Thuhet se meshkujt që bëhen prindër në një moshë të madhe janë më tolerantë, më të dhembshur dhe të përkushtuar si dhe kalojnë në shumë kohë me fëmijët e tyre. Por duket se mosha e madhe e një mashkulli që vendos të bëhet baba ka edhe një përfitim tjetër, akoma edhe më të madh. Kështu, shkencëtarët kanë zbuluar se fëmijët e lindur nga baballarë në një moshë të madhe, kanë mundësi më të shumta që të jetojnë më gjatë.
Sipas shkencëtarëve, pasardhësit e lindur nga baballarë më të vjetër në moshë kanë telomere më të gjata, një strukturë e veçantë në skajet e kromozomeve që mbrojnë kundër procesit të plakjes.
Telomeret janë disa pjesë të vogla ADN-je që ndodhen në fundet e çdo kromozomi. Pjesa fundore e ADN-së është mjaft e paqëndrueshme: shkatërrohet kimikisht dhe mund të pësojë rikombinime më shpesh se pjesa tjetër e molekulës. Telomeret kanë një rol të rëndësishëm (akoma të pakuptuar mirë) në jetëgjatësinë e secilës qelizë. Për shembull, ato shkurtohen në mënyre të vazhdueshme gjatë çdo ndarjeje mitotike qelizore. Shkencëtarë që drejtuan studimin matën gjatësinë e telomereve të ADN-së në gjakun e 1179 të rinjve filipinas dhe nënave të tyre dhe në këtë mënyrë përcaktuan moshën e etërve të fëmijëve dhe gjyshërve të tyre.
Ata zbuluan se gjatësia e telomereve tek pasardhësit ishte e lidhur jo vetëm me moshën e babait të tyre në momentin që ata kanë ardhur në jetë, por edhe të gjyshit nga ana e babait.
Sa më shumë të vonohet koha kur ndodh riprodhimi te mashkulli, aq më shumë rritet gjatësia e telomerit. Studimi i publikuar në ‘Proceedings of the National Academy of Sciences’ sugjeron se riprodhimi i vonuar i babait mund të rrisë gjatësinë e telomereve me kalimin e kohës, të cilat janë të afta të nxisin jetëgjatësinë te pasardhësit e ngjizur prej tyre.
Telomeret janë quajtur ndryshe “ora kromozonale”, për shkak se ato janë në një farë mënyre qendra e plakjes biologjike te njeriu. Gjatësia e telomereve është një shenjë e të qenët biologjikisht të rinj dhe të shëndetshëm.
Profesor Chris Kuzawa, një antropolog në Universitetin Northwestern, në Shtetet e Bashkuara, shprehet se telomeret me kalimin e moshës shkurtohen në qelizat e trupit, por ato zgjaten në spermë. Një studim i mëparshëm ka zbuluar se ata persona që kishin telomere të shkurtra, ishin tri herë më shumë të predispozuar që të vdisnin nga sëmundjet e zemrës. Sipas Kuzawa, efekti i moshës së paraardhësve, duke e lidhur me gjatësinë e telomereve, mund të krijojë kushtet për një rritje të jetëgjatësisë duke krijuar kushtet për një nivel më të ulët të vdekshmërisë.







