Është njësia më e madhe në numër në ushtrinë izraelite e përfshirë në luftën kibernetike. Ajo ka prodhuar manjatët më të pasur të teknologjisë hi-tech, protagonistë të bumit dixhital në shtetin hebraik: fjala është për njësinë 8.200, ekuivalente e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë amerikane (NSA).
E krijuar në vitin 1952, falë disa pajisjeve që tepruan në ushtrinë amerikane, “njësia për mbledhjen e të dhënave” të Inteligjencës izraelite mbeti në hije, jashtë dijenisë së publikut deri në vitin 2010. Në atë kohë, Amos Yadlin, shefi i shërbimeve sekrete ushtarake të Izraelit, zbuloi ekzistencën e saj me pranimin e lëshimit të viruseve “Stuxnet” e “Stars” që sulmuan impiantet bërthamore të Teheranit, duke shkaktuar dëmtime të rënda dhe vonesa në sistemet kompjuterike. “New York Times” ia atribuoi sulmet kooperimit të NSA-së amerikane me 8200-n izraelite. Që nga ai moment, informacionet mbi të filtrojnë me pikatore. Dihet vetëm që bazën e ka në shkretëtirën e Negevit prej të cilës ekzistojnë vetëm pak imazhe dhe se detyrat e saj kanë të bëjnë me mbrojtjen nga sulmet kibernetike, mbledhjen e mega të dhënave dhe projektimin e bliceve dixhitale kundër armiqve.
Këtu lind edhe kurioziteti për shumëfishimin e numrit të veteranëve të afirmuar në sektorin e teknologjisë së avancuar izraelite, eksportimet vjetore të së cilës arrijnë deri në 25 miliardë dollarë. Është një univers që në total vlen 100 miliardë dollarë, i përbërë nga më shumë se 5 mijë kompani me rreth 230 të punësuar, midis të cilëve spikasin emra si ai i Yair Cohen, ish-gjeneral i ushtrisë izraelite dhe dikur shefi i 8200-s. Tani drejton inteligjencën kibernetike të Elbit System, një nga gjigantët e mbrojtjes.
Midis ish-kolegëve të tij është Aharon Zeevi Farkash, që ka krijuar dhe shitur duzina pajisje hi-tech për qindra-milionë dollarë, edhe ai ish-drejtues i njësisë izraelite. E la detyrën për të themeluar “Fts21”, kompani e projektuar në ndjekjen e shijeve teknologjike të adoleshentëve.
Yossi Vardi, i cili krijoi në vitin 1969 agjencinë e parë të softuerëve në Izrael, pohon se “Njësia ka krijuar më shumë milionerë se çdo universitet izraelit”. Agjenci dixhitale si Nice, Converse e Check Point janë krijuar nga veteranë të 8200-s falë eksperiencës së maturuar në menaxhimin e teknologjisë të së ardhmes. Gjigantët globalë të fushës janë në kërkim të produkteve dhe mendjeve, fryte të 8200-s. Kështu veproi IBM duke blerë për 800 milionë dollarë “Trusteer”-in, një ofrues kibernetik për institucionet financiare.
Sekreti i tij është një softuer i aftë për të identifikuar kërcënime të sofistikuara ndaj sigurisë së transporteve, energjisë dhe bankave nga terrorizmi kibernetik, duke i lejuar klientelës të operojë në mënyrë analoge në mbrojtjen e infrastrukturave strategjike. Yuval Diskin, ish-shef i sigurisë së brendshme të Izraelit, thotë se “nevoja për të zhvilluar sigurinë kibernetike lind nga fakti që nuk mund t’i lejojmë vetes pritjen e së nesërmes, ndërsa përballemi me kërcënimet më të sofistikuara”./D.Gj.