Përse besojmë në ndihmat për të varfrit dhe në zhdukjen e varfërisë

Bill dhe Melinda Gejts, dy kryesuesit e fondacionit të fuqishëm të gjigantit të Microsoft, rrëfejnë kuptimin e tyre për varfërinë dhe ndihmat e huaja
Letra
BILL dhe MELINDA Gejts

Për nga çdo parametër, bota është sot më mirë se çdo herë tjetër. Varfëria ekstreme është përgjysmuar 25 vitet e fundit, vdekjet e fëmijëve janë ulur dhe shumë shtete që janë varur prej kohësh nga ndihmat e jashtme, tani janë në gjendje t’ia dalin vetë.
Por përse shumë njerëz mendojnë se gjërat po bëhen më keq? Arsyeja kryesore është se shumë njerëz kanë ngecur mendërisht në tri mitet që po dëmtojnë imazhin e varfërisë dhe zhvillimit global.

Tri mite mbi varfërinë në botë

Miti një: Vendet qëndrojnë përgjithmonë të varfra.

Nuk ndodh kështu në botën e vërtetë. Të ardhurat dhe mirëqenia njerëzore po rritet pothuajse kudo, përfshirë edhe Afrikën. Qyteti i Meksikos, për shembull, në vitin 1987 kur ne e vizituam për herë të parë, kishte një mungesë të theksuar të ujit të pijshëm nëpër shtëpi dhe shumë njerëz bënin rrugë të gjatë me kazanë ndër duar për të siguruar ujë. Na kujton Afrikën rurale. Drejtuesi i Microsoft-it në qytetin e Meksikos i sillte fëmijët në SHBA për t’u bërë kontrolle të shpeshta nga frika se mos smogu i kishte sëmurë. Sot ky qytet ka ndërtesa shumëkatëshe, ajër të pastër, rrugë të reja dhe ura moderne. I njëjti transformim mund të thuhet edhe për Najrobin, Nju Delhin, Shangain dhe shumë qytete të tjera nëpër botë. Që nga viti 1960, të ardhurat për frymë në Kinë janë tetëfishuar, ndërsa në Indi dhe Brazil janë katërfishuar. Klasa e shtresës së mesme që mezi ekzistonte 50 vite më parë, tani përbën rreth 50 për qind të popullatës botore. Sipas parashikimeve tona (të Bill dhe Melinda Gejts) (Gates), në vitin 2035 nuk do të ketë më vende të varfra në botë.

Miti dy: Ndihma e huaj është një humbje e madhe.

Në fakt, është një investim fenomenal. Ndihma që u jepet shteteve të huaja nuk shpëton vetëm jetë, por gjithashtu shtron rrugën për progres afatgjatë ekonomik. Shumë njerëz mendojnë se ndihma e huaj është një pjesë e madhe e buxhetit të shteteve të pasura. Shumica mendojnë se shifra e buxhetit që shkon jashtë shtetit është rreth 25 për qind, por në fakt është vetëm 1 për qind. SHBA-ja shpenzon 60 herë më tepër për ushtrinë sesa për ndihmën e huaj. Një nga ankesat më të mëdha për ndihmën e dhënë shteteve të tjera është fakti se shumica e saj shpenzohet nga qeveritarët e korruptuar. Fenomeni haset, por pjesa që korrupsioni merr është shumë më e vogël nga sa mendohet, zë 2 për qind të ndihmës që kërkon të shpëtojë jetë. Një ankim tjetër ka të bëjë me faktin se ndihma e huaj e mban vendin që e pranon, të varur nga bujaria e shteteve të fuqishme. Këtu bëhet fjalë për rastet më të vështira, për shtetet që e kanë të vështirë të jenë të pavarura dhe të mbështeten vetëm në forcat e tyre. Ja një listë e shteteve që dikur ndihmoheshin shumë, ndërsa tani nuk kanë më nevojë për ndihma nga jashtë: Brazili, Meksika, Kili, Kosta Rika, Peruja, Tailanda, Maroku, Singapori dhe Malajzia.

Miti tre: Shpëtimi i jetëve sjell mbipopullim.

Po të kthehemi në vitin 1798 te Tomas Maltus, kur njerëzit shqetësoheshin se nuk do të mjaftonte ushqimi nëse do të rritej popullsia, në ditët e sotme ky është një shqetësim i pavend. Mbiushqyerja është tri herë më problematike sesa mungesa e ushqimit në botën e sotme. T’i lësh të tjerët të vdesin nga uria, prej egoizmit që të ruash ushqimin tënd, kjo është diçka e pashpirt që sot nuk ndodh. Shtetet që kanë shumë vdekje janë sot mes popullatave që po rriten më shpejt në botë. Kjo, për shkak se femrat në këto shtete priren të bëjnë më shumë fëmijë. Shumë njerëz, veçanërisht liderë politikë, duhet ta dinë se cilat janë keqkuptimet që vijnë prej këtyre miteve. Në fakt, nëse sheh me vëmendje çështjen, qoftë si individ, qoftë si qeveri, kontributet për rritjen e shëndetit ndërkombëtar ofrojnë një pikë të madhe kthese. Ne kemi shansin të krijojmë një botë ku varfëria ekstreme është përjashtimi dhe jo rregulli.