Pse Ukraina u largua nga BE-ja dhe përqafoi Rusinë - ELIZABETH PIPER, Reuters

Gjeopolitika
Hap pas hapi në prapaskenat e ngjarjeve dramatike nga afrimi historik i Ukrainës me Europën deri te pika e kthesës drejt krahëve të Rusisë, e cila hapi qesen për ta shpëtuar nga falimenti

ELIZABETH PIPER, Reuters


Më 4 shtator, Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç, thirri një takim me partinë e vet politike për herë të parë në tre vjet, duke i mbledhur anëtarët në një kinema të vjetër të epokës sovjetike të quajturZornyany në Kiev.
Për tri orë Janukoviç u tall dhe sfidoi çdokënd që kërkoi që Ukraina të kishte lidhje më të ngushta me Rusinë. Një grusht deputetësh nga partia e tij e rajoneve u ankua se biznesi i tyre në Ukrainën rusisht-folëse të lindjes do të vuajë nëse Janukoviç nuk bie dakord për lidhje më të ngushta me Rusinë. Kjo bëri që ai të shpërthente.
“Harrojeni këtë punë… përgjithmonë!”, bërtiti ai, sipas njerëzve që morën pjesë në takim. Në vend të Rusisë, Presidenti argumentoi pro marrëveshjes për të thelluar bashkëpunimin dhe tregtinë me Bashkimin Europian.
Disa deputetë iu lutën të ndryshojë mendim, njerëzit që morën pjesë i thanë Reuters. Biznesmenët paralajmëruan se një marrëveshje me BE-në do të provokojë Rusinë – ish-padronin e Ukrainës në kohën sovjetike – në një bllokadë të ashpër ekonomike mbi mallrat e Ukrainës. Janukoviç nuk u lëkund.

“Ne do të ndjekim integrimin me Europën”, tha ai, sipas tre njerëzve që morën pjesë në takim. Ai dukej i vendosur deri në vdekje për të parë nga Perëndimi.
Më pak se tre muaj më vonë, Janukoviç hodhi poshtë BE-në dhe përqafoi Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke goditur një marrëveshje më 17 dhjetor për shpëtimin e vendit të tij nga falimenti. Rusia do të investojë 15 miliardë dollarë në borxhin e qeverisë së Ukrainës dhe do të reduktojë me një të tretën çmimin me të cilin Naftogaz, kompania kombëtare e energjisë së Ukrainës, blen gazin e Rusisë.
Nuk është e qartë se për çfarë ra dakord Janukoviç për të dhënë në këmbim te Rusia, por dy burime pranë tij thanë se ai mund të ketë dorëzuar një pjesë të kontrollit mbi rrjetin e gazsjellësve të Ukrainës.
Por çfarë e shkaktoi kthesën 180 gradë të udhëheqësisë së një vendi me 46 milionë banorë që gjendet në një pozicion strategjik mes BE-së dhe Rusisë?
Goditje publike dhe private nga Putin, përfshirë kërcënimin ndaj ekonomisë së Ukrainës dhe të ardhmes politike të Janukoviç patën një rol të rëndësishëm. Por mungesa e dëshirës së BE-së dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për të qenë fleksibël në kërkesat e tyre për Ukrainën patën gjithashtu një efekt, pasi i bëri ato partnerë jo shumë joshës.
Mes gjithë kësaj lufte ndërkombëtare, antipatia personale e Janukoviç ndaj rivales politike të burgosur, Julia Timoshenko, qe një faktor, së paku sipas Volodimir Olijnik, një aleat i Janukoviç dhe anëtar i rëndësishëm i partisë në qeveri. BE-ja akuzoi Ukrainën se po e trajtonte Timoshenkon në mënyrë të padrejtë – duke e mërzitur Janukoviçin, sipas mbështetësve të tij dhe njërit prej avokatëve të saj.
Rezultati është se Janukoviç, 63 vjeç, e ka ndarë partinë dhe vendin e tij. Disa zyrtarë të lartë të partisë e kanë braktisur. Ai shpreson të rizgjidhet më 2015 – por nëse do të ketë votime të lira dhe të ndershme – kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Qindra mijëra protestues kanë dalë në rrugë, duke kërkuar që ai të japë dorëheqjen dhe vendi të niset drejt marrëdhënieve më të ngushta me BE-në. Janukoviç, i cili ka qenë gjithnjë e më i shkëputur nga realiteti në rezidencën e tij në periferi të Kievit, duket i largët tashmë edhe për disa nga miqtë e tij më të vjetër. Ai refuzoi kërkesat për komente.
Ego krenare
I ngritur nga rrënjë modeste, Janukoviç pëlqen të trajtohet me respekt dhe si i barabartë, një karakteristikë që jep shumë informacion mbi ngurrimin e tij për t’u futur në bashkimin doganor të ish-shteteve sovjetike që Putin po kërkon të krijojë.
Kolegët e përshkruajnë atë si udhëheqësi trupmadh dhe një politikan me intuitë që nuk bindet kurrë nga të qenët i udhëhequr. Ina Bohoslovska, një anëtare e partisë së Janukoviç deri muajin e kaluar, tha se Janukoviç e bëri të qartë në takimin e kinemasë se ai nuk pëlqen që Rusia ta trajtojë Ukrainën si një vend të dorës së dytë.
“Ai na tha ne se Rusia nuk qe e përshtatshme për bisedime, Rusia nuk e konsideron Ukrainën si një partner i barabartë, se ajo është përpjekur të na detyrojë ne që të punojmë sipas rregullave të saj, se Rusia nuk vepron në interesin më të mirë të Ukrainës në asnjë negociatë dhe rrjedhimisht as që mund të flitet për të pasur bisedime me Rusinë”, tha ajo.
Janukoviç ndiente se po trajtohej më mirë nga zyrtarët e BE-së, thanë dy anëtarë të partisë, pavarësisht se e kishte të vështirë të kuptonte kompleksitetin e burokracisë së BE-së. Me rrënjë nga lindja industriale e Ukrainës, Janukoviç dukej gjithashtu njeriu perfekt për të bindur rajonet lindore pro-Ruse të Ukrainës që të mirëkuptonin krijimin e lidhjeve më të ngushta me Europën.
“Që një President nga Lindja ta afronte Ukrainën me Europën, kjo qe kombinimi ideal për ne. Ne ishim të gatshëm të bënim gjithçka”, tha David Zhvanija, një ish-anëtar i Partisë së rajoneve që ndihmoi përpjekjet për ta përgatitur Ukrainën për bashkëpunim më të thellë me BE-në.
Tashmë thellësisht i zhgënjyer, Zvanija ndihet i  mashtruar nga Janukoviç: “Ai na e bëri me hile të gjithëve… ajo qe tërësisht një gënjeshtër”. Ai akuzon Janukoviçin se po vepron si një car.
Të tjerë thonë se dëshira e Janukoviç për të farkëtuar lidhjet më të ngushta me BE-në qe e sinqertë, por ai u zhgënjye kur ndjeu se BE nuk arriti të kuptojë përmasat e vështirësive financiare me të cilat ai do të përballej në rast se zgjidhte Brukselin në vend të Moskës.
Janukoviç vlerësonte se kishte nevojë për 160 miliardë dollarë përgjatë tre viteve për të zëvendësuar humbjet që Ukraina do të kishte nga tregtia e prishur me Rusinë dhe për të ndihmuar në zbutjen e dhimbjeve që do të shkaktoheshin nga reformat e kërkuara nga BE. BE-ja refuzoi të japë një shumë të tillë, për të cilën tha se qe e ekzagjeruar dhe e pajustifikueshme.
BE-ja ofroi 610 milionë euro menjëherë. Zyrtarët e BE-së thanë se rritja e tregtisë, e kombinuar me programe të ndryshme financimi ndihmash, mund të mjaftojnë për t’i siguruar Kievit investimet që ka nevojë.
Një burim nga BE tha se Ukraina mund të qe në linjë për të marrë së paku 19 miliardë euro kredi dhe grante nga BE përgjatë shtatë viteve të ardhshme në rast se do të nënshkruante marrëveshjen e tregtisë dhe bashkëpunimit dhe një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Por kjo shumë nuk u përmend para zyrtarëve të Ukrainës gjatë bisedimeve, tha burimi.
Për Ukrainën, kishte pak shpresa për të marrë para nga BE, e cila sakaq po vuan për të ndihmuar anëtarët e vet me borxhe. Pra nuk kishte shanse të arsyeshme për të besuar për një marrëveshje më të mirë sesa oferta fillestare.
Olijnik, i cili është përfaqësuesi i përhershëm i Ukrainës në NATO, dhe shumë të tjerë, u zemëruan. Ai i tha Reuters se kur Ukraina iu drejtua zyrtarëve të Europës për ndihma, ata “na pështynë”.
Vitin e ardhshëm Ukraina do të duhet të mbulojë pagesa borxhesh me vlerë 8 miliardë dollarë, sipas Ministrisë së vet të Financave. Vendi po luhatej në limitet e falimentit, pjesërisht për shkak se Moska po bllokonte shitjet e mishit të prodhuar në Ukrainë, djathit e disa produkteve të tjera, si dhe pati ulur kuotat e tregtisë pa tarifë mbi tubat e çelikut.
Disa zyrtarë thanë se kufizimet treguan se si mund të qe jeta në rast se Ukraina nënshkruante marrëveshjen me BE-në.
Shpresa tjetër e Janukoviç qe FMN-ja. Ajo e shpëtoi Ukrainën gjatë fillimit të krizës financiare botërore me një kredi prej 16.5 miliardë dollarësh më 2008, kur Timoshenko qe Kryeministre. FMN-ja miratoi gjithashtu një program me vlerë prej 15.5 miliardë dollarësh për qeverinë e Janukoviç më 2010 dhe disbursoi 3.5 miliardë para se ta pezullonte kredinë më 2011 për shkak se Ukraina nuk plotësoi kushtet. Një vit më vonë, programi skadoi.
FMN-ja, njësoj si BE-ja, nuk kishte dëshirë të jepte kredi të këtyre përmasave që Janukoviçi kërkonte për programin e ri. Në një letër më 20 nëntor, ajo i tha Ukrainës se nuk do t’i zbusë kushtet për një kredi të re dhe se do të ofronte vetëm 5 miliardë, tha Olijnik. Dhe Kievi duhej të paguante mbrapsht pothuajse të njëjtën shumë vitin pasardhës, si pjesë e ripagesave të kredisë së mëparshme me vlerë 16.5 miliardë dollarë.
FMN refuzoi të komentojë. Sipas statistikave të saj, Kievi duhet të paguajë 3.7 miliardë dollarë vitin e ardhshëm. “Ne nuk mundëm t’i mbanim emocionet tona, kjo qe një situatë e papranueshme”, tha Olijnik.
Janukoviçi qe shumë i zemëruar, thonë anëtarët e partisë. Ai besonte se FMN ka injoruar atë që ne e shihnim si kërkesa të arsyeshme për t’u ngritur nga kushtet e vështira të paketave të mëparshme të ndihmave. FMN pati kërkuar rritjen e moshës së daljes në pension dhe ngrirjen e pensioneve e pagave. Më e keqja qe që FMN po kërkonte të ripaguhej një kredi që qe negociuar nga kryearmikja e tij, Timoshenko.
Drejtësia në gjyq
Pavarësisht reputacionit të tij si një njeri i ashpër – ai qe dërguar në një burg sovjetik dy herë për vjedhje dhe agresion kur qe i ri – Janukoviç pati një pikë veçanërisht të dobët: udhëheqësja e burgosur e opozitës Timoshenko. Ai njëkohësisht e urren dhe e ka frikë atë, sipas ndihmësve dhe diplomatëve.
E famshme për flokët e saj bionde të ngrira, Timoshenko qe një nga udhëheqëset e revolucionit të Portokallinjtë të vitit 2004, i cili mposhti përpjekjen e parë të Janukoviç për t’u bërë President. Ajo shërbeu si Kryeministre më 2005 dhe në vitet 2007-2010. Por armiqësia e tyre u thellua kur një plan për të krijuar një koalicion kundër armikut të përbashkët dështoi më 2009.
Timoshenko, e cila ka thënë se dëshiron ta “vrasë” Janukoviç mbi kthesën e tij politike, u burgos më 2011 për abuzim me pushtetin pas një gjyqi që për qeveritë e Perëndimit qe gjyq politik. Shumica e ukrainasve besojnë se ajo duhet të lirohet, megjithëse shumë ngrenë pyetje për mënyrën se si ajo krijoi pasurinë e saj të stërmadhe.
Për BE-në, rasti i Timoshenkos përbën një standard të papranueshëm drejtësie. Si pjesë e paktit të tregtisë, BE-ja kërkoi që Ukraina të lirojë Timoshenkon, ose, siç sugjeruan disa zyrtarë, të premtojë lirimin e saj.
Janukoviçi dhe mbështetësit e tij rezistuan. “Ne patëm bërë shumicën e gjërave në listë për të marrë marrëveshjen e asocimit me BE-në, por qe një pyetje mbi çështjen e Timoshenkos… Ne besojmë se ajo është fajtore… dhe mes njerëzve që mendojnë se ajo është fajtore, 80 për qind janë votues tanët”, tha Olijnik, duke treguar një dokument mbi dhjetëra përpjekje që mendohet se Timoshenko ka bërë kundër Janukoviçit.
Timoshenko nuk ka pranuar kurrë ligjshmërinë e tij si President dhe refuzon të kërkojë ndjesë në mënyrë që ai ta falë atë, tha ai.
Serhij Vlasenko, një avokat i Timoshenkos, thotë se klientja e tij qe një faktor në vendimin e Janukoviç për të mos pranuar marrëveshjen me BE-në: “Ai (Janukoviç) ka dhjetëra arsye për të mos firmosur, dhe megjithatë, një nga arsyet është se ai nuk dëshiron të njohë Timoshenkon si kundërshtarja kryesore politike e tij dhe nuk dëshiron ta shohë atë të lirë, sepse është e vetmja politikane që mund ta mposhtë”.
Janukoviç u ofendua gjithashtu kur zbuloi se Kiev nuk do të ketë një perspektivë të qartë për anëtarësim të plotë me BE-në. Ai ndjeu se Ukraina po trajtohej si një vend më pak i rëndësishëm sesa Polonia fqinje.
“Shumë qytetarë e kanë kuptuar gabim integrimin europian. Nuk bëhet fjalë për anëtarësim, me duket se nuk jemi Polonia, ne duket se nuk jemi në nivelin e Polonisë… ata me të vërtetë nuk po na pranojnë ne, do të na duhet të qëndrojmë në derë. Ne jemi të këndshëm, por nuk jemi polakë”, tha Olijnik.
Polonia u bë anëtare me të drejta të plota në BE më 2004. Shefi i zgjerimit të BE-së, Stefan Fyle, (Fuele) sugjeroi se pas kthesës së Janukoviç ndoshta Brukseli duhej t’i ofronte Ukrainën anëtarësim në një farë pike.
Mes zemërimit, zyrtarë të lartë, përfshirë Kryeministrin Mykola Azarov, ndryshuan qëndrim. Në shtator, pikërisht pasi qeveria e tij miratoi firmosjen e paktit me BE-në, Azarov dha një panoramë të shkëlqyer të Ukrainës në Europë. “Ne të gjithë duam ajër dhe ujë të pastër, ushqim të sigurt, arsim të mirë për fëmijët tanë, shërbime mjekësore moderne, përfaqësim të besueshëm ligjor etj. Të gjitha këto nuk janë terma abstraktë, por norma dhe rregulla që sakaq janë në fuqi në BE dhe për të cilat ne kemi nevojë në Ukrainë”, tha ai.
Por më 21 nëntor, Azarov pezulloi bisedimet me BE-në në interes të “sigurisë kombëtare” dhe urdhëroi një rigjallërim të “dialogut aktiv” me Moskën.
Negociatorët e BE-së nuk kishin më kohë për të rinegociuar para takimit në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnus, shtatë ditë më vonë, kur Janukoviç pritej të firmoste marrëveshjen me BE-në. Ai nuk firmosi.
Javën e kaluar, Azarov qe në rrugët e Kievit për të shpjeguar ndryshimin e drejtimit para mbështetësve të Janukoviç. “Të ashtuquajturit udhëheqës na thonë përralla mbi mënyrën se si, sapo ne të firmosim, do të jemi në gjendje të udhëtojmë në Europë pa viza. Nuk ka asgjë të tillë. Për të arritur këtu ne duhet të plotësojmë një seri të madhe kushtesh”, tha ai.
Çmim i rëndë
Janukoviç e dinte se do të kishte kosto, çfarëdolloj rruge të ndiqte. Nëse sfidonte Putinin do të kishte dëme ekonomike; nëse sfidonte BE-në do të kishte dëme politike.
Analistët thonë se Janukoviç do të rezistojë sa më shumë të jetë e mundur ndaj nënshkrimit të bashkimit doganor të Putinit; por perspektiva që Ukraina mund ta bëjë diçka të tillë sakaq ka shkaktuar protesta masive në Kiev, duke i kërkuar atij të japë dorëheqjen. Kjo gjë ka ndarë edhe rrethin e tij të ngushtë.
Janukoviç është bërë gjithnjë e më i izoluar, duke kaluar më shumë kohë në pronën e tij në Mezhihirija, 16 kilometra në veri të Kievit, ku gjendet një liqen dhe një pyll ku ai pëlqen të gjuajë. Aty ai është i mbrojtur nga një forcë e madhe policore, të cilët jetojnë hyrjen vetëm të familjarëve dhe të ndihmësve të tij më të afërt.
Bohoslovska, e cila u largua nga partia e Janukoviç muajin e kaluar pas katër vjetësh anëtarësie, thotë se disa nga miqtë e tij më të vjetër, udhëheqës biznesi e këshilltarë nuk ndihen më të gatshëm për t’i thënë atij të vërtetën.
“Miqtë e tij të ngushtë, të cilët e kanë njohur përgjatë të gjithë jetës dhe me të cilët unë kam folur, thonë se kur i thonë atij të vërtetën, ai nuk u flet më atyre për shumë muaj”, tha ajo për Reuters. “Në vitet e fundit, Janukoviç krijoi një sistem përreth vetes nga ku nuk dëgjon atë që nuk i pëlqen të dëgjojë”.
Në të njëjtën kohë, dy këshilltarë me lidhje të ngushta me Moskën, janë rritur në ndikimin e tyre. Andrij Klujev, sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe Viktor Medvedçuk, i cili nuk ka rol formal në qeveri, cilësohen si emisarët e Putinit nga udhëheqësit e opozitës, por edhe nga aleatët e Janukoviç.
Që të dy kanë interesa biznesi në Rusi. Klujev ka organizuar blerjen nga rusët të Prominvestbank, një bankë private në Ukrainë dhe Putini është kumbari i fëmijëve të tij, thonë burime nga këta dy burra. Që të dy e ndihmuan Janukoviçin më 2004 dhe 2010 në fushatë elektorale.
“Klujev është agjent i drejtpërdrejtë i ndikimit të Putinit në Ukrainë. Ai është një mik i ngushtë me Medvedçuk, familja e të cilit ka lidhje me Putinin”, thotë Bohoslovska.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se udhëheqësi rus dhe Medvedçuk “e njohin njëri-tjetrin mirë” dhe se kanë “marrëdhënie shumë të mira”, por refuzoi të komentojë nëse Meddvedçuk dhe Klujev janë avokatë të interesave të Putinit në Ukrainë.
Burime pranë Klujev dhe Medvedçuk thanë se ata janë të angazhuar në mbrojtjen e interesave të Ukrainës. Është e artë se këshilltarët më liberalë të Janukoviç janë më të dobët tani sesa para protestës, madje ndoshta edhe në distancë larg tij. Shefi i stafit të tij, Serhij Liovoçkin, ofroi dorëheqjen më 30 nëntor, pas dhunës kundër protestuesve, por Janukoviç e refuzoi kërkesën. Liovçkin refuzoi të komentojë.
Dy anëtarë të lartë të Partisë së Rajoneve janë larguar sakaq; dhe dhjetëra të tjerë mbeten anëtarë vetëm për shkak të frikës se biznesi i tyre do të sulmohet në rast se ata nuk e mbështesin Janukoviçin, sipas një biznesmeni që kërkoi të mos citohet me emër.
Për Janukoviç, është një punë balancimi shumë e vështirë. Shpresa e tij më e mirë mund të jetë portretizimi i kthesës së tij të papritur si një kryevepër strategjike në bisedime – duke i rikthyer zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së në tryezën e bisedimeve dhe duke i detyruar të rimendohen për atë që mund të ofrojnë.
“Ukraina është në një kryqëzim dhe ka një dilemë të stërmadhe këtu. Ne mund të shkojmë në drejtim të Rusisë dhe të hamë një grusht. Ne mund të shkojmë rrugën tjetër, në Europë dhe të hamë një grusht. Ne mund të qëndrojmë në vend dhe të hamë gjithashtu një grusht”, thotë Olijnik, duke vizatuar një diagram në bllokun e shënimeve.
“Por do të na dhembë më pak në këtë rrugë”, tha ai duke bërë me shenjë nga drejtimi i Europës.