Është e vështirë të intervistosh gazetarët. Duke e pasur ‘sëmundje profesionale’, pyetjeve i përgjigjen po me pyetje. Çuditërisht, bëhet akoma më e vështirë, kur flasim për analistë politikë, të cilët janë mësuar aq shumë të flasin qartë dhe hapur për të tjerët, ndërsa kur vjen puna tek vetja e tyre sprapsen disi. Megjithatë, Zheji dhe Hoxha tregojnë për “GSH” si e kanë përjetuar faktin që SMS-të e tyre private u publikuan dhe u komentuan nga media dhe publiku. Nga fotot që u “dekonspiruan” që bënë një xhiro të shpejtë në kompjuterët, telefonat dhe rrjetet sociale të shqiptarëve, u shfaqen disa mesazhe që dy analistëve i vinë nga dy ish-kryeministrat, Fatos Nano dhe Sali Berisha. Ish-kryetari i PS-së fliste me tone fyese për dikë të ftuar në studio (me sa duket për ministrin Saimir Tahiri). Megjithatë, Zheji dukej se kishte bërë “rezistencë” sepse një mesazh më parë, i kishte shkruar Nanos një “Joooo” të gjatë. Ndoshta një refuzim për ndonjë kërkesë të ish-kryetarit të PS. Ndërsa, Artan Hoxha kishte marrë në celularin e tij një “bravo” dhe “të lumtë” nga ish-kryetari i PD-së, Berisha. Po kështu, në celularin e Hoxhës lexohej dhe një SMS e dhëndërit të Berishës, Jamarbër Malltezit. “S’do të thotë asgjë, sa njerëz më thonë mua ‘bravo’”, thotë Hoxha për “GSH”. INTERVISTA ARTAN HOXHA Z. Hoxha, a ju erdhi keq që kamera e televizionit “Klan” publikoi mesazhet në celularin tuaj? Jo, s’më erdhi fare keq, s’ka pse të më vijë keq. A ju vijnë shpesh mesazhe gjatë kohës që jeni i ftuar në “Opinion”? Vetëm gjatë natës së cilës ju i referoheni më kanë ardhur mbi 300 mesazhe, të cilat unë i kam fshirë sepse m’u bllokua telefoni tri herë. Marr mesazhe në çdo emision nga njerëz të ndryshëm, është mëse normale. Nga fotoja dukeshin qartë edhe SMS-të e z.Sali Berisha. A mund të na thoni se cili është raporti juaj me të? Jeni të afërt? Pse, sipas jush, mesazhet e dërguara në emision tregojnë afërsi...? Meqë ju thoshte “Bravo” “Ju lumtë”... Sa njerëz më thonë mua ‘bravo’..., kjo s’tregon asgjë. Çfarë raporti keni me z. Berisha? Atë që ju shihni me sy. Ju keni marrë dhe një SMS tjetër nga z. Malltezi, i cili ju sugjeronte diçka. A mund të na thoni se çfarë ju shkruante? S’i mbaj mend se nuk i kam parë. Po me dhëndrin e z. Berisha, cila është marrëdhënia juaj? Kemi një njohje të vjetër. Do shkoni sërish si i ftuar në “Opinion” pas kësaj që ndodhi? Pa diskutim. S’ndodhi ndonjë gjë. Meqenëse pyetët, ju mund të bëni një gjë? Po, më thoni... Të dëgjoni tezat që unë përdora dhe t’i krahasoni me tezat e opozitës. Më dëgjuat mua në emision të vë në dyshim shifrën e ministrit?! Nuk e vura në dyshim shifrën e ministrit. Ndërkohë që opozita thotë që ai fsheh me 40%. Ju s’mund të arrini në përfundimin që mesazhi orienton mënyrën dhe thelbin që flet Artan Hoxha. Unë nuk vura në dyshim shifrat e ministrit, por i bëra opozitë ministrit me shifrat e tij. Opozita thotë se policia është dobësuar, se është ndryshuar stafi, ndërsa unë kam tezën që policia s’ka mundur ta luftojë krimin këto muaj dhe është rritur kriminaliteti në janar, sepse policët janë nxjerrë për t’u marrë me gjoba dhe me ndërtime pa leje. Pra, opozitë mund të bëhet edhe me teza vetjake, pa përdorur tezat e opozitës. A jeni miq ju dhe z. Berisha? Fjala mik ka shumë kuptime. A komunikoni shpesh, shkëmbeni eksperienca, uleni për kafe? Komunikimi nuk është miqësi. Ndonjëherë komunikojmë më shpesh me jomiqtë se sa me miqtë. Nuk do ishte më e thjeshtë të përgjigjeshit me ‘po’ ose ‘jo’? Unë kam raporte me politikën prej 23 vitesh. Po ju pyes konkretisht për z. Berisha... Miqësia është tjetër gjë. Unë jam një individ me aktivitet mediatik, që kam vlerësimet e mia për performancën politike të politikanëve të ndryshëm, përfshi Sali Berishën. Vlerësimet e mia për të gjithë këtë performancë janë të trajtuara në të gjitha shkrimet dhe prononcimet e mia mediatike. Ato që them, ato mendoj dhe mbi bazën e këtyre janë edhe raportet e mia me njerëzit. ARTUR ZHEJI Z. Zheji a ju erdhi keq që mesazhi në celularin tuaj u bë publik? Nuk ishte mesazhi im. Ishte një mesazh që unë mora dhe nuk e kam marrë nga personi që thuhet në media. Domethënë nuk e kishte shkruar z. Fatos Nano? Nuk besoj se z. Nano merret me të tilla mesazhe gjatë emisioneve. Mesazhi i kujt ishte? Nuk e di, sepse janë ato lojtarët që çojnë mesazhe me kompjuter. Po ta dija, do isha gëzuar pa masë. Duhet të jetë një lojë e bukur e hakerave, po dikush u nxitua ta publikonte. Është e drejta e tyre. A ju erdhi keq që u publikua, pavarësisht se nuk ishte SMS real? Jo. Më erdhi keq që vrasësi serial dhe zbulimi i shkëlqyer i Policisë së Shtetit u harrua dhe kolegët u morën me kolegët. Kjo nuk është shumë profesionale, megjithatë më erdhi keq vetëm që suksesi i madh i policisë u la mënjanë. Do shkoni sërish tek emisioni i Blendi Fevziut pas kësaj ndodhie? Me kënaqësi edhe më të madhe akoma. A njiheni, keni raporte me z. Fatos Nano? Me të gjithë njerëzit e famshëm dhe të rëndësishëm të Shqipërisë për arsye profesionale, kam raporte, marrëdhënie, shkëmbime, gjithçka. Jeni miq me z. Nano? Kam miqësi me z. Rama, me z. Nano, me z. Berisha, miqësi kolegësh e profesionale si gazetarë që jemi./ |
Home »
» E vërteta e sms-ve në emisionin e Fevziut