Tri foto horror dhe një hetim komedi
Nga Habjon Hasani
Prej disa ditësh në mënyrë konfidenciale me email-e në qarqe të ngushta po qarkullojnë tri foto shokuese që tregojnë të ndjerin Sokol Olldashi pas aksidentit. Janë imazhe tepër të rënda për tu parë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të jenë objekt i publikimit të drejtpërdrejtë në gazetë. Shformimi i kokës së deputetit është i jashtëzakonshëm, tronditës: asnjë prej tipareve nuk është në vendin e vetë.
Këto foto, të cilat DITA i posedon minimalisht i japin një përgjigje pikëpyetjeve që shkaktoi nxitimi për të bërë varrimin e Olldashit. Në atë nivel dëmtimi homazhet nuk mund të kryheshin normalisht. Por këto foto nga ana tjetër flasin për një dëmtim ekstrem tepër të rëndë që mund të jetë i shkaktuar ose nga një aksident shumë i rëndë ose nga një sulm dhe agresion shumë i rëndë ndaj tij. Vendi i aksidentimit, makina e sigurt me të cilën udhëtonte Olldashi dhe dëmtimi fare modest i mjetit të tij duket se i bëjnë shumë të dyshimta rrethanat që mund të justifikonin një aksident kaq të egër.
Stafi i DITA-s i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj ngjarje ditë pas dite dhe kemi qenë media e parë që kemi publikuar raportin zyrtar autoteknik të aksidentit, por dhe media e vetme që u investua në hartimin e një raporti alternativ mbi dinamikën e aksidentit falë dhe bashkëpunimit të inxhinierit Arben Meçaj. Por në çdo rast kemi mundësuar vetëm zbardhje të aspekteve të veçanta të këtyre rrethanave pasi informacioni nga organet kompetente është zero dhe këtë ngjarje të rëndë deri më tani më së shumti e karakterizojnë vetëm “legjendat urbane” dhe aludimet e pabazuara.
Ndaj dhe sot u drejtohemi lexuesve tanë në mënyrë të sinqertë dhe të hapur duke përmbledhur shkurt ato që dimë, ato që nuk dimë dhe ato çfarë nuk kapërdijmë dot mbi mënyrën se si po hetohet dhe po trajtohet kjo ngjarje.
Deri më sot, gazeta nga investimi i saj vetjak ka mundur të zbulojë disa pasaktësi flagrante të raportit autoteknik zyrtar të hartuar për këtë ngjarje. Inxhinieri Arben Meçaj ka hartuar një raport alternativ dhe studim shkencor mbi dinamikën e ngjarjes dhe ky raport i dytë ka nxjerrë në pah shumë pasaktësi në raportin zyrtar të administruar nga prokuroria. Ekspertët zyrtarë nuk kanë pasur asnjë reagim për këtë raport alternativ të Meçajt, si rregull duhej të “hidheshin përpjetë” pasi janë duke u kapur në gabim mbi një raport jo dosido, por në një raport autoteknik që ka për objekt vdekjen e një politikani të lartë.
Për më tepër inxhinieri Arben Meçaj arriti të gjente në disa vende dhe piketa të rëndësishme të vendit të ngjarjes telajon dekoruese të makinës së Olldashit gati 3 javë pas ngjarjes. Pasi ky fakt u botua në gazetën tonë, mësuam se vendi i ngjarjes u dogj dhe përpos djegies së shkurreve një fadromë kishte gërmuar dhe zhbërë dhe rrugën dytësore ku u gjet automjeti.
Prokuroria që është duke hetuar çështjen minimalisht duhej të mbante një qëndrim pas këtyre fakteve: Do e konsideronte më raportin e parë zyrtar apo do kërkonte ri-ekspertimin autoteknik të kësaj ngjarje? Prokuroria nuk pipëtin, a thua se gjetja e pasaktësive serioze në raportin zyrtar autoteknik i bën nder asaj. (!)
Ne sot nuk dimë ende se ku ishte, nga vinte dhe me kë ishte Sokol Olldashi në momentin e aksidentimit. Shumë bashkëpunëtorë të tij të afërt janë të bindur se autoritetet policore dhe prokuroria kanë “ndihmuar” figurën e tij duke shmangur për publikun prezencën e një femre në automjetin e tij natën e aksidentit.
Por edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë do të ishte një ndër turpet dhe veprimet më të rrezikshme të kryera ndonjëherë nga një organ publik hetimor. Se sa dashnore apo shoqe ka pasur individi Sokol Olldashi as i intereson kurrkujt dhe maksimumi përbën kuriozitet dhe jo informacion domethënës.
Por se me kë ishte dhe në çfarë rrethanash konkrete dhe ekzakte vdiq politikani i lartë Sokol Olldashi është një çështje me prioritet tepër të lartë shoqëror dhe me interes të padiskutueshëm publik.
Paranojat dhe ngërçet seksuale apo morale të hetuesve dhe kolegëve të Olldashit nuk janë kurrsesi argument.
Sot si pasojë e këtij hetimi të mangët dhe rrethanave të dyshimta shoqëria shqiptare është në paranojë. Një pjesë e mirë e shoqërisë po mbahet nën terror psikologjik pasi e bluan dyshimi se “Olldashin e kanë hequr qafe”. Këtë terror s’mund t’ia faturosh milionave vetëm për të larë duart dhe për t’i bërë makijazh “figurës morale” të politikanit, qoftë dhe sikur të ishte Helena e Trojës në sedilen ngjitur me të.
Për më tepër, cilëtdo persona të kenë qenë me të duhen ditur saktësisht dhe duhet të dëshmojnë publikisht atë çfarë pretendojnë se dinë. Askush nuk mund të na shes siguri për versionin e aksidentit me “dëshmi të fshehta”, aq më pak ata që nuk kanë qenë dëshmitarë okularë. Nëse nuk ka pasur “person të dytë” në vendngjarje, nga buron kjo siguri për “aksident”, në kushte të pajustifikuara nga ekspertiza? Dhe në rast se ka pasur “person të dytë” mbi ç’bazë bëhen përjashtimet e personave nga hetimi zyrtar?
Nëse do ishte i vërtetë ky opsion idiot i “nderit” do ishte një akt i paprecedentë që rrezikon jetën e çdo qytetari të vendit, pasi mjafton që nesër, në emër të “ruajtjes së figurës morale” dhe “shpikjes” së një femre në vendin e ngjarjes, të mbulohet ndonjë akt më i rëndë. Ky është kriminalizim i hetimit dhe jo hetim i një krimi të mundshëm.
Mediat dhe gazetarët i kanë të kufizuara mundësitë hetimore pasi janë autoritetet shtetërore ato që kryejnë veprimet në tërësi. Media mund të mos ketë mundësi të dalë në konkluzion hetimor mbi ngjarjen, ama një konkluzion mbi hetimin mund ta japë me siguri që sot: Është një komedi. Një komedi që jo vetëm nuk po bën aspak për të qeshur shqiptarët por përkundrazi i ka vendosur nën terror psikologjik nga dyshimi mos Olldashin e kanë vrarë.
Kësaj komedie të zezë i duhet dhënë fund, na vërtetoni nëpërmjet një hetimi serioz se çfarë ka ndodhur dhe jepini përgjigje dyshimeve të bazuara që po bëhen mbi hetimin Tuaj. Kjo nuk është çështje “dashnoresh”, por hetim mbi vdekjen e një politikani të lartë. Nëse nuk kuptoni as kaq, nuk meritoni të punoni as portierë në redaksinë tonë e jo më hetues të ngjarjeve me rëndësi të veçantë.