| NGA: PETRO LATI |
Kohët e fundit RTSH po tërheq vëmendjen e analistëve dhe politikanëve, ku duket qartazi se ka ardhur koha të “vihet dorë” dhe të bëhen ndryshimet e radhës. Por të interesuar për ndryshime para së gjithash janë punonjësit e këtij institucioni. Disa e ndiejnë se ka ardhur koha t’u lënë vendin atyre që presin jashtë dhe nuk janë pak, të tjerë që janë si të zënë në faj, pasi i kanë “dhënë më shumë hak” partisë në pushtet, ndërkaq ka edhe një grup krijuesish profesionistë, të qetë, pa asnjë kompleks, por që ndihen keq kur me vend e pa vend shohin t’u thuhet “RTSH që mbahet nga taksapaguesit shqiptarë!”. Sikur vetëm ky institucion… po spitalet nga paguhen, po polica, po gjykatat, po vetë politikanët ku i gjejnë paratë… dhe më në fund edhe televizionet private te shqiptarët i marrin të ardhurat. Prandaj kjo historia e taksave që u përmendet një më dy është si t’i zësh tjetrit bukën në fyt! Të mos të harrojmë se mesatarja e rrogave në RTSH do të jetë rreth 35.000 lekë!
Shkruhet në shtyp se në RTSH ka rreth 1000 punonjës dhe kjo është e vërtetë. Por në thelb kjo shifër është disi dashakeqe, pasi e vërteta nuk shkon deri në fund: përveç punonjësve të RTSH-së në qendër, janë edhe të Shkodrës, Kukësit, Korçës, Gjirokastrës, ku funksionojnë radiot dhe TV lokale, si dhe dhjetëra punonjës të tjerë të antenave të transmetimit që ndodhen në zonat më të vështira të vendit. Pra, nuk janë shumë siç shkruhet. Madje të dhënat tregojnë se në RTSH është rrudhur në mënyrë dramatike numri i krijuesve. Vetëm në Televizion, përjashtuar informacionin, punojnë rreth 25-30 redaktorë a skenaristë të mirëfilltë, ndërkohë që vite më parë vetëm redaksia e kulturës ka pasur 15 të tillë. Para do vitesh për programin e Televizionit – përjashtuar informacionin - shërbenin 11 autovetura, kurse tani vetëm dy! Është rritur në mënyrë të pakuptimtë administrata, sekretare, këshilltarë, ekonomistë. Në RTSH investimet kapitale kanë qenë modeste, janë po ato godina, po ato studio, po ato mjedise. RTSH-së i kanë marrë shumë dhe pak i kanë dhënë!
Të bën përshtypje se nuk thuhet asnjë fjalë për Këshillin Drejtues të RTSH-së. Çfarë ka bërë mirë dhe ç’mund të kish bërë më shumë! Sepse ai ka drejtuar institucionin. Të duket se aty janë angazhuar disa njerëz anonimë, pa integritet, që nuk u vjen aspak rëndë kur RTSH qortohet e nënçmohet! A thua se ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi, kur edhe ca honorare i kanë marrë, disa ndere u janë bërë dhe mbi të gjitha ata nuk e kanë justifikuar besimin e atyre që i sollën në atë detyrë.
Fatkeqësisht ky qëndrim e kjo histori ka vite e vite që ndodh e përsëritet dhe nga mënyra si shkruhet e flitet do të vazhdojë edhe më pas.
Ndërkaq është e pakuptimtë heshtja e komisionit të djeshëm të medias: në ç’shkallë ka qenë vëmendja e tij, çfarë nuk shkon dhe si mund të ndërhyhet ligjërisht që RTSH të zërë vendin parësor në media dhe sa do të mund të zbehet - në një farë mase - ndikimi i politikës në këtë institucion.
Kujtojnë para do vitesh drejtorin e përgjithshëm, Perit Becin, duke dhënë një raport informues në Kuvendin e Shqipërisë. Por në ç’shkallë ishte interesi i deputetëve dhe sa ishin në sallë? 100… 80… 50…. Po informohej parlamenti për veprimtarinë disavjeçare të RTSH-së! Për të qeshur e për të qarë. Nuk ishin më shumë se gjashtë deputetë, në një orë të vonë, gati të fjetur, pa asnjë lloj interesi. Nuk pati pyetje, debat, të vinte turp dhe ndiheshe i braktisur kur shikoje një pamje të tillë.
Në mënyrë flagrante RTSH, nën presionin direkt të politikës, të qeverisë dhe parlamentit, ka prishur programacionin dhe janë deformuar raportet me teleshikuesin. Askush në nuk është i bindur se një emision, koncert, dokumentar, film, ose program tjetër do të jepet në orën e programuar. Kjo e ka lodhur shikuesin, e ka ftohur, ka humbur besimin në seriozitetin e institucionit, pasojë e kësaj situate është se ka shumë produkt televiziv që transmetohet pa u parë, pa lënë ndonjë gjurmë. Askush nga lart nuk ka dashur të dijë se ky institucion “kontratën” e ka me njerëzit e thjeshtë dhe jo me tekat e politikës, konferencat e pakuptimta për shtypin, apo me jetën e ndezur parlamentare.
Televizioni nuk është vetëm informacion
Ka vite që programi i televizionit është i ndarë nga edicionet e shumta të lajmeve. Kur qortojnë, apo flasin për reformë, të shumtën e rasteve, njerëzit kanë parasysh edicionet informative, të shtrira për gjithë ditën, të gjata, që ushqehen nga politika dhe mbeten të mërzitshme.
Por të gjithë shpresoj të biem dakord se TVSH ka numrin më të madh të shikuesve në takimet e ekipit kombëtar të futbollit, në kampionatin botëror dhe atë evropian të futbollit etj., në olimpiadat, në rubrikën sportive, që ka një moshë mbi 50-vjeçare. Ndërkaq, të shumtë janë ata që ndjekin festivalin e përvitshëm, apo Eurosongun, filmin apo aktivitete prestigjioze ndërkombëtare. Në disa programe të mëngjesit, apo të mesditës janë ftuar intelektualë të njohur, të nderuar, si mesazhe të njerëzve të punës mendore, sakrificës e dinjitetit. Nuk mungojnë dokumentarët nga fusha e kulturës, historisë, koncertet, etj.
Po prapë Televizioni qortohet, fshikullohet, sepse ai ka mbajtur dhe mban mbi kurriz informacionin, në një vështrim “paguan” haraçin e tij. Në edicionet e lajmeve njerëzit janë të lodhur nga prania e politikës, nga kronikat “më the, të thashë”, jo rrallë ndodh që aty shmanget realisht lajmi i ditës, etj. Në mënyrë të pakuptimtë në informacion këto 20 vjetët e fundit kanë drejtuar njerëz të përzgjedhur dhe të kontrolluar nga politika, në ndonjë rast të paaftë dhe pa integritet. Të ftohtë ndaj kolegëve të tjerë, ata kanë bërë të parin, sepse kanë pasur mbështetje nga lart dhe u kanë shërbyer atyre në krye. Pa ndonjë përgjegjësi ndaj programit të Televizionit, ata kanë ndërhyrë shpesh duke zhvendosur apo duke i hequr fare emisionet nga transmetimi, duke u dhënë shikuesve lajme për lajm, apo konferenca bajate të shtypit. Më kujtohet në vitin 2005, në drejtorinë e aktualitetit kish ardhur një i ri. Me urdhër të këtij zotniu, tri herë është ndërprerë një dokumentar në mbrëmje, diku rreth orës 21:30. Tri herë sepse Berisha – Nano do të takoheshin! Në ndërhyrjen e parë u tha se “Pritet të ndodhë ky takim i shumëpritur”, në të dytën u fol më saktë: “Nga çasti në çast do të dalin nga salla”. Në të tretën herë kronistja foli nga bulevardi: “Merret vesh se u takuan dhe ranë dakord…!”. Kjo ishte ngjarja, ky ishte lajmi! Askush nuk kërkoi falje për ndërprerjen e programit, asnjë fjalë…. Raste të tilla skandaloze janë të panumërta. Por këto vitet e fundit drejtorët e aktualitetit në TVSH u bënë edhe moderatorë programesh të dështuara. Në këtë kontekst, kështu si ka ndodhur dhe ndodh në RTSH, më shumë se të tjerët, është informacioni që u ka borxh krijuesve të Televizionit profesionalizmin, frymën realiste dhe objektive; ky detyrim shkon paralel me shikuesit shqiptarë, brenda e jashtë vendit.
Mirë sot, po nesër?
Kushdo në RTSH është për reformë dhe ndryshime në të mirë të këtij institucioni, që është dhe mbetet pasuri kombëtare. Shqiptarët kanë sakrifikuar në ngritjen e tij, kurse ata që punuan aty për vite me radhë kanë qenë krijues pasionantë: e kanë dashur punën dhe kanë respektuar publikun. Gati 10-vjet më parë pati një lëvizje sindikaliste, që kërkonte që “RTSH të ishte publik, në një vështrim ai duhej “t’i kthehej” popullit. Po ç’ndodhi? Kryetari i Komisionit të Medias të kohës i fshihej sindikatës, nuk pati as guximin të takohej fare me ta, kurse një deputet, që sot nuk lë gazetë dhe studio pa shkuar, e cilësoi sindikatën “si kundërshtare të reformave!”, në një kohë që ajo kërkonte ballafaqim dhe mbështetje nga të zgjedhurit e popullit. Situata nuk ndryshoi dhe koha tregoi se sindikalistët e RTSH-së kishin të drejtë. Nuk ka ndodhur kurrë që përfaqësues të politikës, anëtarë të Komisionit të Medias të organizojnë qoftë edhe një takim të vetëm me punonjësit e RTSH-së, për faktin se ky institucion varet nga parlamenti dhe atyre u “ka qarë” zemra për të!
Ndoshta njerëzve nuk u shkon në mendje se ligji për Televizionin Publik është miratuar diku nga viti 1994! Gati 20 vjet pa bërë asnjë debat serioz, gjithëpërfshirës, asnjë ndryshim, asnjë amendament. Ai ligj, i cili ka nevojë të përmirësohet, pasi është hartuar kur televizionet private mungonin dhe si i vetmi, atij i binte barra të mbante goxha ngarkesë politike. Në ditët e sotme RTSH duhet të jetë i çliruar nga politika dhe i pavarur.
Para do kohësh në Partinë Socialiste është organizuar një diskutim për RTSH. Mirë bënë, por nuk u mësua në ishin të ftuar edhe punonjës të tij! Në shtyp shkroi një analist që shprehet edhe për zgjedhjet, ekonominë, përqindjet… Zgjidhje e tij! Por besoj se pa ndryshuar ligjin, pa ndryshuar raportet me Qeverinë dhe parlamentin, pa përcaktuar qartë detyrat dhe detyrimet ndaj teleshikuesit, rolin dhe vendin e Këshillit Drejtues, statusin e punonjësve të RTSH-së druaj se gjërat do të vazhdojnë siç kanë qenë.
RTSH nuk mund të vazhdojë më praktikën e marrjes në punë sipas porosive nga lart. Ka ardhur koha e konkurrimit të vlerave, të vizionit, të përzgjedhjes në të gjitha drejtimet. Kjo përvojë ka vepruar deri në vitin 1992 pastaj u la mënjanë, sepse emërimet vinin nga lart. Punë miqsh!
Për RTSH po konkurrojnë shumë, madje intelektualë të njohur, gjë që tregon se ai nuk është larg interesave të tyre, sikurse edhe të politikës. Dikush do të fitojë. Pa mëdyshje drejtuesi i ardhshëm do të jetë para një sfide të madhe, nëse vërtet do të dojë që të mos shkruhet si në 20 vitet që shkuan. Do të doja që kjo pasuri kombëtare, RTSH, ndër më të hershmit në Ballkan, të vihej në rrugë të mbarë…!
*Gazetar dhe skenarist në RTVPSH






