Xhaferri nuk është funksionari i BDI-së i cili takohet me drejtorin e shërbimit sekret. Ai thotë se me Mijallkovin mund të takohet çdo funksionar i BDI-së që e vlerëson të nevojshme një gjë të tillë. “Me të takohemi kur të kemi nevojë dhe nga ne zyrtarët e partisë mund të takohet secili”, deklaroi për “Lajm” Xhaferri
Takimi i ditës së martë mes zëvendës/kryeministrit Musa Xhaferi dhe drejtorit të shërbimit sekret Sasho Mijallkov, nuk ka qenë takimi i parë mes tyre. Këtë në një deklaratë për “Lajm” e konfirmon edhe vetë zëvendëskryeministri Xhaferri, i cili nuk sheh asgjë të jashtëzakonshme në takimin e tij me Mijallkovin.
“Ishte një takim jo formal, ku kemi pirë nga një kafe, që do të thotë se nuk kishte të bënte fjalë për ndonjë agjendë të veçantë. Pra, takimi nuk kishte diçka interesante por thjeshtë vetëm një bisedë me të”, deklaroi Xhaferri.
Megjithatë, Xhaferri nuk është funksionari i BDI-së i cili takohet me drejtorin e shërbimit sekret. Ai thotë se me Mijallkovin mund të takohet çdo funksionar i BDI-së që e vlerëson të nevojshme një gjë të tillë.
“Me të takohemi kur të kemi nevojë dhe nga ne zyrtarët e partisë mund të takohet secili”, thekson Xhaferri.
Deri sa për këtë zyrtar të lartë të BDI-së, takimet jozyrtare të politikanëve me udhëheqës të shërbimit sekret nuk paraqesin diçka të jashtëzakonshme, analistët thonë se këto takime nuk janë diçka të zakonshme në vendet normale.
“Në çdo vend të botës takimi i një funksionari të lartë partiak dhe qeveritar me drejtorin e shërbimit sekret, paraqet skandal par ekselans. Mendoj se për këtë çështje duhet të mblidhet edhe komisioni kuvendor për mbikëqyrje të punës së shërbimeve sekrete”, vlerëson analisti i ri nga Shkupi, Emad Mehmeti.
Mediat kanë shkruar se takimi Xhaferri-Mijallkov është realizuar pas dëmtimit të përmendores së Car Dushanit, në sulmin ku ishin të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të BDI – së.
Bashkë me ta ka qenë edhe ish zyrtari i lartë policor, Ljupço Todorovski, i cili tani është në pension.
“Me siguri se treshja është befasuar kur e kanë vërejtur edhe praninë e disa gazetarëve të cilët ndodheshin rastësisht aty pasi që kishin takim me kryetarin e Bashkisë së Selanikut. Nuk është konfirmuar qëllimi i këtij takimi, sidomos tani pasi që VMRO – DPMNE dhe BDI kanë qëndrime të ndryshme në raport me vendosjen e monumentit të Car Dushanit në Shkup”, ka shkruar portali Libertas.
BDI nga njëra anë kërkon që të zbulohet me urdhër të kujt u vendos kjo përmendore dhe të zhvendoset nga aty, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme tash e sa kohë është duke e ruajtur monumentin me forcat speciale.






