Arsimi në grackën e korrupsionit, nepotizmit dhe fiktivitetit

Nga Prof.  Lush SUSAJ

Para tre ditësh ishte 7 Mars, Dita e Mësuesit! Dita e Dijes! Mora shkas nga kjo ditë për të shkruar një opinion mbi arsimin universitar në Shqipëri. Shekuj më parë, Mustafa Kemal Atatürk, shkruante: “Një mësues i mirë është si një qiri – ai konsumon veten për të ndriçuar rrugën e të tjerëve”. (“A good teacher is like a candle – it consumes itself to light the way for others”). Por, çfarë ka ndodhur dhe çfarë ndodh sot me sistemin arsimor në vendin tonë? Korrupsioni, nepotizmi dhe fiktiviteti janë dukuri mjaft të përhapura në sistemin e arsimit shqiptar. Përballë këtyre dukurive dhe këtij realiteti, kemi heshtur dhe vazhdojmë të heshtim pa e ditur se nga heshtja lindin përbindësha dhe gërmadha.
Shkatërrimi i sistemit tonë arsimor nuk ka ardhur nga jashtë. Atë e kemi shkaktuar vetë. E kemi shkaktuar përmes përfitimeve të vogla të çastit dhe indiferencës kolektive ndaj veprimeve korruptive, nepotike dhe ndërhyrjes së panevojshme të politikës në stafet dhe programet e shkollave dhe universiteteve të vendit.
Në vitin 1990, Lëvizja Studentore dhe ngjarjet që e pasuan, në shumë aspekte u devijua, u keqpërdorën dhe shërbyen, veç të tjerash, edhe si pikënisje e goditjes së përvojës dhe arritjeve pozitive në fushën e arsimit. Ngjarjet dhe euforia e krijuar u shfrytëzuan për të bërë presion, për të nxjerrë studentët dhe nxënësit nëpër mitingje, etj. Kjo praktikë vazhdoi për shumë kohë, madje, u konsolidua si traditë, e dëmshme për procesin mësimor dhe misionin edukues dhe shoqëror të shkollës.
Pas vitit 1994, pasojat e ndërhyrjeve amatoreske në arsimin kombëtar, dukeshin mjaft qartë. Në këto kushte, interesi për shkollën ra aq shumë, saqë në shumë degë, numri i studentëve të regjistruar ishte më i vogël se numri i pedagogëve dhe punonjësve të tjerë ndihmës, të marrë së bashku.
Ngjarjet e vitit 1997 përfshinë edhe shkollat edhe universitetet. Në atë vit të vështirë, dhuna, vjedhjet, djegiet e shkatërrimet u kthyen në modë. Pre e kësaj dhune shkatërruese u bënë edhe bibliotekat, godinat dhe asetet e tjera prodhuese të universiteteve. Pavarësisht se si është përfolur, koha ka provuar dhe do të provojë se populli ynë, pavarësisht nga origjina dhe shkalla e varfërisë, nuk ka djegur dhe nuk djeg shkolla.
Ndryshimet shoqërore dhe politike të viteve 2001, 2005 dhe 2013, nuk ndryshuan asgjë për grupet, klanet dhe familjet e mirëorganizuara të krijuara në fushën e arsimit. Ka mjaftuar metamorfoza e radhës, e shoqëruar me dy-tre deklarata dhe dorëheqje të parëndësishme, kanë mjaftuar disa komplimente të pëlqyeshme për fitimtarin e betejës elektorale të radhës, në shërbim të ruajtjes së përfitimeve nga “pashallëqet” e vogla të krijuara në vite.
Në shkolla dhe universitete ka kohë që është instaluar dhe funksionon një proces drejtimi dhe administrimi i përqendruar në pak duar, një proces i mbuluar me mister, me mungesë oponence dhe i mbarsur me frymë përjashtuese deri dhe denigruese për specialistët e ditur e të ndershëm të fushave të ndryshme. Janë krijuar dhe konsoliduar grupe të ngushta interesi, të formuar nga lidhjet e gjakut dhe krushqive, si rrathë koncentrikë.
Për të mbuluar dhe fshehur këtë handikap të rëndë, janë krijuar fasada me konferenca e fjalime boshe mbi të ashtuquajturën “reformë në arsim”, është folur aq shumë mbi kurikulat e reja dhe objektivat e arsimit, janë hartuar qindra dosje fiktive me projekte, studime dhe reforma që kurrë nuk u bënë e që, për pasojë, patën impakt zero.
Pas vitit 2005, u tentua për një ndërhyrje progresive në sistemin arsimor, por kjo rezultoi të ishte një tjetër fiasko, për shkak të “infeksionit” të rëndë nga nepotizmi, korrupsioni dhe fiktiviteti, që tashmë kishte përfshirë të gjithë sistemin. Në këtë periudhë, jo vetëm që nuk u zhvilluan reformat e duhura në arsim, por ndodhi edhe një tjetër goditje e shoqëruar me një zhvlerësim i mëtejshëm i procesit mësimor për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të universiteteve private që mbinë “si kërpudhat pas shiut”. Një pjesë e këtyre universiteteve, vazhdojnë të funksionojnë akoma jashtë një sistemi të mirëfilltë të vlerësimit, kontrollit dhe auditimit akademik. Në këtë mënyrë, universitetet u shkëputën edhe më shumë nga nevojat e tregut dhe nga prirjet e zhvillimit të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. U prodhuan e fabrikuan mijëra diploma pa vlerë e që shërbyen për mbushjen e administratës me militantë partiakë dhe njerëz të paditur. Kjo dukuri ka sjellë zhvlerësimin e diplomave, rrënimin e profesioneve, specialistëve dhe kapaciteteve administrative .
Pa e njohur dhe pa e pranuar këtë situatë absurde, nuk mund të kryhen reformat e duhura, për pasojë, nuk do të mund të ndryshojmë dhe shpëtojmë të ardhmen e shkollës dhe arsimit në Shqipëri.
Pas zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, pritej të merrej një hap i guximshëm në drejtim të shkatërrimit të sistemit të fiktivitetit, nepotizmit dhe korrupsionit në shkolla dhe universitete.
Për fatin e keq të shoqërisë shqiptare, ky hap ligjor dhe administrativ, akoma nuk është ndërmarrë, për pasojë, klanet dhe grupet e “interesit” janë ridimensionuar dhe janë konsoliduar më tej. Në një situatë dhe atmosferë të tillë janë zhvilluar zgjedhjet në shkollat dhe universitet tona, zgjedhje “për t’u rizgjedhur”, sepse janë rizgjedhur dhe ricikluar ata që bënë asgjënë. Kjo fasadë me zgjedhje për t’u rizgjedhur është dëshmia më e mirë për mënyrën se si nepotizmi, korrupsioni dhe fiktiviteti kanë bllokuar sistemin e arsimit, zbatimin e ligjit,  dijen, meritën, idetë dhe lirinë.
Për shkak të ligjit të mangët dhe fenomenit “alla shqiptar” “zgjedhje për t’u rizgjedhur”, procesi mësimor dhe edukativ vazhdon në rrugën e përkeqësimit të vazhdueshëm të kurikulave, programeve, lëndëve dhe teksteve mësimore. Nga njëra anë u sajuan lëndë të reja e që nuk i duhen askujt, nga ana tjetër janë goditur lëndët bazë të teorisë dhe praktikës profesionale. Për më keq akoma, janë zhvlerësuar në maksimum lëndët e edukatës mjedisore, qytetare, mediatike, artistike, letrare e gjuhësore. Kjo i ka shërbyer rritjes së vulgaritetit, egoizmit, arrogancës dhe gjithë asaj që shkrimtari ynë Ismail Kadare, me të drejtë e ka quajtur “shkulturim i shoqërisë”.
Në letra e dosje janë shkruar ligje dhe rregullore mbi rekrutimin dhe përzgjedhjen e mësuesve dhe pedagogëve, fjalë dhe shkresa që kanë shërbyer e shërbejnë si fasadë sepse nuk u zbatuan anjëherë. Është shkruar dhe folur aq shumë për konkurse dhe për konkurim vlerash që nuk u zhvilluan asnjëherë.
Në këto kushte, mësuesit më të mirë, studentët më të mirë, specialistët më të mirë, njerëzit me moral e shpirt të pastër, u mërzitën, u mënjanuan dhe u lanë jashtë përfshirjes në proceset e shumëdëshiruara të arsimit dhe zhvillimit shoqëror.
Në vend të meritës dhe talenteve të reja, u rekrutuan njerëzit e afërt të drejtuesve, si gratë, shoqet, shokët, kushërinjtë, miqtë, madje, në shumë raste, djemtë dhe vajzat e këtyre drejtuesve, në një ditë të bukur u gdhinë si talente dhe u emëruan mësues, pedagogë apo edhe punonjës në zyrat e ngrohta të administratës. Këta djem e vajza “të zotë” e “me fat”, e kanë gjithçka më të lehtë sepse shkojnë dhe vijnë me babin dhe mamin në shkollën, universitetin apo çifligun e “trashëguar”.
Degradimi për shkak të rritjes së shkallës së nepotizmit, korrupsionit dhe fiktivitetit është akoma më i thellë. Puna ka shkuar deri atje saqë kudo flitet, fare hapur, për drejtora, shefa departamenti, etj, që me anë të presioneve, ndereve dhe borxheve korruptive, kanë rekrutuar dhe marrë në punë, njerëz mediokër e që prej vitesh i mbanin si “shoqe” apo, e thënë shqip, “dashnore”.  Në jo pak raste, korrupsioni dhe nepotizmi ka shkaktuar divorce dhe prishje të familjeve. Organet e etikës, policisë dhe SHISH, kur bëhet fjalë për drejtues dhe figura publike, duhet ta thonë fjalën e tyre në mbrojtje të integritetit dhe moralit të ligjit dhe institucioneve. Kjo nuk është ndërhyrje në jetën personale dhe as në trashëgiminë e askujt, përkundrazi, është një detyrim ligjor për të mbrojtur shoqërinë dhe institucionet nga nepotizmi, hipokrizia, degradimi dhe amoraliteti.
Një tjetër fenomen i njohur i këtyre viteve është mënjanimi nga projektet e zhvillimit, nga projektet e kërkimit shkencor si dhe nga konkurrimi dhe rekrutimi i pedagogëve nga veriu i Shqipërisë. Kjo dukuri negative ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë vendimmarrjen nepotike e të njëanshme në shërbim të interesave të ngushta të klaneve, të grupeve, familjeve, miqësive e krushqive. Nga ana tjetër, ka sjellë një ftohje, indiferentizëm dhe shkëputje të mbi gjysmës së kombit nga interesi i mirëfilltë ndaj fateve të arsimit dhe institucioneve të tij. Kjo dukuri e shëmtuar hoxhiste ka ndikuar dhe ndikon negativisht në mos unifikimin e qëllimit dhe angazhimit mbarëkombëtar, ka ndikuar në studimet dhe platformat jo të plota, në projektet gjysmake dhe në ngadalësimin e reformave mbarëkombëtare.
Nepotizmi, korrupsioni dhe fiktiviteti në arsim, si askund tjetër, janë të lidhura drejtpërsëdrejti me shpërdorimin e projekteve dhe investimeve të dhëna nga SHBA, vendet e BE dhe taksapaguesit shqiptarë. Shumica e projekteve, përmes njohjeve, shkresave dhe urdhëresave të sajuara, kanë përfunduar dhe vazhdojnë të përfundojnë në dorën e atyre njerëzve që quhen “të besuar”, njerëzve “të zotë”, apo “të superprofesorave”. Keqadministrimi dhe përvetësimi i fondeve të projekteve ka sjellë mungesë të funksionimit normal të laboratorëve, mungesë të zhvillimit të praktikave, ka shkatërruar mbarëvajtjen e procesit mësimor. Kështu, janë krijuar të ashtuquajturit “të përkëdhelurit”, “të zotët”, “superprofesorat” që drejtojnë nga 5-6 doktoratura brenda një viti përballë kolegëve të tyre që nuk kanë asnjë (jo se janë të pazotë apo të paaftë, por ngaqë nuk duan shefat), ata që zhvillojnë nga 500-1000 orë mësimi në vit (mbi normë e mbi pagën bazë) përballë kolegëve të tyre që nuk marrin asgjë, janë ata që lëvizin nëpër botë me shërbime dhe kualifikime përballë kolegëve të tyre që bëjnë mësimin e që nuk kanë marrë as edhe një ditë urdhër shërbimi në 10 apo 15 vjet me radhë. Janë krijuar “superprofesorat”, që me rrethin e ngushtë të familjes e krushqisë së tyre, drejtojnë nga 2-3 projekte të përfituara në emër të universitetit dhe departamenteve e që, për ironi të fatit, në shkollë, universitet apo departament, nuk dinë askush asgjë, sepse mungon transparenca, informacioni, bashkëpunimi, gjithëpërfshirja dhe oponenca. Nga të tilla projekte nuk mbetet asgjë, kanë impakt zero.
Nëse bëhet një analizë e thjeshtë, rezulton se këta “superprofesora” abuzojnë, në një mënyrë apo një tjetër, me procesin mësimor, duke mos zhvilluar orët e mësimit. Më keq akoma, janë këta “superprofesorë”, “supernjerëz”, “të përkëdhelurit” e shefit që, për të mbajtur të temperuar arrogancën dhe presionin psikologjik mbi kolegët dhe punonjësit e tjerë shkencorë, mohojnë dhe përgojojnë çdo sukses dhe arritje të kolegëve të tyre; bëjnë presion dhe terrorizojnë  studentët duke lënë në klasë deri në 90% të tyre në provimet e semestrit.
Emërimet nepotike janë një “minë me sahat” në themelet e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri, ndërsa titujt fiktivë që janë dhënë në vite, kanë zhvlerësuar aftësitë, shkencën, talentet, përpjekjet dhe gjithë inteligjencën e mirëfilltë të vendit. Shqipëria do t’i vuajë gjatë plagët e rënda të shkaktuara nga nepotizmi dhe korrupsioni në sistemin arsimor, por jam shumë i bindur se ata që janë pasuruar me fondet e arsimit, kurrë nuk do të jenë të lumtur. Pasuria e krijuar me fondet e vjedhura të arsimit, shkencës dhe kulturës, do të jetë ndëshkimi dhe mallkimi i përjetshëm hyjnor.