Brad Pitt, Rihanna, Madonna dhe Jennifer Aniston: jo vetëm fotoshop dhe grim, por edhe injeksione të vitaminës B12, “kokteje” antioksidantësh dhe magnezi
Për Brad Pitt dhe Rihanna-n, eliksiri i bukurisë së përjetshme është një injeksion me vitamina. Por në Los Anxhelos, kryeqytetin e magjisë, përdoren lloj-lloj recetash për të “fshirë” shenjat e kohës, dhe nëse Madonna zgjedh injeksionet e vitaminës B12, Jennifer Aniston u beson rezultateve të masazheve të fytyrës.
Terapistja e yjeve është australiania Ingrid Seaburn, e cila e ka nisur karrierën në prapaskenën e serialit televiziv “Desperate Housewives” (“Shtëpiake të dëshpëruara”). Natyrisht që kurat e saj nuk janë të reja për profesionistët, por me siguri ato që bëjnë ndryshimin janë metodat e administrimit. Pas 13 vjetësh në Los Anxhelos, Seaburn është kthyer në Sidnej dhe ka vënë në dispozicion të kujtdo që dëshiron ta rinojë lëkurën, apo ta shndërrojë në një vepër arit, këshillat e saj profesionale, që përdoren edhe nga yjet. Çdo gjë që dëshironi mund ta gjeni në sajtin “news.com.au”.
Ja metoda e kujdesit për fytyrën e përdorur nga Aniston (43 vjeçe): “Është njësoj sikur të shkosh në palestër. Përdoren shkarkesat e vogla elektrike për të nxitur dhe tonifikuar muskujt”, ka thënë Seaburn.
Terapistja australiane ka bërë të ditur se për të qenë të bukur fizikisht, në fillim është e nevojshme që të keni një mirëqenie të brendshme. Zgjidhja e injeksionit të vitaminave është më e pëlqyera. Simon Cowell, Madonna dhe Katy Perry shpeshherë janë deklaruar fanse të vitaminës B12, e njohur ndryshe edhe si “vitamina energjike”, thelbësore për një jetë të gjatë.
Sikur kjo të mos mjaftonte, vitaminat mund të injektohen edhe përmes një flebotomi (vegël për të marrë gjak), siç bëhet në qendrën “IV Nutrient Therapy Center” të “Beverly Hills”. Bëhet fjalë për një koktej magnezi, kalciumi, vitamine B dhe C, duke i shtuar një antioksidant (glutathione) për shëndetin e lëkurës. Vetëm para pak ditësh, Rihanna postoi në rrejtin social “Twitter” një fotografi ku i nënshtrohej trajtimit vitaminik, ndërsa Brad Pitt e ka cilësuar veten si një njeri i devotshëm të kësaj metode.
Por bëni kujdes, sepse edhe kjo mënyrë ka disavantazhet e saj. Ja si është shprehur doktor Phillip Artemi nga departamenti i dermatologjisë në lidhje me metodat e Seaburn: “Kurat e saj nuk kanë asnjë lloj dëshmie shkencore. Edhe pse premtojnë pastrimin e lëkurës dhe një pamje të rinuar, metodat e propozuara nga ekspertja e bukurisë kanë lindur për qëllime dhe aplikime të ndryshme mjekësore. E ndërsa vitamina B12 njihet si kurë për aneminë, antioksidanti i preferuar i Seaburn është përdorur për një kohë të gjatë në neurologji për të luftuar efektet e sëmundjeve të Parkinsonit dhe Alzhaimerit”.
Duhet theksuar se është akoma e largët dita kur yjet nuk do të duhet t’i vrapojnë më pas fotoshopit për një pamje të përsosur. Ndërkohë dieta dhe gjimnastika mbeten akoma mënyrat më efikase, nëse nuk dëshironi që t’i drejtoheni bisturisë.
Ingrid Seaburn është një terapeute e lëkurës, që ka punuar në Los Anxhelos. Aktualisht jeton në Sidnej, Australi. Me një eksperiencë 12-vjeçare në kurimin dhe trajtimin profesional të lëkurës së yjeve të Hollivudit, njihet si vajza që tjetërson pamjen. Vitet e kaluara në Los Anxhelos ia kanë rritur më shumë reputacion dhe famën. Për pesë vjet rresht ajo ka qenë terapistja personale e aktores së famshme Teri Hatcher.
Duke përdorur produktet më të mira natyrale dhe talentin e saj, Seaburn kujdeset çdo ditë për të zbukuruar pacientët. Puna e saj bazohet në teknikën e masazhit tonifikes mbi një lëkurë të fishkur, të lodhur e pa jetë. Ingrid përdor disa trajtime tw personalizuara për çdo lloj lëkure, piling natyralë dhe efikas, si dhe jep këshilla për ata që s’kanë mundësi ta ndjein financiarisht.





