Vdekjet nga aksidentet në Shqipëri, 10 herë më tepër se në SHBA


Një raport i kryer nga Ministria e Transporteve tregon se numri i të vdekurve në aksidentet rrugore në Shqipëri gjatë vitit 2013 ishte 295, ndërsa vetë drejtuesit e automjeteve në Shqipëri në shumicën e rasteve janë ata që provokojnë aksidentet e rënda për shkak se janë tepër agresivë në timon. Vdekjet nga aksidentet në rrugë, jo vetëm për shkak të infrastrukturës së munduar por edhe për shkak të pakujdesisë, janë 10 herë më të larta se në SHBA. Kështu raportojnë statistikat e bëra publike nga Ministria e Transporteve. Ndërkohë, numri i automjeteve të kolauduara ka qenë rreth 306 mijë dhe të regjistruara rreth 446 mijë. Duke presupozuar se rreth 400 mijë automjete kanë qenë realisht në qarkullim dhe secili automjet ka përshkuar mesatarisht 10 mijë kilometra në vit, rezulton se Shqipëria ka patur 7.4 vdekje për 100 milion kilometra të përshkuara nga automjetet. Krahasimisht, në SHBA, ky tregues është në nivelin 0.74, ndërsa në Suedi është në nivelin 0.53. Në nivel të ngjashëm me Shqipërinë është Gana, e cila në vitin 2012 kishte 7.6 vdekje për 100 milion kilometra të përshkuara nga automjetet. Ngjashëm me Ganën, rreth 1/3 e viktimave të aksidenteve rrugore në Shqipëri ishin këmbësorë ose biçikleta. “Agresiviteti i drejtimit të mjetit rrugor është fenomeni më i rrezikshëm prezent në situatën aktuale, gjë që vihet re në të dhënat e aksidenteve për këto vitet e fundit, ku rreth 66,5% e aksidenteve, janë pasojë e sjelljes jo korrekte të drejtuesve të mjeteve”, theksohet në raportin e Ministrisë së Transporteve. Për këtë arsye, konkludohet në raport, zgjidhja e problemit konsiston jo vetëm në ushtrimin konstant të forcës së ligjit nga policia rrugore, por edhe tek sensibilizimi i drejtuesve të automjeteve.