“Zbukurohen” me para të shtetit

Një kravatë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, kushton prej 300 deri 500 euro, përderisa në kamisha i ka të dizajnuara inicialet H. TH.(Hashim Thaçi).

Kështu pati deklaruar muaj më parë deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Florin Krasniqi, për media, duke potencuar faktin se i pari i Qeverisë së Kosovës shpenzon shuma të mëdha parash për gardërobën e tij.
Jozyrtarisht mësohet se këmishët e dizajnuara me iniciale, kryeministrit i vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vite më parë këmishët me iniciale ishin bërë trend edhe në mesin e zyrtarëve tjerë të lartë të institucioneve dhe shefave të kompanive publike, të cilat porositnin këmishë nga jashtë për të imituar të parin e Qeverisë së Kosovës.
Jo vetëm i pari i ekzekutivit, por edhe e parja e shtetit, Atifete Jahjaga, shpenzon shuma të konsiderueshme të parave për dukjen e saj.
Prej se është emëruar presidente, Jahjaga shihet me kostume të shtrenjta, për të cilën gjë kujdeset disenjatorja Blerina Kllokoqi-Rugova.
Bashkëpunëtorë të presidentes bëjnë të ditur se ajo çdo ditë shkon tek floktari, ku bën grimin dhe rregullon flokët.
Një rregullim ditor i Jahjagës, edhe pse mbahet sekret nga floktari personal dhe grimeri i saj, sipas çmimeve që jepen nga floktarët tjerë për elitën shtetërore sillet në ditë mbi 50 euro, apo rreth 1500 euro në muaj.
Dy herë në ditë në sallonet e bukurisë
Presidentja, Atifete Jahjaga, bën grimin dhe rregullon flokët çdo ditë në sallonin “Nagipi dhe Arta”. Ajo frekuenton edhe qendrën e bukurisë “VIP Passion”, qendër kjo që e ka frekuentuar edhe gjatë kohës sa ishte zyrtare e lartë në Policinë e Kosovës.
Punëtorë të qendrës “VIP Passion”, të cilët nuk dëshirojnë të flasin me emër, bëjnë të ditur për gazetën “Zëri” se ka ndodhur që të jenë telefonuar nga kabineti i presidentes, ku është kërkuar që të rezervohet tërë salloni, pasi që presidentja po vjen të rregullohet. Megjithëkëtë, ky burim thotë se përgjigja që i është dhënë nga qendra “VIP Passion” në sheshin “Nëna Terezë”, ka qenë se presidentja mund të vijë, dhe se ka një kthinë për të ku mund t’i rezervohet, por jo dhe të largohen klientët tjerë nga salloni.
Menaxheri i qendrës së bukurisë “Nagipi &Arta”, Nagip Binçe (Nagipi), pranon se prej politikanëve kliente e ka presidenten. “Presidentja rregullohet çdo herë tek ne, ndonjëherë ndodhë që të vijë edhe dy herë brenda një dite, por ndodh që edhe një herë në javë, mirëpo një herë në ditë vjen rregullisht. Ne përkujdesemi për flokët e presidentes, por edhe për fytyrën (makijazhin), por që kjo ndodh më rrallë”.
Sipas tij, në shumicën e rasteve vetë presidentja përkujdeset për makijazhin. Ai nuk flet për shpenzimet që bën presidentja, ndërsa thotë se kur Jahjaga udhëton jashtë vendit nuk kërkon floktar me vete. Nagipi nuk flet as nëse ndonjëherë i kërkohet që të shkojë në shtëpi të presidentes që ta rregullojë, e të mos vijë ajo në sallon. “As këtu nuk mund të përgjigjem asgjë, ju kërkoj falje, por nuk mundem”, thotë ai.
Në anën tjetër, Fitim Rrustemi (Fita), menaxher i sallonit të bukurisë “Passion” në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, vlerëson se presidentja përdor shumë makijazh (grim), që sipas tij, nuk i shkon detyrës zyrtare të saj.
Prandaj ai sugjeron që presidentja të ketë një makijazh më të lehtë. Madje, ai thotë se dhe ngjyrën e flokëve e ka tejet të errët. “Ngjyra e flokëve të presidentes është shumë e errët. Po ashtu edhe makijazhi i saj është shumë i rëndë. Mendoj se duhet më pak të ketë makijazh, sepse si një presidente që është do të duhej të kishte më pak makijazh se ajo faktikisht e përfaqëson këtë vend. Ngjyra e flokëve të saj është pak e errët dhe do të duhej të ishte pak më e hapur apo më e çelur apo pak më natyrale”.
Duke folur për kryeministrin Thaçi, ai vlerëson se në përgjithësi prerjen e flokëve e ka shumë mirë, por e kritikon tek përdorimi i tepërt i xhelit. “Të vetmen mangësi apo të metë e ka tek përdorimi i xhelit, i cili ndodh që të jetë pak më i tepërt se që duhet”.
Shpenzimet e gardërobës, sekrete
Disenjatorja, Vjollca Llapashtica, ka thënë për “Zërin” se gardëroba e presidentes e bën të duket më e vjetër sesa mosha që ka.
“Jam shokuar kur e kam kuptuar se sa e re është presidentja, e si duket në të vërtetë. Vetëm në bazë të pamjes së saj, unë kam menduar se ajo është rreth të 50-ave. Është mëkat që ajo të duket kaq e moshuar, kur në fakt është shumë e re”.
Madje, ajo thotë se presidentja vesh rroba një apo dy numra më të mëdhenj se të madhësisë së veshjes që asaj i duhet.
Ajo sugjeron që presidentja të tregohet më e guximshme të përcjellë trendet e modës.
“Edhe politikanet e shteteve të jashtme nuk është që shkojnë zakonisht me ato shabllonet setër e fund, por të paktën edhe nëse shkojnë me këtë shabllon ato shkojnë me nuanca të cilat janë në trend apo edhe me stilin apo formën që është në trend”, tha Llapashtica.
Për shpenzimet që i bëjnë për gardërobë dhe në sallonet e ndryshme, gazeta “Zëri” ditë më parë i ka dërguar disa pyetje edhe zyrës për Informim të presidentes dhe të kryeministrit, mirëpo ata nuk janë përgjigjur. Madje, as kreatorja Blerina Kllokoqi-Rugova, nuk ka kthyer ndonjë përgjigje./Zëri