Kuvendi i Kosovës ka miratuar një ligj për ndotjen akustike në të cilin përmendet dhe zhumra që vjen nga ezani, thirrja që bëhet në xhami 5 herë në ditë për faljen e namazit.
Dhe pse ka pasur kundërshtime nga komuniteti fetar mysliman, ky ligj përveç votave të mazhorancës ka marrë dhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje e cila pothuajse gjithmonë në Parlament voton kundër ligjeve të qeverisë.
Të gjithë deputetët e saj, përfshirë edhe Kryetarin Albin Kurtin, kanë votuar pro ligjin për zhurmat, ligj ky që hapi një debat të madh veçanërisht për pjesën ku sanksionohet zhurma e ezanit të xhamive dhe kambanave të kishës, raporton Express.
Projektligji përcakton përgatitjen e hartave të zhurmës, informimin e publikut për këtë si dhe miratimin e planeve të punës nga ana e Qeverisë dhe komunave, bazuar në hartat e zhurmës. Projektligji për cakton edhe bazën e vendosjes së masave të komunitetit për zvogëlimin e zhurmës.
Me këtë, përveç tjerash, nga miratimi i ligjit xhamitë do të duhej ta zvogëlonin volumin gjatë thirrjes së ezanit e kishat po ashtu të kambanave.