Akademia e Shkencave të Shqipërisë mbron Rexhep Qosjen


Akademia e Shkencave të Shqipërisë, ka reaguar ndaj akuzave që ka bërë kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, ndaj akademik Rexhep Qosjes. Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka kërkuar që të mos përbalten akademikët dhe të dëmtohet misioni i tyre.
“Akademia e Shkencave e Shqipërisë, duke u distancuar nga çdo deklaratë që provokon opinionin shoqëror me akuza personale, emocionale, të papranueshme për etikën e komunikimit intelektual dhe të ligjërimit intelektual, duke vlerësuar punën intelektuale të kujtdo që kontribuon në fushën e letrave dhe në çdo fushë të krijimtarisë, duke qenë e angazhuar për bashkëpunimin e forcave intelektuale të kombit, dhe jo për përjashtimin, përçarjen a përbaltjen e tyre, parapëlqen të mos përfshihet në një debat joshkencor e për pasojë joproduktiv, prej të cilit do të dëmtohej misioni shkencor që kanë marrë përsipër akademitë tona, proceset e integrimeve kulturore kombëtare dhe tradita e mirë e bashkëpunimit midis institucioneve tona”, thuhet në reagimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Më datë 7 të këtij muaji Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) ka reaguar pas debatit në Parlament për mënyrën e marrjes së titullit akademik nga Sinan Hasani e Josip Broz Tito. Sipas Akademisë, ish-udhëheqësi Jugosllav Tito dhe Sinan Hasani janë bërë akademik me propozim dhe votim të Rexhep Qosjes. Në Kuvendin e Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi i është drejtuar Sabri Hamitit se si mund të jetë akademik në të njëjtin institucion me Titon e Sinan Hasanin. ASHAK ka sqaruar se është e vërtetë se këta dy ish-funksionarë të Jugosllavisë mbajnë pozitat e akademikut, por se kjo ngjarje s'mund të kthehet prapa.
Ndërsa Rexhep Qosja iu kundërpërgjigj Akademisë së Shkencave dhe Arteve në një shkrim autorial për mediat. Qosja ia nis letrës me konstatimin se kjo deklaratë, e shkruar pak më mirë se ç’do ta shkruante një analfabet, i cili e di se anëtarët e akademive të shkencave dhe të arteve nuk zgjedhën me vizën që ia japin vetes a institucione po në sajë të propozimeve të institucioneve të caktuara shoqërore, kulturore, shkencore e, në disa raste, shtetërore, janë të përmbajtura dy rrena naive.
E para, kandidatët kosovarë për anëtar të Akademisë në atë kohë propozoheshin prej fakulteteve, prej instituteve shkencore dhe prej shoqatave të krijuesve – të shkrimtarëve, të piktorëve e skulptorëve, të kompozitorëve e jo prej brendisë siç bëhet sot në Akademinë e Grupit të preshevarëve që tani e pesëmbëdhjetë vjet po e shpërdorojnë Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës si kryetar me nga dy mandate, si nënkryetar e sekretar të saj. Kjo procedurë për propozimin e anëtarëve të ASHAK-ut vlente, prandaj, edhe për shkrimtarin Sinan Hasani. Unë që nuk isha kryetar apo anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve nuk kam pasur mundësi të marr pjesë në propozimin që Sinan Hasani të bëhet anëtar i Akademisë.