Në Indi çdo orë një grua vritet për shkak të pajës së pamjaftueshme në martesë. Ky fakt bëhet i ditur nga një raport i zyrës kombëtare të regjistrave kriminalë.
Në raport lexohet se vitin e kaluar më shumë se 8200 femra u ekzekutuan në Indi, për shkak të sherrit mbi pajën, edhe pse ligji i ndalon familjet të japin apo të marrin pajë për martesën e çifteve.
Siç thuhet më tej, kjo ndodh sepse bashkëshorti ose familja e tij, e cilësojnë si të pamjaftueshme pajën e sjellë nga nusja.
Mijëra prej këtyre grave vriten pasi lyhen me benzinë, duke iu vënë zjarri. Policia sqaron se shtimi i këtyre krimeve lidhet me mangësitë ligjore dhe vonesat në dhënien e dënimeve.
Sipas aktivistëve indianë për të drejtat e femrave, kërkesat për pajë më të madhe janë rritur duke ndjekur ndryshimet ekonomike.