Një gjykatës urdhëron marrjen e saj në pyetje për miliona euro fonde publike të humbura
Një gjykatës në Spanjë thirri në gjyq vajzën e mbretit Huan Karlos (Juan Carlos) për të dhënë llogari për akuzat për mashtrim dhe pastrim parash. Infanta Kristina (Cristina), 48 vjeç, është lidhur me bizneset e bashkëshortit të saj, Inaki Urdangarin, i cili akuzohet për përvetësim.
Princesha tashmë është formalisht e dyshuar dhe duhet të dalë në gjyq më 8 mars. Besohet se kjo është hera e parë që një anëtar i familjes mbretërore do të dalë në gjyq nën akuzë për vepra penale.
Gjykatësi i Palma de Majorkës, Hoze Kastro (Jose Castro) urdhëroi princeshën të japë llogari për partneritetin e saj me Urdangarin në një firmë të quajtur Aizoon.
Vitin e kaluar, pronat që i përkisnin bashkëshortit të saj u kontrolluan pas akuzave se Urdangarin, duka e Palmës, keqpërdori miliona euro fonde publike që i ishin dhënë një fondacioni bamirës të drejtuar prej tij.
Duka i mohoi akuzat dhe nuk ndaj tij nuk është ngritur asnjë padi. Një nga pronat e kontrolluara ishte një shtëpi luksoze pranë Barcelonës që i përket dukës dhe princeshës Kristina. Ajo është fëmija e dytë e mbretit, ka një motër më të madhe dhe një vëlla më të vogël, princin e Kurorës Felipe.
Gjykatësi e lëshoi urdhrin për thirrje pavarësisht kundërshtimeve të prokurorit antikorrupsion të ishullit balearik, i cili tha se nuk shihte ndonjë lidhje mes princeshës dhe aludimeve për keqpërdorime të bashkëshortit. Kur gjykatësi Kastro u përpoq fillimisht të thërriste princeshën prillin e kaluar, urdhri i tij u bllokua nga gjykata e provincës në Palma de Majorka.
Në atë rast, ajo do të merrej në pyetje mbi organizatën jofitimprurëse Noos, të cilën e drejtonte bashkëshorti. Fondacioni bamirës pati marrë miliona euro fonde publike, të cilat thuhej se ishin zhdukur.
Thirrja e re për në gjykatë lidhet me Aizoon, një kompani për të cilën hetuesit dyshojnë se shërbeu si mjet për pastrimin e fondeve të përvetësuara.
Ngjarjet dyshohet se kanë ndodhur mes viteve 2004 dhe 2006 kur duka dha dorëheqjen si kreu i Noos. Sipas gazetës El Pais, gjykatësi Kastro e thirri princeshën për të dëshmuar për dy arsye: për të sqaruar disa pyetje mbi rolin e saj në çështje dhe për të garantuar parimin se “drejtësia është e barabartë për të gjithë”.
Duke iu përgjigjur njoftimit, familja mbretërore tha se kishte “respekt maksimal për vendimet e drejtësisë”. Lajmi se princesha tashmë është formalisht e dyshuar vjen ndërkohë që popullariteti i mbretit 76-vjeçar ka rënë ndjeshëm. Ai u kritikua më 2012-n për një udhëtim luksi në gjueti elefantësh në Afrikë.
Të hënën ai drejtoi një paradë ushtarake në territorin e pallatit mbretëror në Madrid, pasi i ishte nënshtruar së fundmi një ndërhyrjeje kirurgjikale. Një sondazh sugjeron se 62 për qind e spanjollëve dëshirojnë që ai të abdikojë dhe më pak se gjysma e mbështesin monarkinë në përgjithësi.
Gjithsesi, një pjesë e madhe e popullsisë vlerësoi se princi Felipe mund të rikthejë prestigjin e familjes. Huan Karlos u bë mbret më 1975-n, kur pa transformimin e vendit nga një diktaturë ushtarake në demokraci.





