Kohë më parë(vërejtja e redaksisë)filmi i shkurtër “Jetë të Riciklueshme” me natyrë artistike portret – dokumentar realizuar nga Blerina Goce u shfaq në festivalin “Young Albanian Filmmakers Festival” në New York. Festivali, organizuar me sukses nga Bujar Alimani u mbajt në Manhattan, tek Producers Club. Dokumentari cek temë sociale dhe rrezikun me të cilin përballet një familje dhe lagje në Shqipëri nga ndotja dhe mbeturinat në ambient.
“Shqipëria, është para një momenti të madh që hap sipas meje një epokë të re në historinë tonë, atë të europianizimit. Filmi dokumentar normalisht ka shumë për të reflektuar dhe adresuar këto probleme të zhvillimit. Shpresoj që institucionet e filmit në Shqipëri të zgjohen dhe të jenë në një hap me kinemanë shqiptare. Në fund të fundit shpresoj që të gjithë të kemi mundësinë dhe mbështetjen për të bërë filma qoftë dhe duke ngjallur debatin publik për çështje që shqetësojnë realisht shoqërinë tonë,” u shpreh Blerina Goce.
“Shoqëria shqiptare vitet e fundit po përballet me problemet mjedisore që sa vijnë e bëhen më të mprehta. Prej kohësh po kerkoja të gjeja mjetin më të mirë për të shprehur pikërisht disa shqetësime të miat dhe jo vetëm. Mundësia mu krijua me uorkshopin për kineastë të rinj të organizuar nga Akademia “Varaan” dhe Televizioni Francez Arte, në ambientet e Akademisë “Marubi” me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Unë, pasi fitova konkursin dhe m’u miratua projekti, m’u desh të përballesha jo vetëm me vështirësitë e natyrshme të trajtimit të kësaj teme, por edhe me pengesa të shumta per të cilat mu desh t’i drejtohem për mbrojtje Zyrës së Të Drejtave të Autorit. Ndoshta kjo është rrjedha normale e filmave dokumentarë, që atakojnë interesa të caktura,” shtoi ajo.
Violeta Mirakaj, Bujar Alimani, Arta Kallaba, Ermira Babamusta dhe Lola Luma, Nata e ndarjes se cmimeve ne festivalin YAFF, New York





