Lufta e parë iliro-romake e cungoi dhe e dobësoi shumë shtetin ardian. Roma fitoi një kryeurë në Adriatik, dhe një vend të përparuar në Ballkan për qëllimet e saj ekspansioniste drejt Lindjes.
Por pozitat e saj këtu nuk ishin akoma të sigurta. Ngjarjet politike pas paqes në Iliri nuk e zhvilluan aspak në favor të Romës.
Pas vdekjes së Teutës, Dhimitër Fari u martua me Triteutën, të ëmën e Pinesit të vogël dhe u bë tutor i tij. Me këtë ai i shtriu sundimin e vet edhe mbi territorin ilir, që i kishte mbetur Pinesit. Duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të Romës, e cila ishte në luftë me galët dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të Kartagjenës, Dhimitër Fari u përpoq të shkëputej prej saj.
Për këtë qëllim ai lidhi aleancë me Antigon Dosonin e Maqedonisë, e ndihmoi atë në veprimet e tij në Greqi për rivendojen e epërsisë maqedone në Peloponez dhe filloi luftën për rimëkëmbjen e shtetit të vjetër ardian. Më 220 Dhimitër Fari sulmoi parthinët, pushtoi qytetin e tyre, Dimalin, dhe vendosi këtu një garnizon të fortë ushtarak. Më von ai nënshtroi gjithë Ilirinë e jugut deri në Vjosë.
Pas këtyre sukseseve Dhimitër Fari u muar vesh me Skerdilaidin, i cili, pas luftës së parë iliro-romake, me sa duket, sundonte i pavarur ndonjë krahinë veriore të shtetit ardian, dhe bashkë me të ndërmori, aty nga fundi i vitit 220, një ekspedite plaçkitëse në brigjet e Greqisë.