Rrëfimi i jashtëzakonshëm i shqiptaro- amerikanit Dr. Çaushaj/ Si mësoi shqipen në familje antikomuniste me librat e Enver Hoxhës

Shqiptaro- amerikani Fillor Çaushaj, 59 vjeç, është doktor me një karrierë të spikatur ndërkombëtare.
Çaushaj ka një eksperiencë pune 30- vjeçare dhe mban titullin profesor në mbi 70 spitale dhe universitete në mbarë botën. Specialitetet e tij janë kujdesi intensiv ndaj pacientëve në gjendje të rëndë, kirurg i zorrës rektale dhe kirurgji të përgjithshme.
Për shkak të arritjeve profesionale ka marrë disa tituj në spitale të ndryshme.
Vjen në Shqipëri për herë të parë, por shqipen e ka mësuar në SHBA, ku dhe ka lindur nga dy prindër shqiptarë të emigruar në Amerikë në vitin 1944.
Në një intervistë për Tonight Ilva Tare ne Ora News rrëfen si e ka mësuar shqipen dhe çfarë pret nga shqiptarët dhe qeveria e Edi Ramës.


Shqipen, ku e keni mësuar kaq mirë?
Nga prindërit. Ata kishin ikur nga Shqipëria kur ishin të rinj, por në shtëpinë tonë gjithmonë gjuha shqip flitej. Çdo revistë, libër shqiptar që ishte shkruar e blinin, e gjenin, e këndonin. Unë besoj se jam i vetmi shqiptar në botë që kam kënduar librin e Enver Hoxhës, “Titistët”, katër herë. Unë e di Koçi Xoxën më mirë se sa Koçi Xoxa.

E mbani mend librin ende?
Si s’e mbaj mend.

Çfarë të bënte përshtypje tek “Titistët” më shumë? E besoje ideologjinë?
Jo, nuk e besoja. Prindërit i kisha në anën tjetër ideologjike.  Ne nuk e këndonim për ideologji, këndonim për të mësuar gjuhën tonë dhe ato libra ishin të vetmet libra që mund të gjenim.

Mban mend ndonjë pjesë nga “Titistët”?
Mbaj mend plot, por m’u duk një libër interesant i asaj kohe.

Po shqipja e përdorur në të si ju dukej?
M’u duk mirë. Ashtu flisnin edhe prindërit tanë njëlloj. Një shqipe e kthjellët.

“Titistët” ju bëri ta mësoni gjuhën?
Jo vetëm “Titistët”, por edhe “Lahuta e Malësisë”, “Bagëti e bujqësi”, veprat e Konicës, çdo libër që gjenim, këndonim.

Pse lexonit shqip?
Qe dëshira e prindërve tanë. Besonin se do ktheheshin në Shqipëri, nuk do mbeteshin në mërgim dhe prandaj kishin dëshirë që fëmijët e tyre të dinin gjuhën e nënëdhesë së tyre.

Në çfarë vitesh bëhej fjalë? Ata besonin se do ktheheshin në Shqipëri?
Deri në ditën që vdiq babai im, në vitin ’78 thoshte: “Në vitin që vjen… në Shqipëri”.

Si iu dukej Shqipëria në ato vite? Shqipëria komuniste, si e përjetonte babai fatin e shqiptarëve që mbetën brenda kufijve?
Kish merak për popullin e tij. Dinte vuajtjet e tyre, kuptonte çështjet që gjenin popullin brenda dhe ju vinte keq, se ata jetonin në mërgim dhe jetonin më mirë se sa populli shqiptar jetonte në atë kohë.

Pse vendosi të largohej babai juaj? Në ç’rrethana iku?
Babai im ka qenë bashkë me Mit’hat Frashërin me organizatën “Balli Kombëtar” dhe kur mbaroi lufta në ’44, nga Shkodra u nisën dhe vajtën në mërgim. Nga Italia në Siri, nga Siria në Amerikë.

Ishte me miq të tjerë apo vetëm?
Ishin pak, ishin afërsisht 200 shqiptarë që ikën në atë kohë.

Pse vendosën të iknin? E kishin të vështirë për të qëndruar këtu?
Besoj se po të qëndronte babai, nuk do më kishte bërë mua.

Si u njoh me nënën tuaj, e cila gjithashtu është shqiptare?
Nëna ime është shqiptare, vinte nga Fieri. E poqi në Filadelfia. Ai qe 30 vjeç, ajo qe 17 vjeç, ranë në dashuri dhe u martuan.

Nuk pati probleme mes familjeve?
Besoj që gjyshi në anën e nënës nuk e pëlqeu aq shumë, po pranoi.

Pse nuk e pëlqeu?
Mosha, babai im kish moshë më të vjetër nga nëna. Nëna, 17 vjeç.

Kush ishte më i bukur?
Të dy qenë të bukur të them të vërtetën. Babai qe burrë i dukshëm dhe nëna qe shumë e bukur edhe bënë një çift të bukur bashkë.

Si jetuan pastaj, ishin të lumtur bashkë?
25 vjet jetuan bashkë. Babai vdiq në moshën 58. Njëherë s’i kam dëgjuar të ziheshin bashkë. Babai i mbante dorën nënës, kish shumë respekt për të edhe pas vdekjes së babait i thashë nënës, po të dojë të martohesh prapë, por ajo tha, këto 25 vjet me babën tënd kanë qenë shumë të lumtur dhe nuk dua një tjetër, tha ajo, do e mbaj hapur shtëpinë e burrit tim dhe kështu e bëri e shkreta deri sa vdiq edhe ajo në moshën 70- vjeçare.

Nuk erdhën në Shqipëri asnjëherë?
Asnjëherë.

Kishin merak? Do të donin të ishin rikthyer?
Babai 100% dhe nëna 100%, por qe e sëmurë në atë kohë dhe nuk mundte të vinte dot nëna.

Po pas ’90-ës që u hap Shqipëria, si shpjegohet që ju nuk keni ardhur deri tani?
Sepse kishim kuriozitet. Përgjigja e kësaj është komplekse. Thonin një fjalë ata pleqtë tanë: Rri shtrembër e fol drejt. Kishim pak frikë, nuk e dinim ç’ishte realiteti i kombit tonë, nuk dinim njerëzit dhe deshëm të shikonim pakëz me sytë tonë si do zhvillohej puna përpara sesa të vinim drejtpërdrejt.

Ju keni dy fëmijë që kanë babain shqiptar nga gjaku. Po ata flasin shqip?
Asnjë fjalë. Dinë “byrek”. Ajo është e vetmja fjalë shqip që dinë ata. Dinë që janë shqiptarë, por nuk e flasin shqipen fatkeqësisht.

Siç ju imponua babai juve, t’ju ishit imponuar edhe ju?
Nuk kam qenë aq baba i mirë saç ka qenë babai im. Babai im kthehej në shtëpi dhe një sahat çdo natë këndonim shqip bashkë me babanë.

Me detyrim?
Me detyrim. Nuk e pëlqeja, nuk e desha se nuk besoja. Unë e quaja veten amerikan, jo shqiptar. Nuk e dija unë që do vinte dita do shikoja Shqipërinë e babës tim. Ishte zor për ne fëmijët ta bënim këtë gjë, sakrificë. Dhe motra ime e flet shqipen shumë mirë.

Ka ardhur në Shqipëri?
Nuk ka ardhur akoma. Besoj do vijë shpejt.

Do vijë sepse do t’i tregoni gjëra të mira për Shqipërinë?
Plot gjëra të mira, një popull i bukur, dashamirës, bujar. Tradita dhe karakteri i popullit më ka gëzuar pamasë. Një vend shumë i bukur edhe gëzohem që jam këtu.

Si u bëtë mjek? E kishit pasion mjekësinë?
E kisha pak pasion dhe unë nuk besoja se do të më pranonte ai universitet. I kisha notat e mira dhe jo vetëm që më pranoi, por më dhanë bursë, të shkoj atje të studioj pa para dhe e bënë të mundshme të shkoj në shkollë atje. Ata më lejuan, më dhanë paratë edhe më hapën derën.

Si ka qenë shkollimi juaj?
Shumë i mirë. Në Baltimorë, John Hopkins ka qenë një nga universitetet më të mirë, kemi pasur nderin të kishim profesorët tanë njerëzit që kishin fituar çmimin Nobel dhe ata na mësonin neve. S’e harroj kurrë sa të jem gjallë, na instaluam një besim te populli dhe tek mjekësia.

Është profesion i bukur mjekësia? Do zemër të fortë? Do kurajo?
Do dashuri për të sëmurët. Po të kesh dashuri për të sëmurët çdo gjë tjetër kalohet.

Po frikë se mund të humbasin jetën nën duart e tua?
Më shumë shpëtojnë dhe ajo është dëshira, t’i shpëtoj të sëmurët jo vetëm t’i shikoj, por të mundohem për të mirën e tyre.

Ka ndonjë eksperiencë, ndonjë rast delikat në karrierën tuaj, një moment që keni thënë: “Ah pse zgjodha këtë profesion? Kam një pacient që do të doja ta shpëtoja por nuk mundem…”
Po, ka momente të tjera si ato dhe njeriu duhet të jetë i ndershëm dhe duhet t’i kujtoj këto por më shumë ka momente si një i sëmurë që më dërgoi letër këtu në Shqipëri. 27 vite të shkuara kishte kancer ajo e shkreta kur lindte fëmijën edhe më tha: “Zoti doktor, vetëm një gjë dua nga ti, që të shoh këtë çupë në shkollë edhe të vdes”. Ishte 27 vjeç zonjë ajo edhe ia bëra operacionin asaj edhe më erdhi letra këtu në Shqipëri edhe më tha “Dua ti të dish i pari që unë do bëhem gjyshe”.

Kam përshtypjen se ky është momenti më i bukur i këtij profesioni?
Më i lartë i jetës sime.

Përveç punës suaj atje, ju jepni leksione edhe nëpër universitete. Si ndodhin, ju ftojnë?
Po, na ftojnë të japim leksion në degën tonë. Jam profesor në një universitet, kam studentët e mi, rezidentët e mi, doktorë që studiojnë. Përveç asaj, jam drejtori gjeneral i shoqatës ndërkombëtare të kirurgëve dhe më ftojnë gjithmonë të jap fjalime dhe shkoj.

Ju pëlqen të udhëtoni?
Pse jo? Shkoj në Turqi, në Bullgari, në Greqi, kam parë shumë vende të botës.

Por në vitin 1996 keni pasur një eksperiencë interesante gjithashtu në Arabinë Saudite kur keni operuar një princ. Si ndodhi, pse ju përzgjodhën ju për ta bërë këtë?
Ai ka pasur një sëmundje që lipsesh një operacion edhe unë isha një eksperiencë të madhe në këtë operacion, s’më kish vdekur ndonjë pacient me këtë operacion dhe ata më zgjodhën mua të shkoj t’ia bëj operacionin, vajta.

Dhe ju mbajtën atje peng për një muaj, nuk ju lëshonin të ktheheshit në Amerikë?
Më kishin qejf.

Si arrin një mjek që në fund të fundit ndërhyn tek trupi i pacientit sidomos kur ka edhe diçka serioze për shëndetin që ta bëjë familjen e pacientit ta dojë mjekun madje?
Duhet të bisedosh me pacientin, duhet të jesh i ndershëm me pacientin, duhet t’i thuash të vërtetën, ato që mund të ndodhin dhe ato që mund të mos ndodhin por që gjithmonë duhet t’i thuash për të mirën e atij. Kur e bën pacientin njëlloj si nënën e babanë tënd, atëherë e fiton pacientin.

E bën dot çdo pacient aq të afërt?
Pse jo? Me komunikim. Në qoftë se doktori nuk kalon kohë me pacientin, nuk e njeh, ndodhin probleme.

Si qëndruat një muaj atje? Nuk kishit detyrim, punë për t’u kthyer në Amerikë?
Po, po, ai kish shumë para. Nuk do t’ia them emrin se nuk është në rregull, por ai i foli kryetarit të universitetit tim edhe e pyeti se sa bëj unë në muaj fitim për spitalin dhe i dërgoi çekun.

Dhe ju qëndruat për një muaj atje
Po, dhe universiteti i gëzuar, princi i gëzuar, unë jo i gëzuar.

Pse nuk ishit i gëzuar?
Unë doja të shkoja në shtëpi prapë.

Keni patur episode të tjera me personalitete të famshëm që donin të operoheshin prej jush?
Po, në kombin tim po, plot por nuk i bëj publik pasi konfidencialiteti i pacientit nuk më lejon t’i them.

Ju çfarë ndjeheni? Jeni amerikan? Po shqiptar?
Është një pyetje shumë e zorshme për mua të them të vërtetën sepse jam lindur në Amerikë dhe çdo të mirë që kam pasur në jetën time, kombi im i Amerikës ma ka dhënë. Shkollën, edukimin, fatmbarësinë, më ka bërë plot gjëra të mira kombi im, s’mund të them gjë të keqe për kombin tim se e dua me gjithë zemër edhe atje do vdes, edhe ai është populli im edhe e mira e tyre është e mira ime, e keqja e tyre është e keqja ime, nuk ndahem nga ata. Kam ardhur këtu dhe shoh një komb tjetër që është edhe kombi im. Kombi i prindërve të mi, i gjyshërve të mi. E shohim me një sy, me dashuri. Jam me fat besoj, kam dy kombësi tani.

Pavarësisht që e keni folur shqipen gjithë këto vite, tani që e vizituat Shqipërinë, ndjeheni që ka një pjesë tuajën këtu brenda.
Është e vërtetë, kur pashë kryebashkiakun e Tiranës që dha fjalim tek statuja e Ismail Qemal Vlorës, u gëzova shumë, dëgjova fjalë patriotike, ato fjalë që flisnin prindërit tanë, i dëgjova nga ai edhe u gëzova, si shqiptar më erdhi nder.

Keni ndjekur gjithë këto vite progresin që ka bërë Shqipëria përsa i përket forcimit të demokracisë, forcimit të institucioneve demokratike, të lirisë në vetvete. Si janë dukur, si i keni përjetuar nga SHBA evoluimin e Shqipërisë?
Një nga memoriet më të mira që kam pasur unë si amerikan ka qenë duke të parë ty për herë të parë në televizion kur bëje intervistë me Edi Ramën, kryetari i Partisë Socialiste, dhe thashë: Demokracia në Shqipëri ka ardhur me të vërtetë. Ti po bëje pyetje shumë të mira edhe ai po bënte përgjigje shumë të mira dhe u gëzova me atë intervistë që ndodhi atje edhe thashë ka ardhur demokracia në Shqipëri.

Me një intervistë televizive?
Unë nuk besoj dot 40 vjet të shkuara tek ajo intervistë. Ka qenë ndodhi edhe ndodhi aq e mirë dhe aq e bukur.

Po në përgjithësi, hapat përsa i takon Shqipërisë në rrugën e BE, të komunikimit të të gjithë shqiptarëve me trojet, si ju duken? Jemi në rrugën e duhur, si e perceptoni ju?
Besoj kemi filluar të shkojmë në rrugën e duhur. Problemi i korrupsionit në Shqipëri duhet kurdisur më parë se të futemi në BE.

Po si ta kurdisim? Aty e kemi problemin.
Do disa ustallarë, jo vetëm një ta kurdisi. Unë besoj se populli shqiptar do t’i gjejë ata ustallarë ta bëjnë edhe çdo komb në historinë e tyre ka patur korrupsion, edhe kombi im. Edhe me kohë kurdisen nga populli avash, avash. Unë besoj se populli shqiptar do ta kurdisi problemin e korrupsionit.

Nuk ka patur shumë vullnet që të luftohet korrupsioni, madje së fundmi ka dhe një teori të tipit, edhe në Amerikë ka korrupsion. Ku është dallimi, ku është ajo vija që nuk duhet kaluar?
Sistemi gjyqësor në Amerikë është i famshëm. Gjykata Supreme i tha president Nixon, dorëzo kasetat dhe i dorëzoi. Humbi presidencën e tij, por i dorëzoi. Ne vlerësojmë fjalën ligjore. Unë besoj se do vijë dhe dita dhe në Shqipëri do jetë ashtu.

Hera e parë në Shqipëri, hyrja në aeroport, mund të më japësh një përshtypje? Çfarë të mbeti në mendje?
Aeroporti i bukur, më dukesh konstruksion gjerman. Më pritën kushërinjtë atje. Nuk dija në ç’makinë të futesha brenda. Një gëzim për mua të them të vërtetën të arrij në Tiranë edhe ta shikoj Tiranën me një sy ndryshe nga ai i babait tim se babai im s’ekziston më, por kisha qejf ta shikoja.

Po me kushërinjtë tuaj në Shqipëri, keni mbajtur kontakte gjatë këtyre viteve? Si i njoftuat që do të vinit?
Me e-mail dhe me telefon. Kemi mbajtur kontakt, por jo aq të… se zor edhe këta që janë këtu të kenë kontakt shumë me ne por ca kanë ardhur në Amerikë dhe me ata jemi më shumë.

Kam përshtypjen, keni ngrënë shumë dreka, darka, ftesa…
Unë byrekun e kam dashur gjithmonë. Mamaja bënte një byrek të tmerrshëm, i bënte petat vetë. Kam ngrënë aq byrek këtu saqë më është lodhur byreku. Nuk dua më byrek.

Deri sa të vini prapë. Besoj se do riktheheni së shpejti?
Do rikthehem prapë, me gjithë qejf.

Po përveç Tiranës, kryeqytetit, cilin qytet vizituat?
Vajta në Vlorë se njerëzit e babait që ishin në Tepelenë vajtën në Vlorë edhe të tërë kushërinjtë i kisha atje.

Si ju duk Vlora?
Shumë e bukur. Një qytet i bukur pranë detit dhe kanë filluar të bëjnë ca modifikime të qytetit që unë besoj janë të duhura edhe të nevojshme dhe do bëhet qyteti më i bukur Vlora. Shumë i bukur.

Çfarë ju bëri përshtypje tek rrugët?
Uji mblidhej në rrugë në vend të ikte nga rruga. Makinat rrëshqisnin në ujë dhe është e rrezikshme për popullin se nuk i bën me një inxhinierllëk të duhur. E bënë pakëz shpejt besoj.

Po Tirana çfarë përshtypje ju la?
Qytet fantastik. E gjallë, me popull të edukuar, me gjëra që nuk besoja se do t’i shifja. Me një anë një qytet modern dhe në një anë tjetër me ca të mbetura të kohës së kaluar. Elektrika nuk punon gjithmonë, rrugën ku ecin njerëzit jo aq mirë, shkallët jo aq mirë, po besoj do kurdisen me kohë ato.

Po shqiptarët në përgjithësi si racë si ju duken, vajza, djem?
Një racë e zgjuar , një popull i zgjuar. Sytë janë të shndritshëm, por më erdhi shumë keq kur shoh një përqindje të madhe të rinisë këtu pa punë. Janë me edukatë, janë me shkollë po nuk kanë punë të shkretët edhe nuk e di ç’është aveniri i tyre. Kam merak për ta se mund të humbasë një gjeneratë të të rinjve që mund të ndihmojnë kombin më shumë ata, por s’kanë mundësi, të shkretët.

Pse të kanë vënë këtë emrin Fillor prindërit?
Babai desh të ma vinte emrin Ali si babai i tij, por mamaja deshi një emër shqiptar edhe nëna fitoi luftën dhe emrin e kam Fillor dhe jo Ali.

Po amerikanët kur dëgjonin këtë emër, si reagonin?
Amerikanët nuk pyesin për emrin as për fenë, as se kush ish babai yt e nëna jote, pyesin vetëm për individin. Unë gjithë shokët e jetës sime i kam patur amerikanë me prejardhje italiane, izraelite, nga çdo vend të botës. Nuk pyet amerikani.


Doja t’ju pyesja për takimin që patët me kryeministrin. Ishit disa mjekë të tjerë në mbarë botën, shqiptarë të diasporës së hershme apo të këtyre viteve të fundit, çfarë ju është kërkuar realisht?
Kryeministri ka dëshirë, me sa kam kuptuar unë, që të zhvillojë një sistem shëndetësor universal për popullin shqiptar. Mua më duket se kjo është një vepër e madhe dhe e nevojshme për popullin shqiptar. Ministri Ilir Beqja kërkonte ide edhe kontribut nga diaspora mjekësore që ta ndihmonim. Poqëm drejtoreshën e spitalit Nënë Tereza, zonjën Gerta, që më çuditi ajo mua. Të mësoj unë nga ajo dhe jo unë ta mësoj atë. Qe një zonjë e përgatitur dhe njeri me ide shumë të mira dhe presidentin Nishani. Edhe ai bashkë me kryeministrin dëshiron të zbatojmë këtë gjë. Erdhëm për një ditë. 90% e doktorëve shqiptarë që kanë ardhur janë mësuar këtu, kanë vajtur në Itali, Austri dhe duan të kthehen prapë. Unë isha i vetmi që nuk kisha lindur këtu, jam mësuar në Amerikë edhe unë desha të shikoja dhe të mësoja nga doktorët shqiptarë dhe kam mësuar shumë. Dua të vij prapë të mësoj çik më shumë dhe të gjej mënyrën si t’i ndihmoj vëllezërit e mi. Kam gjetur doktorë shumë të mirë, por një sistem mbase jo shumë të mirë. Edhe doktorët këtu donin të këmbehet sistemi. Lipset një sistem ku më i vobekti të ketë të njëjtat të drejtat si më i pasuri.

Meqenëse jemi tek sistemi. Në SHBA ka një frikë për dështimin e OBAMACARE. Nëse edhe në SHBA ka kaq shumë probleme me sistemin shëndetësor imagjinoni se si është gjendja në Shqipëri. Për ata që nuk e dinë se si është sistemi amerikan. Si funksionon?
Funksionon shumë më mirë sesa këtu. Së pari unë jam bashkë me Obamën. Jam me pakicën e doktorëve në Amerikë që jam për sistemin universal mjekësor kudo.
Dhe me sistem universal nënkuptojmë që çdokush, çdo pacient, me mundësi, pa mundësi, me sigurime, pa sigurime të ketë të drejtë të përfitojë asistencë mjekësore.
Edhe unë besoj në atë gjë. Në Amerikë, fukarai kur s’ka para nuk ka nevojë të shkojë në spital tjetër. Shteti ia paguan atij spitalin privat po të jetë sëmundje e rëndësishme. Ç’kam parë këtu është që njeriu i vobektë nuk i ka këto mundësi, të shkojë në spital privat se s’ka të paguajë. Pyeta një zonjë këtu që pastronte hotelin dhe i thashë: -“Zonjë, si është sistemi shëndetësor këtu?” – dhe ajo më tha: -“Ishte më mirë në kohën e Enver Hoxhës…” dhe i thashë, si kështu? Më tha, në atë kohë krerët e partisë iknin në Francë po i gjithë populli e kishte të barabartë. Tani, tha, unë s’kam lekë, po të sëmurem, do vdes.  Më erdhi keq për të.

Po OBAMACARE pse nuk u miratua nga Kongresi? Pse nuk bien dakord Republikanët?
Ka shumë teori. Partia Republikane do të mbajë sistemin që është sot dhe beson se po të ngrihen taksat, të paguajë populli, s’është në të mirën e kombit. Unë e kam filozofinë ndryshe. Si demokrat besoj që taksat të ngrihen një çikë. Unë bëj shumë para, mund të marrin çikë më shumë nga unë edhe t’i japin fukarenjve sigurim universal. Grindja nuk është për shkak të klasës së mesme por nëse zengjinët do paguajnë më shumë taksa apo nuk do paguajnë më shumë taksa. Unë besoj që ne që bëjmë para shumë, të paguajmë çikë më shumë, të jetojmë të tërë mirë sesa t’i mbaj vetë. Është një diferencë filozofike kjo gjë.

Kush janë zengjinët?
Në kombin tim janë ata 5% e sipër që bëjnë më shumë,

Ata 5% të paguajnë pak më shumë?
Po. Jo klasa e mesme, jo klasa e fukarenjve, por ne që bëjmë pjesë në radhët e 5% të paguajmë një çikë më shumë. Ligji është bërë. Gjykata Supreme e ka pranuar si ligj të vlefshëm dhe implementimi ka qenë i keq. Ka bërë ca gabime Partia Demokratike me implementimin e tij. Kriticizmi është me vend porse me kohë do ta bëjmë më mirë. Dëshira jonë është t’i japim sigurime popullit amerikan që nuk ka sigurime dhe besoj se atë ditë do e arrij në jetën time.

Kthehemi në Shqipëri. Kur folët me Kryeministrin, Ministrin, kolegët tuaj, çfarë diskutuat më së shumti, çfarë probleme kanë mjekët shqiptarë? Kanë shqetësim sistemin apo kanë mungesa të tjera më të rëndësishme sesa sistemi?
Ç’dëgjova unë nga kolegët e mi, sistemi nuk i ndihmon aq shumë. Nuk kanë në spitalin Nënë Tereza ato pajisjet që lipsen. Unë pashë që makina e Koboltit në Onkologji kishte 5 muaj pa punuar pse mungonte një gjë e vogël të kurdisesh. Mua nuk më duket një infrastrukturë e mirë. Duhet ta kurdisin infrastrukturën që kanë këta këtu dhe unë besoj… Ne amerikanët kemi një shprehje: Alkoolisti kur e kupton që është alkoolist, është dita e parë e shërimit të tij. Populli shqiptar kupton që, besoj, qeveria për herë të parë thotë “Kemi një problem”. Unë besoj që ta pranojmë që kemi problem, merr kohë, por do ta arrijmë qëllimin tonë ta kurdisim sistemin shqiptar.

Ju kishte bërë përshtypje një mjeke pediatre në takim?
Ka qenë një vajzë aq e ditur dhe pediatre që punonte në spital. Të gjithë ne flisnim për kompjuter, për teknologji të lartë dhe ajo u ngrit në këmbë edhe tha: “Mua më duhen batanije t’i mbaj fëmijët ngrohtë”, dhe foli me një trimëri e me një dituri për të sëmurët e saj dhe të them të vërtetën e përqafova pas mbledhjes dhe i thashë: “Ti je si mbretëreshat e vjetra të Shqipërisë, si Teuta”.

A mendoni se një mjek që ka studiuar jashtë dhe punon jashtë do të kthehet për projekte të veçanta apo të kthehet për të punuar në Shqipëri? Apo i duhen nxitje për këtë? Ju vetë do ta lini Amerikën e të vinit këtu?
Përpara se të vija këtu do thoja “Jo, nuk e lë Amerikën kurrë”. Kam parë një vobekllëk këtu për ata të sëmurët e spitalit atje që më ka bërë përshtypje të madhe në zemër për popullin tonë që vuan dhe njeriu duhet ta mendojë situatën mirë përpara se sa të thojë fjalën. Shumica e njerëzve që duan të vijnë, duan klinikat e tyre. Unë dua të shikoj një ditë që spitali Nënë Tereza të jetë spitali më i mirë në Tiranë, më i mirë se spitalet e klinikat private të cilat çdo shqiptar kërkon të vejë. Ajo do ishte ëndrra ime si një profesor dhe kirurg amerikan.

Si mund të realizohet kjo? Çfarë reformash duhet të kryhen që të arrihet ky objektiv?
Administrata e re që është atje ka identifikuar shumë probleme.  Kanë 7 dhoma, i duhen 3 që punojnë mirë. Kanë 7 që nuk punojnë mirë. Hiq 4 dhe mbaj 3. Zonja që është drejtoreshë e spitalit i di gjithë këto gjëra. Ka laboratorë, 9, 10… Duhet centralizim dhe duhet me kohë se Shqipëria s’ka para të bëjë një godinë të madhe dhe spitalet t’i bëjë një godinë qëndrore. Besoj se do ta bëjnë.

Po përsa i përket legjislacionit? Duhen ndryshuar edhe aty ligje? Ka një model që e ka marrë edhe Kryeministri, NHS i Britanisë së Madhe. Është i aplikueshëm ai në Shqipëri?
Absolutisht, unë besoj se është një ide e mirë. Unë besoj se mund të përfitojë populli shqiptar nga ajo gjë dhe besoj se ideja e kryeministrit është një ide e mirë porse fatkeqësisht notari nuk kuptohet kur futet në ujë, kuptohet kur del në anën tjetër dhe kjo do jetë një rrugë e gjatë për popullit shqiptar por unë besoj se populli shqiptar është një notar i mirë.

Sa e gjatë do jetë kjo rrugë?
Mund të jetë 10 vjet, 5 vjet.

Nga varet shpejtësia e notit?
Do ketë njerëz kundër këtij sistemi që përfitojnë vetë.

Si do ia bëhet presionit që mund të ketë, i cili mund të vijë edhe nga personalitete të mjekësisë?
Me kohë. Ca do dalin në pension, ca do shkojnë… Edhe rinia shqiptare mjekësore duhet të ngrihet vetë, të vijnë prapë në Shqipëri dhe të kërkojnë të drejtën e tyre. Shumica e doktorëve që kishin ardhur këtu nga diaspora donin të vinin prapë në Shqipëri por s’ka punë për ta edhe është një tragjedi sepse sistemi publik jep rrogë shumë doktorave. Ata në mëngjes janë në sistemin publik, në pasdite janë në sistemin privat dhe nuk duan njerëz të tjerë. Studentat e tyre nuk vijnë dot prapë. Edhe kjo do të bëhet, me kohë.

Gjithmonë ka patur presion që të ecnim pak më shpejt dhe këto reforma do kërkojnë me siguri vite por edhe vullnet, vullnet më shumë.
Unë jam idealist. Unë besoj fjalët e kryeministrit janë të vërteta. Unë besoj që ai do bëjë reforma ligjore dhe unë besoj se ai e ka dëshirën që në 5 vjet do t’ia arrijë këtij qëllimi. I tha një fjalë të mirë zotit Beqja kryeministri ,-“Këta janë këshilltarët e tu, vepro dhe në 5 vjet e dua të realizuar këtë gjë” .Është një ëndërr e bukur dhe shpresoj do ta qëllojë jo 100%. por mbase 70%, 60%.

Në Shqipëri ka numër të madh të rasteve me kancer. Ka shumë teori që mund të jetë ndotja e ambientit apo klima dhe mënyra si po sillemi me ambientin këto vite nuk ka ndikuar ndihmuar shumë. Si ka mundësi që mjekësia dhe avancimi i jashtëzakonshëm që ka bërë nuk ka arritur të gjejë një kurë për kancerin?
Sepse kanceri nuk është një gjë vetëm. Nuk kemi një kancer, por kemi kancerin e zorrës, e barkut, trurit, të gjirit… që nuk prodhohen nga të njëjtat gjëra. Kanceri i zorrës mund të jetë, çfarë ha njeriu, gjenetiku e njeriut, trashëgimia e njeriut. Kanceri i gjoksit, trashëgimia nga nëna. Kanceri i stomakut mund të jetë nga ç’ha njeriu. Në laboratorët tanë tani mundohemi të dallojmë avancimin e kancerit. S’e kemi gjetur akoma si ta ndalojmë përpara se sa të fillojë. Dhe për këtë punojmë ne dhe disa profesorë të tjerë, të gjejmë përpara se të vijë, por s’e kemi bërë dot. Unë besoj për 50 vjet, jo për një kohë të gjatë, do ta gjejmë edhe këtë. Në kombin tim ne i gjejmë shpejt kancerët, kemi mënyra parandaluese. Ju s’i keni këtu. Ato që dalin këtu janë të avancuara dhe siç pashë në spitalin Nënë Tereza, të shkretët do vdesin me ato kancere, shpejt.

Po shkruani gjithashtu një libër?
Unë kam shkruar dy libra shkencorë. Tani po shkruaj një libër mbi historinë mjekësore të presidentëve të Amerikës. Pse vdiqën dhe si.

Ka ngjashmëri nga një president tek tjetri?
Jo, janë ndryshe. Kemi patur 8 presidentë që kanë vdekur në zyrë. 4 janë vrarë në zyrë dhe 4 të tjerë kanë vdekur në zyrë. Ka plot teorira të tilla.

Ka ndonjë sëmundje që e kanë të përbashkët?
7 presidentët e parë kanë vdekur nga sëmundja e lisë (smallpox). Roosevelt vdiq nga një infarkt.

Po presidentët e mëvonshëm?
Po jetojnë më gjatë e më gjatë. Clintoni ka patur atakun e zemrës. Kenedi u vra në Dallas.

Kur del libri?
Për një vit.

Kur do të vini prapë në Shqipëri?
I premtova ministrit se do të vij brenda 6 muajve prapë të shikoj situatën këtu dhe të mësoj më shumë nga populli shqiptar.

Ne duam të na mësoni ne, jo të mësoni prej nesh.
Po mësojmë shoqi shoqin. Kush vjen me mendje për të kurdisur problemet është gabim. Çdo problem kurdiset nga brenda, me ndihmë nga jashtë po,  por nga brenda kurdiset.

Keni një urim për shqiptarët kudo ku janë, në Amerikë, në Shqipëri, në troje të tjera, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi.
Unë i uroj shqiptarëve të kenë fatmbarësi, të kenë punë, të kenë diturinë e tyre, t’u mësojnë fëmijëve të tyre shqip, t’u mësojnë historinë e kombit të tyre. Njeriu që nuk di vendin e vetë, nuk është komplet. Unë besoj sot në moshën 59 vjeç jam bërë komplet sepse di nga kanë ardhur prindërit e mi dhe di prejardhjen time dhe kuptoj shumë më mirë çfarë njeriu jam unë.

Po si bëhet kjo? Duke mësuar, duke u edukuar?
Nga prindërit, prindërit. Prindërit e kanë përgjegjësinë. Ne s’kishim shkolla shqiptare. Shkolla shqiptare qe kuzhina e babait tim, abetare e babait tim, librat që siç të thashë, nga Enver Hoxha deri te Faik Konica i kemi kënduar, duhet të këndosh çdo gjë në gjuhën tënde. Tani jeni me fat, keni shkrimtar Ismail Kadarenë që mund të këndoni, ne s;i kishim atëherë.

Ju duket aktual Konica edhe në ditët e sotme?
Është fantastik.

Si shpjegohet kjo? Ose nuk kemi ndryshuar ne ose Konica është një gjeni që i ka gjetur të gjitha.
Tamam, ai është gjeni. Ka qenë njeri që e ka parë kombin e tij, njerëzit e tij…. Shumë i zhvilluar, shumë i zhvilluar. Një respekt të madh për të.

Ka një tjetër teori këtu në Shqipëri që njerëzit e mirë, këta gjenitë, nuk i mbajmë brenda nesh. S’i duam fare kur i kemi brenda, i shajmë, jemi kritikë, kur ikin jashtë themi ndonjë fjalë të mirë dhe po s’erdhën në Shqipëri janë shumë më të mirë akoma. Pse e kemi këtë?
Shqiptari është i zgjuar dhe pak i djallëzuar.

Dhe i zgjuar dhe i djallëzuar. Ky është kombinim i rrezikshëm…
Po është e vërtetë, është kombinim i rrezikshëm, porse me kohë do na cilësojnë si një komb të madh, shpresoj unë.

Related Posts: