Botuesi dhe kryeredaktori i “Bota sot” kërcënohen me vdekje!


Kërcënuesit nuk janë vetëm njerëz që thjeshtë u është prekur sedra, më shumë se sa që kërkojnë të shpëlajnë fytyrën, ata duan viktima. Nuk janë më cak i sulmit autorët e një shtrembërimi të lajmit, as shumëfishuesit e tyre, por një media, që mori përsipër ta dërgonte në versionin e shtypur një listë emrash, të cilët dyshohet se kanë punuar për UDB-në, ose që vërtetë kanë punuar, pasi shumë prej tyre dihet botërisht se kanë qenë pjesë e atij sistemi që ka pasur sigurimin e vet.
Shkrimi mbante autorësinë e diplomacia.dk, një media online, ndërsa po kjo listë ekziston prej vitesh në media online, bllogje, forume dhe ku jo. Ajo kësaj here u risjellë në ribotim më 4 shkurt në mediat online në kohën që kishte shpërthyer debati edhe në televizione, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për të nisur procesin e lustrimit, por edhe të hapjes së dosjeve.
Kjo temë duket ende tepër e nxehtë, edhe pse nuk duket dhe as nuk ka prirje për ndëshkim për ta (ish-udb-istët), përveç për bartësit e politikës që mund ta humbin këtë karrierë, e të cilët mund të kenë qenë të inkriminuar thellë në shërbimin e sigurimit të Kosovës, atij të Serbisë apo të Jugosllavisë gjatë komunizmit, sikurse edhe pas komunizmit kur Kosova vazhdonte të ishte e okupuar nga Serbia.
Mesazhi qendror i kërcënuesit ishte se nuk ka rëndësi se sa kanë gabuar të tjerët, as ata që e kanë botuar listën që në vitin 1999, as ata që e kanë risjellë në media në vazhdimësi për shumë vite, me rëndësi është, se “Bota sot”, stafi i saj është pritur që të bie në këtë pikë. “Ne këtu, bash këtu ju kemi pritur, s’ka rëndësi se çfarë ka ndodhur më parë! Tash ju do të paguani”!