Intervista Rama: Pse nuk e publikoj letrën e Presidentit Obama

Kryeministri: Valë e re prishjesh edhe për godina që kanë dokumentacion, do ketë shpronësime
Rama: Brenda 4 viteve mbyllim legalizimet, platforma në janar me alternativa
 “Jam i konfirmuar si kryetar i PS-së me fitoren e zgjedhjeve dhe postin e Kryeministrit”



Kryeministri Edi Rama rrëfen në një intervistë në emisionin “Opinion” në “TV Klan” 100-ditëshin e qeverisë së tij. Buxheti, paketa fiskale, rritja e borxhit, premtimet e fushatës për legalizime falas, çështja e armëve kimike si edhe zhvillimet e fundit politike në vend janë pjesë e intervistës së kreut të qeverisë shqiptare.
Intervistoi: Blendi Fevziu
Tri probleme janë nënvizuar nga qytetarët: gjobat e policisë, rritja e çmimeve për shkak të akcizës dhe legalizimet?
Pa asnjë dyshim nuk mund të pretendojmë të kemi në kaq pak kohë një sistem të përsosur administrimi, për shkak të gjendjes shumë të rëndë të trashëguar, por të pamësuar me respektin e rregullave, sidomos ata që janë mësuar të bëjnë të fortin në raport me policinë dhe në raport me shtetin, duke pasur edhe një zë në politikë. Sot ndihen jo mirë dhe pastaj ua zmadhojnë njerëzve më shumë këtë problematikë. Sistemi është duke u përmirësuar çdo ditë, por qytetarët të gjithë kanë mundësi të verifikojnë gjobat e tyre në sistemin online të MB. Qytetarëve të cilët u dërgohet një gjobë, u jepet edhe një mundësi apelimi dhe ata kanë në dorë një faturë që i lejon të qarkullojnë. Një pjesë të njoftimeve qytetarët nuk i kanë marrë për shkak të kaosit që kemi trashëguar në sistemin e adresave, por e vërteta është që gjithsecili mund të verifikojë vetveten.

Do t’u kërkoni falje atyre që u kthyen mbrapsht se kishin gjoba?
Nuk do t’i kërkojmë falje askujt, sepse para se të vihej në lëvizje ky proces, ka pasur një periudhë dyjavore lajmërimesh. Mundësia e pagimit të gjobave në të gjitha pikat e daljes është aty. Nuk është një sistem i përsosur, por nuk do të ndalet. Ne duam të biem dakord që çdo rregull duhet të zbatohet.
Keni bërë një spot për çështjen e rendit dhe ruajtjen e tij, ndërkohë që në këto kohë rendi është në një situatë katastrofike…
Është e vërtetë që krimi është një problem. po është po kaq e vërtetë që po në 100 ditë ne kemi ulur numrin e vrasjeve me 42%, pra e kemi pothuajse përgjysmuar.
I keni rakorduar shifrat?
Nuk u referohem deklaratave politike të një partie që ka dalë në opozitë edhe për shkak se e la Shqipërinë në duar të krimit. Tani në opozitë ka filluar të manipulojë atë që edhe nuk e manipulonte kur ishte në qeveri, shifrat e krimit. Nuk ka asnjë rast apo mundësi që krimet të mund të fshihen dhe pastaj që të bëj presion që ato të mos dalin në shtyp. Kjo është pjellë e një fantazie të shthurur. Zotimi ynë është qartësisht angazhim për të vendosur Policinë e Shtetit në krye të detyrës brenda 300 ditëve. Kjo nuk do të thotë se pas 300 ditëve në vend nuk do të ketë asnjë vrasje, asnjë krim, por do të thotë që sot qytetarët po e shohin vetë me sytë e tyre ndryshimin e dukshëm të sjelljes dhe rezultateve të Policisë së Shtetit.
Një nga premtimet kryesore që keni pasur në fushatë, ulja e borxhit. Ishte një borxh që ishte në kufi në 64%, ndërkohë që ju e keni çuar në 75%?
Ne nuk kemi rritur borxhin, ne kemi legalizuar në borxh që ishte aty. Atë të shpallurin dhe atë të fshehurin, ku u skanua dhe doli në pah në bashkëpunim me FMN dhe kompani ndërkombëtare prej 726 milionë dollarësh që ishte një borxh real, faktik, i padeklaruar.
Kur flisni për borxh, a keni menduar që tatimet duhen të mbledhin 780 milionë dollarë?
Shqipëria sot nuk është ajo që ishte deri dje në trajtimin e fakteve dhe të shifrave të ekonomisë. Shqipëria sot është angazhuar në një marrëdhënie dhe program të ri me FMN. Gjithçka mund të thuhet, por nuk mund të thuhet që ky Fond mund të përfshihet në broçkulla të kësaj natyre. Përfshirja e tij është fakti se borxhi do të kthehet në shifra më të pranueshme dhe do shkojë në 64%. Ky është një objektiv i nënshkruar me FMN.
Keni marrë një borxh prej 1.4 miliardë dollarësh?
Nuk e dini, nga e keni nxjerrë këtë shifër. Ne e trashëguam vendin në një situatë në buzë të greminës. Krahas borxhit publik legal, trashëguam edhe një borxh të fshehur që ishte shkaku i bllokimit të ekonomisë. Me marrjen e këtyre masave ne në radhë të parë injektojmë në ekonomi në formën e investimeve 1.1 miliardë dollarë në vitin e ardhshëm.
Përse nuk i shlyet borxhet e kompanive më parë?
Sepse ai fond duhej për të mbajtur shtetin, duhej për të dhënë rrogat, duhej për ilaçet. Ai ishte borxhi i legalizuar, nuk është një borxh që e mori në kushte emergjence, sepse kishim trashëguar borxhin e padeklaruar më parë.
Sa është borxhi sipas jush?
Ne kemi marrë një borxh shumë të favorshëm nga FMN, nga BB dhe unë nuk dua të flas në shifra konkrete pa kaluar marrëveshja përfundimtare. Dua t’ju them vetëm kaq, që borxhi që ne kemi marrë është një borxh për të vënë në lëvizje gjithë ekonominë.
780 mln dollarë të faturuara dhe të pambledhura. Do t’i mbledhë administrata juaj?
Ajo që është shkatërruar për 8 e kusur vjet, sepse ai nuk ka filluar vetëm në 8 vitet e fundit, nuk mund të rindërtohet e gjithë për 100 ditë dhe as për një vit. Nga ana tjetër sot Shqipëria është në fillimin e një kthese që do të sjellë rimëkëmbjen ekonomike që nga ky vit. Ne kemi në rritje tërësore në periudhën e 100 ditëve në dogana dhe një tatime dhe 60 mln dollarë dhe 30 mln dollarë.
Rimbursimi i TVSH-së është 8 mln dollarë, ndërkohë që në muajt tetor – nëntor është 5 mln dollarë?
Nuk u referohem fare këtyre muajve. Nuk është tetori dhe nëntori muaji ku ne mund të themi shikoni cilat janë rimbursimet e TVSH-së. Është programi i ri që thotë se ne do të bëjmë rimbursimin e plotë të të gjitha detyrimeve të shtetit në formën e TVSH-së së parimbursuar.
Brenda vitit 2014?
Borxhi i akumuluar nuk u bë për një vit dhe ai nuk do shlyhet për një vit.
Paketa fiskale dhe taksa e ndershme ishte për të rregulluar problemet sociale sapo ndryshimi i saj u bë për të mbushur për një gropë të zezë që iu la?
Ishte një ndryshim taksash për të vendosur në themelin e bashkëjetesës drejtësinë në kontributet e shtetit. Ne kemi filluar ta aplikojmë siç e kemi stërthënë.
Këta që paguajnë më shumë janë 0.3% nga ata që paguajnë dhe paguajnë 23%?
Nuk ka 23%, është 17%. Kemi mbajtur premtimin për 97% të shqiptarëve. Ne nuk kemi masakruar askënd. Dhe në nivelin e lartë kemi taksa ndër më të ulëtat në Evropë dhe normale edhe për rajonin.
Pse taksa më e lartë për 11 mijë njerëz?
Nuk është e vërtetë. Është sonata e hënës me gërnetën e Laver Bariut, me gjithë respektin për Laverin. Këto nuk kanë lidhje me partiturën.
56% e këtij 97% paguajnë nën 300 mijë lekë dhe nuk përfitojnë nga ulja e taksave?
300-mijëshi mbi tatimin mbi të ardhurat zero ishte propozimi ynë i fundvitit të shkuar. U mor në vigjiljen e etheve elektorale dhe u fut copy paste nga qeveria paraardhëse. Ata 300 mijë që nuk paguajnë asgjë, e kanë përfituar këtë nga programi ynë i rilindjes. Padrejtësia në atë kopjim ishte se ai që paguante 300 mijë nuk paguante e ndërkohë ai që paguante 301 mijë paguante taksë.
Këta 56% do paguajnë çmimet shtesë nga akciza dhe kjo paketë i varfëron më shumë ata?
Në rritjen e çmimit të naftës ne kemi konstatuar që ka një element abuziv, sepse është një rritje që nuk përkon me rritjen natyrale që ishte parashikuar. Për sa u përket cigareve është një rritje e vetëdijshme edhe për të dekurajuar konsumin e cigares, sepse nuk mund ta pranoj dot që në vend të dëgjohet një opozitë që kjo është luftë kundër dashamirësve të duhanit.
Kur bëtë paketën fiskale, a e menduat që një pjesë e investitorëve kanë bërë një plan afatgjatë dhe që rritja e taksave mund të rrënojë investimin e tyre?
Jemi menduar dhe thamë që do ta bëjmë këtë patjetër, se për ne reale 15% është ulje e taksës, sepse ata kanë paguar 10%, po për shtetin, ndërsa për pushtetin kanë paguar 20, 30, 40. Tatimfitimi zyrtar ka qenë 10% dhe haraçi i pushtetit ka qenë mesatarisht një 12% mbi.
Statusi ku shkruani që ish-ministri i Mbrojtjes të ndëshkohet për korrupsion, a keni bërë gabim?
Të ndëshkohet për korrupsion nuk është një urdhër. Unë nuk kam nën urdhër gjykata dhe prokurorinë, por përderisa qeveria përmes ministres së Mbrojtjes ngre një padi ajo kërkon përmes saj kërkon një ndëshkim. Ky është qëndrimi ynë, është kërkesa jonë, se ndëshkohet apo jo kjo i takon gjykatës. Unë nuk e konsideroj gabim dhe nuk i kam tërhequr veshin stafit tim.
Shembja e pallatit në Vlorë, që u kthye në një problem. E nisët si pallat pa leje dhe e rrethuat me shirita “skenë krimi” dhe gjykata ju hodhi poshtë dhe më pas e dëmshpërblyet. A ishte kjo hakmarrje politike?
Unë nuk kam dhënë fare deklarata për këtë objekt. Unë deri në fund nuk e kam besuar që në këtë ngrehinë monstruoze të kishte dorë kryetari i opozitës. Rasti konkret është flagrant dhe ne presim që prokuroria të zbardhë të gjithë zinxhirin e grabitjes që i është bërë qytetit të Vlorës dhe publikut duke i marrë detin për të ndërtuar pallat që fillon e mbaron në të gjitha hallkat dhe t’i ndëshkojë autorët. Ne kemi nisur një procedurë shpronësimi vetëm për ata që në mirëbesim, bazuar në një leje të dhënë, tërësisht jashtë rregullave, kanë blerë apartamentin aty.

Në këtë Shqipëri me 59% ndërtime pa leje, e vetmja godinë që duhej të prishej ishte ajo?
Më vjen shumë keq, ajo është një mes shumë godinave që janë prishur, ishte e fundit ndër to. Tani do të vazhdojë edhe një valë e re prishjesh për godina që kanë dokumentacion skandaloz legalizimesh dhe ato do të kalojnë në një procedurë shpronësimesh. Ne duam ta bëjmë Vlorën një ndër portat më të bukura hyrëse dhe për këtë arsye duam ta çlirojmë nga këto. Projekti i prishjeve do të shtrihet deri në Ksamil dhe në ditët në vijim taks-forca zbret më poshtë në Dhërmi e me radhë. Do shembë çdo ndërtim që gjejmë përpara në rrugën e zhvillimit të këtij vendi.

A rrezikon që gjysma e lejeve tuaja u vjen radha të prishen?
Unë di të them vetëm kaq, që aty ku duhet të ndërhyhet në bazë të një plani, aty do zbatohet ligji.

Keni dështuar në raporte me SHBA-në për armët kimike?
Jo.
Pse nuk keni vënë në dijeni Presidentin, Kryetarin e Parlamentit?
E kam vënë në dijeni që në fillim të negociatave. Ai ka shprehur qëndrimin që unë bisedoja me palën tjetër.
Pse doli kundër Kryetari i Parlamentit?
Nuk doli kundër. Ka shprehur atë që unë shprehja gjatë bisedimeve.
Kryetari i Parlamentit ka thënë që nuk i dinte detajet?
Detajet teknike janë pjesë e grupit teknik.
A është e vërtetë që në sirtarët e tavolinës suaj gjendet një letër e Obamës?
Unë nuk publikoj letra dhe foto për propaganda. Unë kam marrë një letër dhe nuk e kam parë të arsyeshme që ta lexoj që për t’i thënë publikut një mesazh që ai nuk do ta pranonte. Unë nuk doja që në atë tollovi antiamerikanizmi nga opozita të përfshihej edhe letra.
A ka lënë hije JO-ja?
Nuk ka lënë asnjë hije. Marrëdhëniet e SHBA-së me Shqipërinë janë të shkëlqyera.

Ishte vendim nga reagimi i qytetarëve apo dështim i marrëdhënieve me SHBA-në?
Vetmia e Shqipërisë në këtë operacion e bënte të pamundur mbajtjen e kësaj barre.
Gjatë vizitës së Jonathan Moore-it, takimi i zhvilluar me ju nuk u publikua, nuk pati asnjë deklaratë…
Nuk mund të publikojmë çdo takim që zhvillojmë.

Si shpjegohet që tri prej vendeve kryesore, Gjermania, Franca dhe Britania, kanë dalë kundër Shqipërisë?
Nuk kanë dalë kundër Shqipërisë, unë dua t’ju siguroj që kam marrë vlerësime për qeverinë. Arsyet janë nga njëra anë zhgënjimi i madh me qeverinë paraardhëse dhe nga ana tjetër influenca e atyre forcave për shkak të ndikimit që ka në politikën evropiane, për shkak se në marsin e ardhshëm ka zgjedhje në PE.

Komenti juaj për foton e Enverit në homazhet e Varrezave të Dëshmorëve?
Përsëri kemi një problem të madh. Po ne mendojmë ndryshe sot për Enverin, sepse enverizmi është mes nesh dhe është në anën andej. Lëren Enverin të vdekur, ai ka ikur dhe nuk kthehet më. Më lejoni t’ju them që kjo çështje të trajtohet sikur ne e kemi vendosur atë foto nga ana jonë si një dekor. Homazhet në Varrezat e Dëshmorëve janë homazhe të lira. Ne Partinë Komuniste e kemi parti legale dhe jo ilegale. Në qoftë se dikush nuk ka asnjë pikëpamje të njëjtë me mua dhe ngre një foto mbas kurrizit tim cfarë do të thotë kjo?
Në marrëveshjen me FMN-në parashikohet që të rritet mosha e pensionit?
Nuk ka asgjë të tillë, parashihet reforma e pensioneve. Ne kemi një situatë me pensionet që është tërësisht e papranueshme, e akumuluar nga qeveria dhe qeveritarë që nuk kanë dashur t’ia dinë fare. Ne nuk kemi ardhur në qeveri dhe unë nuk jam bërë Kryeministër për të përsëritur këtë zakon. Sot sistemi ynë i pensioneve është i papërballueshëm. Ka një deficit që nuk e mbulon sistemi prej 45% dhe kjo mbulohet nga taksimi i përgjithshëm .Rritja e moshës së pensionit është njëri opsion, por nuk është i preferueshëm nga ne. Opsioni tjetër është heqja e tavanit dhe liberalizimi i kontributeve. Ta kenë shumë të qartë se reforma e pensioneve do të afektojë ato që janë sot 40 vjeç e poshtë. Në të dyja opsionet, reforma do të shtrihet në kohë dhe është për të shpëtuar vendin e gjeneratës tjetër.
Jeni në mandat të paligjshëm si kryetar i PS-së?
Faleminderit për freskimin e kujtesës! Më lejoni të zgjeroj kulturën politike. Në partitë politike që bazohen në parimin ‘një anëtar – një votë’, kur kryetari i partisë është Kryeministër, nuk ka zgjedhje, por ka konfirmim përmes një metode që shkon sipas kongresit.

Keni deklaruar legalizime falas. Është ky një premtim i dështuar?
(Qesh gjatë…) Unë e konfirmoj atë që kam thënë në këtë studio që brenda katër vjetëve ne do t’i japim fund kësaj drame të madhe. 300.000 njerëz janë në një situatë ilegale. 160.000 prej atyre që kanë aplikuar për legalizim nuk kanë parë akoma që ti trokasë shteti në der. Po qeshja se mjerë ata që nuk e dinë ku kanë kokën dhe që për 100 ditë na bëjnë ne bilancin që behet pas katër vjetëve po nuk ju takon juve si kategori që të flisni për dështime. Nga 76 mijë njerëz që kanë paguar lekët, 50 mijë nuk kanë marrë asgjë. 26 mijë kanë marrë certifikatën, por kanë probleme. Ne do të ndryshojmë komplet politikën. Ne do çojmë shtetin në zonat informale dhe brenda këtij muaji do të shpallim plotësisht platformën e legalizimeve falas dhe ju do të shikoni që është e plotë dhe ka alternativë dhe njerëzit mund të zgjedhin për të harmonizuar nevojën që prona të mos jetë problemi i gjeneratës tjetër. Zonave informale ne do t’ia kemi zgjidhur këtë problem dhe platforma jonë ka alternativa dhe alternativa falas është aty. Do ndërhyjmë me ligj në Parlament për legalizimet.
A është kjo një qeveri “Rama-Meta”?
Ky është një koalicion që ka dy parti dhe një forcë dhe sigurisht unë nuk ndiej asnjë problem kur thuhet se ky është një koalicion bashkëkryetarësh. Më pëlqen shumë ta nënvizoj se qeveria është një skuadër. Unë nuk shoh asnjë dallim mes ministrave në marrëdhëniet me mua si Kryeministër është një skuadër.
A do ftohet PDIU t’i bashkohet koalicionet qeverisës?
Ne jemi të hapur që të bashkohen me ne në Parlament dhe të votojnë për reformat tona jo vetëm partitë e vogla, por edhe PD. Pastaj në qeverisje është një çështje tjetër, nuk është plani ynë.
Cila është krenaria më e madhe?
Fillimi i rikthimit të erës së shtetit.
Cili është dështimi juaj më i madh?
Nuk ka asnjë dështim.