Kumtesat e BDI-së “samo” maqedonisht

“Vetëm ky proçes garanton paqë të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri jo samo në vendin tonë, por edhe në rajonin e Ballkanit Perendimor”, thuhet në komunikatën e BDI-së dërguar mediave. Analistët mendojnë se prioritet i BDI-së është që të mësojnë sa më mirë maqedonishten që të pëlqehen nga maqedonasit, ndërsa për shqipen dhe shqiptarët nuk e vrasin shumë mendjen.
Përdorimi i fjalëve maqedonisht në vend të atyre shqip në mes të fjalive në kumtesat që shpërndan Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për takimet që ka realizuar kryetari i partisë hap dy dilema:  A shkruhen kumtesat fillimisht maqedonisht e më pas përkthehen, apo shkruhen diku tjetër dhe BDI vetëm  i përkthen dhe vulos ato?


Ja fjalia shqip në mes të së cilës gjenden edhe fjalë maqedonisht: “Bashkëbiseduest gjithashtu u pajtuan edhe për integrimin urgjent të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Vetëm ky proçes garanton paqë të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri jo samo në vendin tonë, por edhe në rajonin e Ballkanit Perendimor”, thuhet në komunikatën e BDI-së dërguar mediave, për takimin që pati të hënën lideri i partisë, Ali Ahmeti me kryetarin e partisë Aleanca për Maqedoni Pozitive, Ljupço Zikov dhe ish kryeministrin e Maqedonisë Vllado Buçkovski, nënkryetar i së njëjtës parti.
Në këtë fjali është fjala maqedonisht “samo” (vetëm)  që gjendet në mes të këtij informacioni.
“Lajm” të hënën tentoi të kontaktonte me zëdhënësin e BDI-së, Bujar Osmani për të zgjidhur dilemën, megjithatë, njëjtë si herëve të tjera, ai nuk iu përgjigj telefonatave të gazetës.
Analistët mendojnë se prioritet i BDI-së është që të mësojnë sa më mirë maqedonishten që të pëlqehen nga maqedonasit, ndërsa për shqipen dhe shqiptarët nuk e vrasin shumë mendjen.
“Është fakt që shihet. Ata më lehtë shprehen maqedonisht sesa shqip. Më mirë mendojnë maqedonisht, sesa shqip.  Problemi më i madh është  sa atyre ua shkruajnë fjalimet nga qendrat e propagandës të partive maqedonase.
Ndërsa, katastrofa më e madhe është se ata përpiqen të mësojnë sa më mirë maqedonisht që të jenë të pëlqyer nga maqedonaset, e fare nuk u kërcet për shqipen dhe shqiptarët”, thotë për “Lajm”, analisti Kim Mehmeti.
Të premten, zëvendës kryeministri Fatmir Besimi dhe ministri i vetëqeverisjes lokale Tahir Hani gjatë një takimi që kishin folën vetëm maqedonisht me njëri – tjetrin.
Edhe më çuditës bëhet ky dialog kur dihet që partia në pushtet BDI këmbëngul se ka zyrtarizuar me Ligj përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni.
Në këtë rast, ose ministrat Besimi dhe Hani që i takojnë kësaj partie nuk kanë shfrytëzuar të drejtën që u jep ligji me të cilin mburret BDI ose ligji të cilit i referohet BDI-ja nuk e ka zgjidh çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe.
Gjuha shqipe në këtë takim u përdorur vetëm në fund, gjatë konferencës së përbashkët për media, ku shqipja është përdorur së bashku me maqedonishten.
Ndërkaq, nga BDI, informojnë se gjatë takimit, Ahmeti, Zikov dhe Buçkovski kanë folur për zgjedhjet presidenciale dhe konceptin e BDI për President konsensual, situatën politike në vend, por edhe për çështjen e emrit dhe integrimet Euro-atlantike. “Zikov theksoi qëndrimin afirmativ për një kandidat konsensual për President duke theksuar që kjo është një nismë e mirë dhe këto vepra do ta stabilizojnë skenën politike dhe bashkëjetesën. Ky është një hap me rëndësi dhe është shumë mirë që hapet kjo temë në këtë kohë në Maqedoni.

Ahmeti theksoi që politikanët zgjidhën për të sjell vendime të përgjegjshme dhe të guximshme dhe për këtë, partitë politike duhet që të tregojnë gatishmëri që të zgjedhin një President të Maqedonisë që do ti përfaqësojë denjësisht të gjitha komunitetet në vend dhe do të angazhohet denjësisht për synimet Euro-atlantitke të të gjithë qytetarëve”, informojnë nga BDI./lajmpress/