tregon se fëmijët libanezë zakonisht nuk i thërrasin as në emër, megjithëse janë shokë klasash. “Na quajnë “ej ti, vajza siriane” ose “ti, djali sirian”. Të gjitha këto, bashkë me urinë, stresin në shtëpi dhe punën e rëndë, ndikojnë shumë në dëshirën tonë për të shkuar në shkollë e mësuar seriozisht”. 

Vajzat kanë edhe halle të tjera. Shumë prej tyre ngacmohen hapur dhe kjo u ka futur frikën prindërve sirianë të cilët shpëtimin po e shohin te martesat në moshë të mitur. UNICEF sapo ka raportuar se një në 5 vajza siriane, refugjate në Jordani, po martohet në moshë të hershme, duke shenjuar kështu rikthimin e një plage që ishte prej kohësh në shërim e sipër. Ato bëhen gra e nëna kur janë ende fëmijë per vete. Në raportin e fëmijëve refugjatë, flitet vazhdimisht për shqetësimin që po sjellin martesat e hershme dhe ngacmimet e vajzave të mitura siriane. Rrëfimet janë të shumta. Xhad, një 17 vjeçar, tregon për një ngjarje që i ndodhi atij vetë. “Dje isha duke ecur në rrugë kur pashë një vajzë siriane që po ikte me vrap nga dikush. Dridhej e gjitha, tërë frikë. Isha kurioz të merrja vesh se c’po i ndodhte. Ajo erdhi drejt meje. “Të lutem, më mbro nga këta djemtë, po më ndjekin”, m’u lut. i pyeta djemtë se pse po e ndiqnin dhe njëri prej tyre më tha “Dua të marr vajzën”. Nisëm të ziheshim dhe ta godisnim njëri-tjetrin. Për fat, erdhën disa pronarë dyqanesh dhe na pajtuan”. Për shkak të zënkave të vazhdueshme mes vendasve dhe refugjatëve sirianë, disa bashki në Liban kanë vendosur ndalim-qarkullimin për orët e vona të mbrëmjes. 

Këto janë vetëm disa copëza nga jeta e fëmijëve sirianë, refugjatë tendash e shtëpish të vogla në Jordani e Liban. Shumë të tjera ndoshta s’kanë për t’u marrë vesh kurrë. Kushedi sa të tjera copëza, të tilla, plot dhimbje, do të shtohen. Bisedimet për paqe s’po ecin, tensionet në Ukrainë po zhvendosin vëmendjen e medias ndërkombëtare, deri tani ndoshta mikja më e sinqertë e sirianëve. Por edhe ajo po largohet, pak nga pak. Asgjë e re nuk po ndodh në Siri e aq më pak nëpër kampet e refugjatëve; vdekjet vazhdojnë si çdo ditë të këtyre 3 viteve të fundit, rradhët e emigrantëve vazhdojnë të jenë të njëjtat, të njëjtat histori fëmijësh që rigjejnë prindërit apo që nxirren gjallë nga gërmadhat. Asgjë e re. Vetëm se, secili prej këtyre fëmijëve ka një botë të tërë të shkelur në këmbë, ka një zë dhe një jetë të tërë për të treguar. Dhe kjo s’mund të jetë kurrë diçka e zakonshme. Të paktën kjo s’duhet harruar.