Skenari boshnjak a mund të përfshijë Maqedoninë !?

A do të përfshihet Maqedonia në skenarët boshnjake të trazirave sociale dhe pakënaqësive nga udhëheqësit e vendit.

Qytetarët dita ditës shprehin revoltën e tyre për gjendjen e krijuar sociale dhe pakënaqësitë rreth politikave sociale, që çdo ditë po varfërojnë skajshmërisht familjet e kategorive më të ulta sociale dhe kategoritë e mesme, bën të ditur INA.
Edhe partitë politike janë të përfshira në këtë debat ku shprehen shqetësime për situatën e rënduar sociale.
Papunësia e lartë, korrupsioni i lartë në institucione, punësime në baza partiake në administratë, taksat dhe pagesat e kushtëzuara që zbrazin xhepat e qytetarëve kanë krijuar një pakënaqësi totale. Prej kohësh ndjenja e protestës në Maqedoni është zbehur ndërkohë që qytetarët më shumë mund të nxiten politikisht ose etnikisht për protesta por jo kur bëhet fjalë për shkelje të vazhdueshme të të drejtave dhe statusit social të tyre. Madje sipas një ankete të Institutit për demokraci, 70% e qytetarëve asnjëherë nuk kanë marrë pjesë në ndonjë demonstratë.
Analisti Vladimir Misev thekson se pushteti aktual është i vetëdijshëm për situatën që mund të pësojë dhe se vazhdimisht po merrë vendime duke joshur qytetarët përmes rritjes së pensioneve, ndihmave sociale, apo punësimeve masive, në këtë periudhë parazgjedhore.
Suad Misini, analist politik dhe drejtues i një shoqate joqeveritare thekson se shkaqet e trazirave edhe këtu mund të jenë korrupsioni, keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe mbrojtja nga ndëshkimi përmes mekanizmave të pushtetit.
“Pragu i tolerancës u tejkalua në Bosnjë dhe kjo mund të shpërndahet edhe në vendet e tjera. Erupsioni social shlyen përpara të gjitha kufijtë ideologjik, etnik dhe nacionalist. Demonstruesit që i kemi parë në Bosnjë nuk po luftojnë për pushtet, por kërkojnë personalitete udhëheqëse me integritet, ekspertë për të qeverisur dhe njerëz pa njolla”, vlerësoi analisti Misini.  Sipas tij, në Maqedoni ka potencial për të shpërthyer trazira sociale, por sipas tij, gjasat janë të vogla për shkak se mbi 600 mijë njerëz jetojnë drejtpërdrejt nga paratë e buxhetit.
Por edhe partitë politike kanë komentuar zhvillimet e fundit në Bosnjë, duke paralajmëruar masa emergjente për të zbutur situatën përmes pakove sociale.
Opozita maqedonase në masë të madhe ka shprehur shqetësimet e kësaj natyre, duke premtuar se ajo ka programin e përkryer që mund të zbus krizën sociale që ka përfshirë vendin.
Por, drejtues të opozitës vlerësojnë se shanset për të shpërthyer trazira të skenareve boshnjake janë të pakta.
Por një nga liderët e komunitetit rom Samka Ibraimovski përmes foltores së Parlamentit në Shkup alarmoi se revolta sociale është në prag të shpërthimit në Maqedoni.
“Ne si parti edhe një herë alarmojmë se jemi afër shpërthimit të një revolte sociale, e cila është në prag të portës. Populli po ndjehet në situatë të rëndë dhe të errët, që në njërën anë sheh grumbullim kriminal të të pasurve, korrupsion dhe grabitje. Ndërsa për dikë nuk ka asnjë kafshatë buke”, theksoi Ibraimovski,që është deputet dhe lider i partisë PCER.
Qytetarët janë të revoltuar dhe se ata vazhdimisht kanë shprehur shqetësime për gjendjen e rënduar sociale. Anketat e fundit të opinionit publik kanë treguar rritje masive të pakënaqësive të qytetarëve për krizën sociale.  Sipas një ankete të Institutit “Rejting” problemet sociale dhe ekonomike në Maqedoni janë më përpara problemeve dhe ndarjeve etnike.
Qytetarët ankohen se këtyre ditëve u bllokohen xhirollogaritë e tyre personale të pensioneve dhe ndihmave sociale, duke i`u tërhequr këto mjete të pakta me arsyetimin se nuk janë kryer pagesat e taksave.
Liljana Georgievska nga Unioni i Punëtorëve të Ndërmarrjeve të Falimentuara thekson se shteti përmes mekanizmave i grabitë qytetarëve paratë në xhirollogaritë e tyre. “Mijëra pensionistëve dhe rasteve sociale u janë bllokuar xhirollogaritë dhe i janë tërhequr paratë, sepse nuk kanë paguar taksat që janë të detyrueshme ndaj shtetit dhe sidomos taksën për radiodifuzion apo e njohur si taksa për televizionin shtetëror. Me këtë ata na ndalojnë të jetojmë, sepse me paratë e pensioneve minimale dhe ndihmave sociale në më shumë blejmë ilaçe, për shkak të stresit dhe gjendjes së rënduar, sesa të mbijetojmë”, thekson Georgievska për IBNA, duke kërkuar që qytetarët të jenë më syçelë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre elementare për mbijetesë. Ajo thotë se ka organizuar disa protesta për padrejtësi sociale, mirëpo atyre i janë bashkuar vetëm një numër i vogël i qytetarëve.
Raportuesi i BE-së për Evropën Juglindore, Jelko Kacin nëpërmjet rrjeteve sociale ka përcjellur një porosi se qytetarët kanë vërejtur se privatizimi është vjedhje që mund të realizohet vetëm përmes pushtetit. “Elita politike në Ballkan gjatë kohë ka besuar se qytetarët do të votojnë vetëm për partitë e tyre nacionale, por ata morën porosinë me këto trazira dhe se tashmë kanë humbur çdo besim tek elektorati”, theksoi evrodeputeti slloven Jelko Kacin.