Në Shqipëri, aktiviteti ekonomik shënoi një rënie të fortë gjatë tremujorit të tretë të vitit të shkuar. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, të cilat do të jenë objekt i një rishikimi të mëtejshëm, rritja e ekonomisë ka qenë negative, duke zbritur ne -2.26 për qind. Përvec bujqësisë të gjithë sektorët e tjerë kanë regjistruar një aktivitet negativ. Ky është I treti tremujor, që nga viti 2009 kur ekonomia zbret në terren negativ. Tremujori I tretë i vitit të kaluar përkon me periudhën e tranzicionit politik në Shqiperi. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, të majtët fitues morën në dorë drejtimin e vendit vetëm në shtator. E gjithë kjo periudhë e ndërmjetme duket se ka ndikuar ndjeshëm në aktivitetin ekonomik të vendit. Që prej vitit 2009, ky është i treti tremujor, kur ekonomia shënon një rritje negative. Dhe kjo e këtij viti, është rënie me fortë e regjistruar deri më tani. Një rënie e cila ka prekur thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë përvec bujqësisë e cila ka njohur një rritje pozitive me 2.9 përqind.
Rënien më të madhe, me 10 përqind, e ka patur sektori i ndërtimit, më i prekuri nga efektet e krizës ekonomike. Me 4.6 përqind u ul, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë, grupi i industrive i ndikuar nga rënia e fortë e industrisë prodhuese.
Grupi tregti, hotele dhe restorante pati një rënie prej 3,4 % në tremujorin e tretë të vitit 2013 Në këtë grup, sipas INSTAT-it, rënia me rreth 13 % e degës së hotele dhe restorante dhe degës së tregtisë me 1,6% patën ndikimin më të madh.
Edhe aktiviteti i transportit në tremujorin e tretë të vitit 2013 u ul me 4,2 % krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Ndërsa grupi i Postë dhe Komunikacionit u shfaq me rënie prej 1,2 % në tremujorin e tretë të vitit 2013. Rënie me të lehtë, me 0.5 përqind, regjistroi grupi i shërbimeve.
Në pjesën e parë të vitit aktiviteti ekonomik, qëndroi në nivele të ulta, por pozitive: 1.87 përqind në tremujorin e parë dhe 1.68 përqind në tremujorin e dytë. Rënia e fortë e tremujorit të tretë rrezikon të kompromentojë edhe parashikimet e qeverisë për një rritje prej 1.3 përqind për 2013. Ndërkohë që edhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë ishin se ekonomia do të luhatej në të njejtat shifra të gjashtëmujorit të parë edhe në pjesën e dytë të vitit.






