Presidenti ukrainas, Viktor Yanukovych ka braktisur Kievin dhe mendohet se është vendosur në një qytet pranë kufirit me Rusinë.
Në Ukrainë për momentin ka një vakum pushteti, pasi edhe kryetari i parlamentit, Volodymyr Rybak ka dhënë dorëheqjen.
Sipas BBC, presidenca është bosh dhe askush nuk e ruan.
BBC raporton po ashtu se protestuesit opozitarë kanë kontrollin e plotë mbi godinat qeveritare.
Kryeqyteti është i qetë, një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes që i jepte fund krizës politike.
Por pavarësisht marrëveshjes, mijëra njerëz ishin sërish në rrugët e Kievit.
Shumë protestues janë të çuditur me faktin që presidenca, që dikur ishte shumë e mbrojtur, tani është bosh.
Ndërkohë një nga liderët e opozitës, Vitaly Klitschko ka depozituar një kërkesë në parlament, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të presidentit.
Kjo do i hapte rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Të enjten ishte dita më e dhunshme e protestave. Raportohet se të paktën 77 persona humbën jetën, policë dhe protestues.





