Forca të mëdha policore sot rreth orës 13:00 kanë penguar tentimin e sërishëm për rrënimin e përmendores së Car Dushanit. Njësite të mëdha policore për një çast bllokuan Çarshinë e vjetër në pikën dalëse që çon kah Ura e Gurit, raporton agjencia “Zhurnal” nga vendi i ngjarjes.
Shkak për këtë ka qenë tentimi i sërishëm i një grupi protestuesish të udhëhequr nga plaku Xheladin Rrustemi i cili me flamurin kombëtar shqiptar ishte nisur për të rrënuar bustin e Car Dushanit i vendosur kohë më parë në urën e civilizimeve në qendër të Shkupit. Disa minuta ka zgjatur tentimi i plakut Rrustemi për të thyer kordonin e policisë por gjithçka ka qenë e kotë pasi që në dalje të çarshisë që çon kah Ura e Gurit ishin përqendruar dhjetëra forca të njësive speciale policore.
Rrustemi ka dhënë edhe një deklaratë në të cilën apelon që sa më shpejtë të rrënohet përmendorja e Car Dushanit. “Ne kemi dalë këtu për arsye që të rrënojmë përmendoren e Car Dushanit. Nuk ka nevojë askush të shkojë në Greqi të bisedojë për emrin. Shqiptarët dhe maqedonasit së bashku duhet ta rrënojnë përmendoren e Car Dushanit, sepse bashkërisht jetojmë në këto troje”, ka thënë plaku Xheladin Rrustemi, i cili nuk heqë dorë nga kërkesa dhe tentimi i tij për të rrënuar bustin famëkeq të Car Dushanit në Shkup.
Gjatë këtyre momenteve policia ka legjitimuar edhe gazetarët të cilët nuk lejoheshin të kalonin në anën tjetër. Pas disa tentimeve të pasuksesshme të plakut me flamur në dorë dhe disa shoqëruesve turma e tubuar është shpërndarë. Pas kësaj edhe forcat e mëdha policore janë tërhequr nga Çarshia e vjetër, duke u kthyer më poshtë në afërsi të Urës së Gurit dhe përmendores së Car Dushanit. Më pas protestuesit të cilët ishin nisur për të rrënuar përmendoren e Car Dushanit në shenjë revolte kanë tentuar në Bit Pazar ta bllokojnë trafikun mirëpo kanë qenë të penguar nga policia.
Përndryshe, edhe të premteve të tjera vërehet prani e madhe e forcave policore në afërsi të Urës së Gurit dhe përmendore së Car Dushanit. Policia çdo ditë qëndron në këto pika për të ruajtur ndonjë tentim eventual për rrënimin e kësaj përmendoreje e cila shkaktoi irritim të madh tek shqiptarët. Demostruesit revoltën e shprehën reth 30 minura ku më pas u tërhoqën. Gjithsesi sigurimi policor ende qëndron para urës “Syri“.





