Do të bëhet mirë, vetëm pasi ti të bëhesh njeri i mirë, ndaj jepi vëlla!
Kopshti i jetës nuk është gjithaq i gjerë, që të ketë vend për të mbjellur dëshpërim. Le të mbjellim shpresë në këtë kopsht, sepse drizët dhe bari i keq nuk ka nevojë të mbillen dhe as të punohen, ata mbijnë dhe rriten vetëm në saje të përtacisë së njeriut!
Do të bëhet mirë me lejen e Zotit, por jo ende duke qenë ti njeri i keq, përkundër që shumë lehtë mund të bëhemi njerëz të mirë. Mjafton ta kuptosh se jeta sado e gjatë të jetë, ajo në të vërtetë është e shkurtër, si dhe sado të ruhemi e të sigurohemi nëpër kompani të ndryshme të sigurimit, vdekjen e kemi të sigurtë. Mjafton të besojmë se njeriu pas vdekjes të gjitha do t’i lë pas përpos veprave. Ndaj ti që ende nuk je këndellur sa duhet, si vallë mendon të dalësh para Krijuesit me këtë bjeshkë të veprave të këqija? Pendohu sa nuk je penduar për mos pendimin me kohë!
Burimi: Iljasa Salihu