Si drejtues të një kompanie apo të një grupi pune është e rëndësishme të dini të lexoni mendjen e punonjësve për t’i kuptuar më mirë ata dhe kapacitetin e tyre. Gjëja e parë nga duhet t’ia filloni është të dini të bëni pyetjet e duhura. David Hassell, CEO i 15Five, ka përmbledhur nga përvoja e tij 10 pyetje që duhet t’i bëni grupit tuaj të punës çdo javë.
1. Cilat gjëra po shkojnë mirë në pozicionin tuaj? A keni pasur arritje (të mëdha apo të vogla) gjatë kësaj jave? Këto pyetje do t’i bëjnë ata të ndihen më të vlerësuar dhe janë fillimi i një bisede më të gjerë.
2. Çfarë sfidash keni pasur? Ku keni ngecur? Momenti që pranojmë se kemi ngecur diku është fillimi i zgjidhjes.
3. Çfarë mund të bëjë biznesi ynë për t’ju bërë më të suksesshëm? Suksesi i punonjësve është një proçes mjaft i rëndësishëm në gjithë kompaninë dhe jo vetëm në karrierën e atij punonjësi.
4. Si ndiheni? Si është gjendja juaj emocionale? Kjo është pyetje jo e lehtë për t’u bërë, megjithatë duhet të keni parasysh se nëse njihni gjendjen emocionale të grupit të punës, skuadra bëhet më e bashkuar.
5. Nga 1 tek 10, sa të lumtur jeni? Pse? Psikologjia e kësaj pyetje është e qartë: lumturia është paraardhëse e suksesit dhe arritjeve, dhe jo e kundërta. Punonjësit jo vetëm që arrijnë më tepër, por edhe janë më të kënaqur.
6. Cila është gjëja më e bukur që ju ka ndodhur gjatë kësaj jave, brenda apo jashtë punës? Të dish sesi ndihen të tjerët dhe të njohësh dëshirat apo qëllimet e tyre personale krijon një skuadër më të angazhuar e më të bashkuar.
7. Jepni një ide se si mund të përmirësohet një produkt apo shërbim i kompanisë suaj. Një pyetje që mund të rezultojë burimi i inovacionit. Punonjësit e brendshëm të kompanisë janë kryesorët për të përmirësuar produktet.
8. Nëse do të ishit pronar i një kompanie, çfarë do të bënit ndryshe? Në këtë mënyrë mund të nxisni lidershipin.
9. Përmendni disa ndihmesa që kanë dhënë kolegët e tjerë të skuadrës. Me këtë pyetje hapen dyert e vlerësimit dhe rritet bashkimi i skuadrës.
10. Përmendni disa pika se si mund të bëhem lider më i mirë. Ndoshta kjo do të jetë më vështira nga të gjitha, por të jeni të sigurt se përgjigjet do t’ia vlejnë. (CIO Albanian)