Është prania e tij që i bën mëngjeset të mos jenë ideale për gazetarin. Është po puna në televizion që eprivon nga kënaqësia e mbrëmjeve në shtëpi, me njerëzit e dashur pranë e me një çajnik mbi sobë. Xhaxhiu na rrëfen ditët e tij mes reales dhe ideales. Dhe kujtimet e rinisë në Shqipërinë e viteve ‘70.
Cili është mëngjesi yt rutinë?
Zgjimi herët në mëngjes. Kafja e pamungueshme e orës së parë të paszgjimit. Azhornimi me gazetat e mëngjesit që jepen në emisionet e orës së parë. Dhe një zapping për të parë se çfarë po trajtojnë emisionet e mëngjesit.
Cili do të ishte mëngjesi yt ideal?
Të zgjohesha pak më vonë. Të mos shikoja gazeta në tv, të mos bëja zapping, por të pija një kafe për qefin tim në një kafene buzë detit ose atje ku nuk ka valë televizive.
Jashtë shtëpisë, cili është vendi i preferuar për kafen e mëngjesit?
Disa kafene që janë buzë liqenit artificial të Tiranës. Disa prej tyre janë shumë të dashura, ku ka një zhurmë të lehtë ekspresi, një aromë të lehtë kafeje dhe në sfond një muzikë që nuk të shqetëson (dhe sigurisht ku nuk ka plazma që transmetojnë lajme pa fund).
Me kë dëshiron të jesh në këtë gjerbje kafeje, mëngjesi?
Zakonisht jam me Laurën, time shoqe, por edhe me ndonjë mik të rastësishëm me të cilin ndajmë ecjen nga liqeni.
A të pëlqen puna që bën, profesioni që ke?
Nëse nuk do të më pëlqente nuk do të kisha ndenjur kaq gjatë në këtë lloj profesioni që jam duke bërë që prej afro 20 vitesh.
A u devijon shpesh detyrimeve apo afateve ditore që ke?
Nuk qëllon shpesh. Përgjithësisht jam i programuar. Ndodh kur më futen brenda ditës gjëra që nuk varen prej meje.
Cila është “gënjeshtra e bardhë” më e përdorur në kësi rastesh?
Gjej gjithnjë një dalje elegante të tipit “mos, më ka dalë një gjë e papritur” apo diçka e tillë.
A je dembel? Nëse po, kur të ka kushtuar më shumë ky dembelizëm?
Dembel me raste, kur bie pre e një lloj monotonie që më bën t’i lë gjërat në mes, t’i shtyj, t’i zgjas. Por nuk ndodh shpesh. Por kur ndodh, ndodh ama.
Ku të zë dreka zakonisht?
Në shtëpi, në pjesën më të shpeshtë të rasteve. Por ka ditë që më gjen edhe jashtë, në vartësi të angazhimeve të papritura. Profesioni ynë ka shumë të tilla.
Cilat janë restorantet më të preferuara për drekën tënde?
Janë kryesisht ato familjare, ku ndjehem më shumë si në shtëpi se sa si në restorant. Preferoj të zgjedh ato tip ambientesh intime e të ngrohta të cilat i ngjajnë më shumë një shtëpie jashtë shtëpisë
Fton apo të ftojnë më shpesh për dreka?
Të dyja ndodhin. Tani që më pyet po shtrëngohem të kujtoj se kush ndodh më shpesh. Por jo. Kjo varet. Pra ka raste që ftoj më shumë sikundër ka raste që më ftojnë më shumë se ç’ftoj.
A je kursimtar?
Me shumë sesa kursimtar, ekonomiqar. Një lloj respekti për lekun, një vlerësim do të thosha.
A ke në rit gjumin, apo pushimin e drekës?
Po. Më shumë pushimin se sa gjumin. Por nuk do t’i thosha jo edhe kur më vjen ai. Është një lloj “pit stopi” përpara se të vazhdoj pjesën tjetër të ditës që në fakt zgjat deri përtej mesnatës.
Kur ke qenë i vogël a ta kanë diktuar prindërit, pushimin e detyruar të drekës?
Rregullisht. Kjo ndodhte shpesh dhe ishte një rit i të gjithë familjes, të mëdhenj e të vegjël.
Bëje rrenga për t’i shpëtuar?
Jo. Sepse më pëlqente. Sepse nuk është se humbja ndonjë gjë të madhe edhe sikur të mos flija. Veçanërisht në drekat e vapës së madhe.
Çfarë ke ruajtur që nga fëmijëria?
Disa dëftesa të klasës së parë të dytë, ndonjë listë notash të fillores, tek-tuk ndonjë fletore të asaj kohe. Kohët e fundit gjeta tasin me të cilin haja papare kur isha fëmijë.
Cila është koha që mbart për ty kujtimet më të bukura?
Fëmijëria dhe adoleshenca. Vitet e gjimnazit, që i takojnë fundviteve ‘70, zboret në Mamurras gjatë kohës së studentllëkut, aksionet. Tani duket e çuditshme, por ishte ndryshe në atë kohë.
Po kujtimet e hidhura?
Ndarja me babain që u largua nga kjo botë 2 vjet më parë.
Ç’ndodh me sekretet e tua? I rrëfen diku, i shkruan diku, i mban vetëm për vete…? Ke mbajtur ditar?
Nuk para i shpërndaj. Ndaj janë sekrete. Ditari i fundit që kam mbajtur i takon periudhës së paraadoleshencës. Kur e kujtoj, qesh.
Çfarë ka në portofolin tënd?
Gjëra të zakonshme të një portofoli. Foto të vajzës dhe zonjës sime, karta krediti, patentë, kartëvizita dhe lekë.
Në mëngjes e gjen gjithmonë menjëherë atë që kërkon në dollapin e rrobave?
Jo gjithmonë. Shpesh kërkoj ndihmën e Laurës, e cila e ka shumë të zhvilluar sensin e orientimit edhe në dollapin tim, aty ku ndodhet një botë e çuditshme rrobash, të një mashkulli si të gjithë meshkujt e shkujdesur.
Cila është ngjyra që mbizotëron në shtëpinë tënde?
Një bezhë e lehtë e kombinuar me ngjyra më flu, duke krijuar një atmosferë çlodhëse dhe paqeje.
Ekziston një aromë të cilën ti e preferon për produkte kozmetike, ushqime të paketuara, aromatizues ambienti apo makine?
Aroma e pishës, por e pishës së mëngjesit kur është e vërtetë.
Çfarë CD ke në makinë?
Të gustove të mia. Hulio Iglezias, Koçante, Aznavour.
Çfarë muzike ke zile telefoni?
Zilen klasike të Nokias.
A ke miq të vjetër? Nëse po, a takoheni shpesh me ta?
Pak. Pjesa e madhe ka ikur jashtë, në emigracion. Ata që kanë mbetur janë zhbërë, dmth janë dhe s’janë.
A je e hapur për miqësi të reja apo duhet kohë e prova për t’u bërë mik i yti?
Nuk eksperimentoj shpesh në miqësi të reja. Sot është e vështirë të bësh miq të mirë, me kohë të plotë dhe t’i mbash gjatë si të tillë.
Ku rri zakonisht me miqtë?
Varet. Në fundjavë në lokale të vegjël, atje ku arrin të dëgjosh se çfarë të thotë tjetri dhe çfarë i thua ti. Kryesisht në lokale të një klientelë që është e ngjashme me mua dhe me kërkesat që kam për kësisoj lokalesh.
Në ç’orë mbyllesh zakonisht në shtëpi? Pra kur mbaron zakonisht dita jote?
Në orën 24, kohë kur kthehem nga emisioni i përnatshëm i orëve të vona.
Cila është mbrëmja e zakonshme në shtëpinë tënde?
Nuk ka mbrëmje të zakonshme në shtëpinë time. Siç thashë, kam vite që nuk e njoh mbrëmjen në shtëpi për faktin së në atë kohë jam në punë.
Po idealja, cila do të ishte?
Të shijoja qetësinë që të jep shtëpia në mbrëmje, era e gatimit, një çaj i ngrohtë mbi sobë, një bisedë flu me të dashurit e tu, ku secili tregon historitë e tij të ditës, po pse jo një gotë verë përballë një vatre me dru.
Kur shkon për të fjetur?
Rreth orës 01 të natës.
Cila është uniforma jote e gjumit?
Uniforma? Një fjalë e madhe kjo, më kujton zborin e kohës së dikurshme. Bëj shaka. Është një veshje e lehtë. Edhe në vartësi të stinës.
Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël”?
Laura dhe Loris, vajza ime./mapo