Izraeli ka ofruar 20 milionë dollarë si dëmshpërblim për familjet e nëntë turqve të vrarë në vitin 2010 nga ushtria izraelite gjatë sulmit ndaj një anijeje me ndihme humanitare që ndodhej pranë Gazës, ka njoftuar sot e përditshmja “Haaretz”. Duke cituar burime duplomatike perëndimore, gazeta shton se debati mes dy vendeve kishte avancuar, por nuk ishte arritur ende një marrëveshje.
Sipas të përditshmes, negociatat rifilluan në dhjetor pas një vizite në Ankara të një delegacioni izraelit.
Me këtë rast funksionarët turq kanë kërkuar 30 milionë dollarë si dëmshpërblim, ndërkohë që Izraeli kishte propozuar 15 milionë, sipas të njëjtave burime, por më pas e rriti këtë propozim fillestar në 20 milionë, sipas “Haaretz”.
Paratë nuk do t’i jepen drejtpërdrejt familjeve të të vdekurve dhe të të plagosurve, por do të depozitohen në një llogari bankare dhe më pas do t’i shpërndahen viktimave dhe familjeve të tyre sipas disa kritereve të përcaktuara qartë.