Sfida e Armand Shkullakut

Drejtori i “ABC News” rrëfen për jetën dhe projektet e tij
Nga Anila Çuli


Si ish-student i frëngjishtes, i diplomuar në vitet ‘90 (një degë e parapëlqyer shumë asokohe), Armand Shkullaku sot mund të ishte një përkthyes po aq i zoti sa ka ditur të jetë edhe në fushën e gazetarisë. Por ka zgjedhur të bëjë gazetarinë. “I vetmi profesion që di të bëj”,- më pohon në zyrën e tij në “ABC News”. Por unë jam e sigurt se ai mund të punonte në çdo profesion, me po të njëjtin pasion, vullnet dhe përkushtim. Në zyrën e tij nuk mungojnë ekranet e mëdhenj të televizorit, prej nga ku informohet për ngjarjet e ditës, një pirg i madh gazetash, si dhe foto të kohëve të ndryshme, por shumë domethënëse të jetës dhe karrierës së tij mbi 20-vjeçare.
Pyetja e parë që më vjen ndër mend është se si i ka tani raportet me frëngjishten ish-studenti i dikurshëm, a i ka shërbyer kjo gjuhë në profesionin që ka sot, dhe si ndodhi që, pas tetë vitesh studimi gjuhë e letërsi franceze, t’i hyjë rrugës së gazetarisë. “Shumë të mira! Raportet me frëngjishten i mbaj mirë, pasi lexoj gazetat, libra të ndryshëm dhe shoh mjaft televizor”,- pohon qartë, tek të thotë se mjaftohet me shijimin e romanit në gjuhën origjinale, pa e vrarë mendjen se si mund ta shijonte nëse do të ishte shqipëruar.
Shkullaku e kujton shumë mirë rrugëtimin e tij në gazetari, pasionin dhe përkushtimin që pati në gazetën “Rilindja Demokratike” (RD), një ndër të paktat medie të lira dhe të reja të atyre viteve. Kujton po ashtu momentin kur bashkë me një grup gazetarësh të rinj dhanë dorëheqjen publike nga RD-ja, në shenjë proteste ndaj kufizimit të lirisë së shprehjes, dhe më pas kalimin në gazetën e pavarur, shumë të bujshme të atyre viteve, “Koha Jonë”. Në këtë gazetë do të punonte për shumë vjet, bashkë me emra të njohur të gazetarisë së sotme. Tek sa rrëfen fillimin e rrugës së gazetarisë, shkrimet e para, biseda ndërpritet nga ecejaket e gazetarëve, të cilët e shkëpusin hera herës drejtorin nga kjo intervistë e gjatë.
Kudo ku shkel kërkon të sjellë ndryshimin, ide të vetat origjinale dhe, pse jo, krejt i pavarur në vendimet që merr. “Hapësira në vendimmarrje nuk është diçka që dhurohet. Duhet të përpiqesh çdo ditë që ta kesh atë”,- ma përforcon idenë që kam për këtë njeri këmbëngulës dhe “rebel” në profesion. Për të gjithë ata që e njohin e që kanë punuar me të, Shkullaku njihet si një revolucionar i thekur, një nga drejtorët mjaft jetëgjatë në atë çka njihet si fushë luftarake, në drejtimin e editorialëve në edicionet informative.
Armand Shkullaku do të mbahet mend gjatë për ndryshimet aty ku ka punuar, për nxjerrjen e njerëzve të ekranit edhe në terren, për afrimin e gazetarisë më pranë qytetarëve, më pranë jetës. Ata që punojnë me të flasin për një drejtues shumë kërkues, por njëherësh edhe bashkëpunues. Vetë ai më pohon se kamera dhe gazetari, pikësëpari duhet t’i shërbejnë audiencës, se kamera duhet të lëvizë në çdo skaj të vendit. Dhe ashtu kanë bërë gazetarët e tij, kanë lëvizur kudo nëpër Shqipëri, duke sjellë kronika dhe reportazhe me tematika të ndryshme, politike, sociale, kulturore apo argëtuese. Por jo vetëm në Shqipëri, edhe jashtë saj, në trojet shqiptare dhe në pika të rëndësishme të Ballkanit dhe Europës (gjatë kohës që ne diskutojmë, ko rrespondenti i njohur në Greqi, Robert Goro, i telefonon për të realizuar një speciale të gjerë e të gjatë nga Greqia për “Agimin e Artë”). Kjo telefonatë më sjell në mendje reportazhet dhe specialet e gazetares tjetër të njohur, Erisa Zykaj, nga Brukseli. E të gjitha këto emisione e reportazhe speciale duhet të gërshetohen çdo moment me lajmet më të fundit, në një ekran informativ që nuk “ngopet” kurrë.
“Duam të kemi një television informativ me profil të qartë. Synimi kryesor mbetet afrimi i ekranit me njerëzit. Sa më shumë jetë dhe sa më pak mure të mbyllura”,- shprehet Shkullaku. Ajo çfarë ka rëndësi për të dhe për stafin që ai drejton, është të krijojnë një mjedis pune ku të gjithë të vinë me dëshirë për të punuar dhe krijuar, ku kënaqësia e asaj që prodhohet të jetë motivi për të nesërmen. Por nuk e mohon se drejtimi në një televizion informativ, në transmetim 24 orë, kërkon më shumë impenjim dhe herë pas here e dëmton kreativitetin. E, teksa flasim për kushtet bashkëkohore dhe për hapësirën e përbashkët kombëtare që kërkon opinioni publik mbi televizionin gjeneralist dhe atë informues, nuk mund të lëmë pa përmendur atë televizion, për të cilin gjithsecili nga ne paguan taksë dhe që kohët e fundit është përfolur shumë. Asnjëherë ndër gjithë këto vite demokraci nuk është gjetur dikush që t’ia rikthejë Radiotelevizionit Shqiptar (RTVSH-së), këtij institucioni publik informativ, peshën e dikurshme. Përse një institucion i tillë gjigand nuk bëhet shembull dhe nuk futet në linjat e duhura? E ndiej që i futem një teme të gjerë e të gjatë, që kërkon kohë për diskutim, por Mandi e ka një përgjigje, duke fajësuar shumicat politike në Shqipëri që shkojnë dhe vijnë sipas rotacionit politik, duke mos lejuar të ndahet vija editorialiste nga ajo e shumicës, si dhe duke respektuar hapësirën ligjore.
Meqenëse jemi te shumicat politike, Armand Shkullaku njihet edhe si një ndër analistët e ashpër politikë në studiot e emisioneve televizive, ku jo rrallëherë ka debatuar ashpër edhe me kryeministrin Edi Rama. Teksa e pyes se si e shikon formimin e kabinetit të ri qeveritar, ai shprehet: “E njëjta filozofi pune si ajo kur Rama drejtonte bashkinë e Tiranës, që nis nga fasada dhe jo nga brendia. E njëjta filozofi edhe në përzgjedhjen e ministrave dhe drejtorëve. Kryeministri nuk do të ketë askënd që mund ta kundërshtojë apo të mendojë ndryshe nga ai”. Ndërsa, për sa i përket mënyrës së qeverisjes, “është ende herët për të folur”,- më pohon Shkullaku. Këtu gjej rastin dhe e ngacmoj, duke i thënë se si shumë është i pozicionuar djathtas. “Mundohem të jem sa më objektiv, i palëkundshëm në ide, si dhe t’i qëndroj sa më besnik asaj që besoj”. Padyshim, i kërkoj një tjetër opinion edhe mbi ish-liderin historik të të djathtëve, të partisë më të madhe opozitare tashmë në vend, të PD-së, për Sali Berishën. “Berisha është politikan. Ndoshta i vetmi i racës klasike të politikanëve në Shqipëri. Të kërkosh që ai të largohet menjëherë nga jeta aktive politike, për atë njeri është njëlloj sikur t’i heqësh oksigjenin.” Ndërsa flet, thekson se gabimet e Berishës u gjykuan nga votuesit, por dy mandatet e tij si kryeministër sollën ndryshime rrënjësore pozitive në Shqipëri.
Kosova dhe “Klan Kosova” duket se kanë lënë gjurmë të madhe te drejtori i sotëm i “ABC News””-it. Madje, duke hedhur sytë në atë mjedis pune ku ne po bisedojmë, vështrimi më ndalet te një foto – që plotëson ansamblin e shumë të tjerave – ku shquhet Shkullaku mes stafit të TV “Klan Kosova”. Të gjithë në këtë foto janë të rinj. Si për ta shuar kureshtjen time, Mandi më thotë me të qeshur se gazetarët atje, ndryshe nga këtu, nuk pyesin që në fillim se sa do ta kenë rrogën, dhe se sa orë do të punojnë në ditë. Jo pak, por katër vjet e gjysëm Armand Shkullaku ia dedikoi Prishtinës, ku formoi dhe drejtoi “Klan Kosova”. Në atë ekran të ri, doli edhe vetë me një emision politik, edhe pse kjo nuk është se ka qenë në ambiciet e tij të kahershme, pasi ai ndihet mirë në drejtimin dhe ndërtimin e strukturës dhe vijës editoriale. Por, gjatë aty re viteve, herë pas here ka qenë prezent në Shqipëri dhe i ftuar në studio tona.
Jo vetëm Klan Kosova, por edhe revista “Klan” për Shkullakun vlejnë shumë, duke i quajtur ato ndër momentet më të rëndësishme dhe domethënëse të karrierës së tij. Por drejtori i televizionit informativ nuk duket se mjaftohet me arritjet e deritanishme në karrierën e tij. Shpeshherë, ai shihet si analist dhe opinionist në emisione të ndryshme politike, por dhe në shtypin e shkruar. Kur e pyet për familjen, si çdo prind flet me dashuri e krenari për dy fëmijët e tij. Të tregon se Arieli, 21 vjeç, studion në një universitet privat në Tiranë, ndërsa Pati, 18 vjeç, studion në Angli. Gjatë bisedës dalin edhe pasionet e hershme të Mandit. Gjuetia dhe udhëtimet janë çlodhja e tij e preferuar, pas një pune të ngjeshur plot nerv dhe përgjegjësi.
(Shkrimi mundësohet në sajë të bashkëpunimit me revistën “Elite”)