Koreja e Veriut, mbretëria e absurdit dhe e surrealizmit


SEUL, 9 janar /ATSH-AFP/ – Të ndash të vërtetën nga gënjeshtra kur flitet për Korenë e Veriut është një detyrë e vështirë, pasi në këtë vend të fshehtë dhe të izoluar, të drejtuar me dorë të hekurt që prej tre brezash nga familja Kim, thashethemet më surrealiste duken gati-gati të besueshme.
Për shembull, cili është artikulli më i besueshëm i botuar ditët e fundit në shtyp lidhur me liderin e ri të vendit, Kim Jong-Un?

Ai që ka ekzekutuar xhaxhanë e tij duke e lënë të zhveshur përpara një kopeje qensh të urritur apo ai që ka festuar përvjetorin e tij në Phenian me një ish-basketbolliste të famshme amerikane, e njohur për tatuazhet e saj, për piercing-at dhe guston për maska dhe për keçin?

Një video në YouTube tregon ish-basketbollistin e ”Chicago Bulls”, Dennis Rodman, duke kënduar “Happy birthday” përpara një ndeshjeje basketbolli në Phenian, para Kim Jong-Un i cili festonte atë ditë 30, 31 apo 32-vjetorin. Dita dhe muaji i lindjes së tij dihen, por viti jo. Ekspertët koreanojugorë i japin rreth 30 vite.

Historia e vdekjes së xhaxhait në gojën e qenve trupmëdhenj molosë, e njoftuar nga disa media ndërkombëtare, ka të ngjarë ta ketë fillesën në një mesazh të shkurtër satirik të publikuar në mikroblogun Twitter dhe të postuar në një faqe interneti kineze.

Informacioni është publikuar në gazetën kineze, ”Wen Wei Po”, përpara se të shkaktonte botimin e disa artikujve të çmendur në median perëndimore.

Dallimi i fakteve nga imagjinarja është pothuaj e pamundur lidhur me Korenë e Veriut, regjimi i të cilës i ka mbyllur të gjitha kanalet e informimit dhe të komunikimit, duke e bërë të vështirë verifikimin e këtyre zërave.

Paralelisht, interesi i shtypit ndërkombëtar është shumë i madh, sidomos kur bëhet fjalë për histori sensacionale që ia përforcojnë publikut perceptimin për Korenë e Veriut si një vend i çuditshëm, i dhunshëm dhe i prapambetur.

Mediat e huaja mund të përziejnë kështu pjesë thashethemesh, rreth një fakti të sigurt, siç qe për shembull rasti me ekzekutimin e xhaxhait të liderit koreanoverior, i njoftuar në dhjetor nga Pheniani.

Versioni më i bujshëm i transmetuar nga shtypi i huaj ishte i mëposhtmi: Kim Jong-Un e hodhi si ushqim për 120 qen të uritur xhaxhanë e tij, të zhveshur, i cili kishte patur një lidhje me bashkëshorten e re të udhëheqësit. Gruaja e xhaxhait, viktimë e një ataku kardiak pas tronditjes emocionale që pësoi, është në koma.



Zëra për të mbushur boshllëkun

Vetëm arrestimi, procesi i posaçëm dhe ekzekutimi ishin njoftuar zyrtarisht nga regjimi koreanoverior.

Pjesa tjetër vjen kryesisht nga faqe interneti të frekuentuara nga koreanoveriorë të strehuar në Jug dhe nga media koreanojugore, të cilët, vërejnë analistë, janë të interesuar të bëjnë një portret më të nxirin e mundshëm të regjimit të dinastisë Kim.

“Lajmet që vijnë nga një vend kaq i mbyllur si Koreja e Veriut mbeten të kufizuara, duke ushqyer kështu një tog thashethemesh të pakonfirmuara për mbushjen e boshllëkut”, thekson Choi Jung-Hoon, drejtor i radios ”Free North Korea” në Seul.

“Njerëzit imagjinojnë se çfarë mund të ndodhë në Korenë e Veriut: një vend i pazakontë dhe i egër ku gjithçka mund të ngjasë”, shton Choi, i cili është larguar nga vendlindja e tij në vitin 2007. “Ndonjëherë, portreti që bëjnë ata është grotesk, shumë ndryshe nga vendi ku kam jetuar dhe që e njoh”.

Përveç bllokadët pothuaj totale për informacionet, kulti i personalitetit rreth dinastisë Kim dhe fjalori luftënxitës i përdorur ndaj fqinjit dhe vëllait armik të jugut krijojnë përshtypjen jashtë shtetit se vendi është në duart e një klike paranoiake.

Kështu, shtypi zyrtar koreanoverior akuzoi Jang Song-Thaek si një don Zhuan, një i droguar  dekadent, “një mbeturinë njerëzore e përbuzur, më keq se një qen”.

Regjimi i Phenianit e ka bërë zakon përdorimin e kësaj lloj hiperbole, një element i propagandës së destinuar për popullin.

Refuzimi nga Koreja e Veriut i konfirmimit ose përgënjeshtrimit të informacioneve të jashtme nuk bën gjë tjetër veçse ushqen mullirin e thashethemeve. Sidoqoftë, regjimi nuk i pranon disa artikuj të shtypit të huaj pak mikluese ndaj liderit të tij.

Mediat zyrtare i kanë cilësuar kështu si ”akte kriminale të urryera” zërat për një operacion kirurgjikal të Kim Jong-Un që t’i ngjasojë gjyshit të tij, Kim Il-Sung, themelues i Koresë së Veriut.

Kang Chan-Ho, gazetar dhe specialist i Veriut në të përditshmen “Hankyoreh”, vëren se disa histori janë përgatitur me kujdes nga kritikët më të ashpër të vendit.


“Disa të larguar përpiqen ta lënë veten të dominohen nga ndjenjat personale ndaj Phenianit dhe të shtojnë zërat që nuk mund të verifikohen”, thekson ai.