Ngjarjet kryesore ndërkombëtare të 2013-s


 Zgjedhja e papës së parë latino-amerikan pas dorëheqjes së Benediktit XVI si dhe konflikti në Siri dhe vdekja e Nelson Mandelës ishin ngjarjet që dominuan vitin 2013.

JANAR

- 11: MALI – Franca ndërhyn në Mali (operacioni Serval) për të ndaluar përparimin e islamikëve të armatosur dhe për të mbështetur trupat ushtarake të Malit.
- 16-19: ALGJERI – Një komando islamike sulmon një kompani gazi pranë In Amenas (1 300 kilometra në juglindje të Algjerit) dhe mban peng disa punonjës. Ushtria sulmon: 38 të huaj dhe një algjerian humbin jetën.

MARS

- 5 : VENEZUELA – Vdes nga sëmundja e kancerit presidenti i Venezuelës Hugo Chavez, aleati kryesor i Kubës, pas 14 vjet qeverisjeje totalitare të shtetit. Nicolas Maduro zë vendin e tij.
- 13: VATIKAN – Jorge Mario Bergoglio, prift argjentinas, bëhet Papa i parë latino-amerikan me emrin Françesk. Zgjedhja e tij vjen pas dorëheqjes së papritur në shkurt të papa Benediktit XVI, për herë të parë në historinë e katolicizmit modern.

PRILL

- 15: SHBA – Maratona e Bostonit përgjaket nga një atentat i dyfishtë (tre të vdekur dhe 264 të plagosur). Pas një operacioni të gjatë kërkimi, dy vëllezërit me origjinë çeçene u identifikuan. Tamerlan Tsarnaïev vdiq, Djokhar u arrestua.

- 24: BANGLADESH – Shembja e ndërtesës në Rana Plaza ku ndodheshin disa punishte konfeksionesh në periferi të Dakas shkaktoi 1 135 të vdekur.



- 30: HOLANDË – Mbretëresha Beatrix heq dorë nga froni në favor të të birit Willem-Alexander, pas 33 vjet mbretërimi.



- 15: IRAN – Lideri fetar Hassan Rohani fiton zgjedhjet presidenciale që në turin e parë, duke shënuar kthimin e reformatorëve në pushtet.



KORRIK



- 3: EGJIPT – Ushtria përmbys islamikun Mohamed Morsi, presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, pas një vit qëndrimi në pushtet i karakterizuar nga kriza ndonjëherë vdekjeprurëse. Mbi një mijë përkrahës të Morsit janë vrarë që prej shtypjes së grevës së më tepër se 2 000 të burgosurve, shumica e të cilëve drejtues të Vëllezërve myslimanë.



- 21: BELGJIKË – Pas 20 vjetësh në fron, mbreti Albert II largohet duke ia lënë vendin djalit të tij të madh Philippe.



- 22: GB – Kate Middleton, bashkëshortja e princit William, lind fëmijën e parë, George Alexander Louis, i treti në radhën e trashëgimisë.



- 24: SPANJË – Një tren del nga shinat pasi ecte me 179 kilometra në orë në një kthesë ku shpejtësia e lejuar ishte 80 kilometra/orë, pranë Saint-Jacques-de-Compostelle (në veriperëndim), duke shkaktuar 79 të vdekur dhe rreth 180 të plagosur. Makinisti akuzohet për vrasje nga pakujdesia.



GUSHT



- 1: RUSI/SHBA – Edward Snowden, ish-këshillues për Agjencinë amerikane të zbulimit (NSA), objekt i një mandatarresti dhe i akuzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për spiunazh, fiton të drejtën e azilit për një vit në Rusi. Snowden është autori i publikimit të mesazheve të shumta të përgjimeve të kryera nga NSA në të gjithë botën.



- 21: SIRI – Ndërkohë që konflikti vazhdon që prej marsit 2011 (më tepër se 126 000 të vdekur sipas një OJF-je siriane), regjimi akuzohet për një sulm të përgjakshëm kimik pranë Damaskut. Në shtator, një marrëveshje ruso-amerikane për shkatërrimin e arsenalit kimik sirian deri në mes të vitit 2014 përjashton në minutën e fundit kërcënimin për një goditje ajrore amerikane.



SHTATOR



- 21: KENIA/SOMALI – Një komando islamike sulmon qendrën tregtare Westgate në Najrobi duke vrarë 67 persona dhe më tej asgjësohet pas 80 orë rrethimi.



- 22: GJERMANI – Kancelarja Angela Merkel merr një mandat të tretë në krye të qeverisë pas fitores së konservatorëve në zgjedhjet legjislative. Më 27 nëntor, ajo arriti një marrëveshje koalicioni me partinë socialdemokrate (SPD).



TETOR



- 3: ITALI – Një anije e ngarkuar me më tepër se 500 emigrantë, shumica nga Eritreja, merr zjarr dhe mbytet në afërsi të ishullit të Lampeduzës, në jug të Siçilisë, duke shkaktuar të paktën 366 të vdekur, tragjedia më e rëndë e emigracionit në Mesdhe.



- 16: SHBA – Kongresi amerikan miraton në minutën e fundit një kompromis buxhetor të përkohshëm që i jep fund 16 ditëve të një paralize të shtetit (shutdown).

NËNTOR



- 8: FILIPINE – Haiyan, një nga uraganet më të fuqishme që kanë goditur ndonjëherë tokën, me erëra që i kalojnë 300 km/orë, shkatërron dhjetëra qytete në qendër të arkipelagut dhe shkakton më tepër se 5 200 të vdekur dhe 1 600 të zhdukur.



- 21: UKRAINË – Presidenti Viktor Janukoviç pezullon papritur bisedimet rreth një marrëveshjeje asocimi me BE-në në përfitim të një afrimi ekonomik me Moskën, duke shkaktuar manifestime të paprecedenta që prej Revolucionit properëndimor Portokalli të vitit 2004. Më 8 dhjetor, rreth 300 000 manifestues proevropianë kërkojnë largimin e presidentit Ianukoviç.



- 24: IRAN/BËRTHAMORE – Teherani dhe fuqitë e mëdha nënshkruajnë në Gjenevë marrëveshjen e parë historike për kufizimin e programit bërthamor iranian, në këmbim të një lehtësimi të sanksioneve ekonomike. Izraeli kritikon një “gabim historik”.



- 27: ITALI – Ish-kryetari i qeverisë Silvio Berluskoni, në qendër të jetës politike italiane që prej 20 vjetësh, përjashtohet nga posti i senatorit pas një dënimi përfundimtar me një vit burg për mashtrim fiskal.

DHJETOR

- 5: AFRIKA QENDRORE: Franca fillon një operacion ushtarak për rivendosjen e sigurisë në këtë vend i përfshirë që prej marsit në një ingranazh dhune komunitare dhe ndërfetare.

- 5: AFRIKË E JUGUT: Vdes Nelson Mandela, hero i luftës kundër aparteidit, fitues i çmimit Nobel të Paqes dhe presidenti i parë me ngjyrë në Afrikën e Jugut.

- 9: TAJLANDË : Kryeministri Yingluck Shinawatra njofton shpërbërjen e parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme ndërkohë që opozita manifeston që prej fundit të tetorit pas një projektligji për amnisti që premton kthimin nga azili të Thaksinit, ish-kreministër dhe vëlla i Yingcluk, i akuzuar se po drejton qeverinë në prapaskenë./ATSH/ –