Më mirë një sallatë shope, sesa një sallatë fjalësh
Deri kur disa hoxhallarë do të flasin pa asnjë rregull dhe deri kur do të vazhdoni ta thoni të vërtetën në kohën dhe mënyrën e gabuar? Unë mendoj se shumë thirrësve Islam i duhet fillimisht një kurs dy vjetor për mësimin e gjuhës shqipe, sepse në këtë gjuhë po mundohen ta kumtojnë të vërtetën, pastaj edhe nja dy vjet tjera për mësimin dhe zhvillimin e artit të ligjërimit dhe të bërjes debat, sepse vërtetë shkretuat si është më së keqi. Gjuhën dhe kulturën arabe (ndërsa jo atë Islame) e keni mishëruar shumë keq me gjuhën shqipe dhe me sokëllimat që rëndom i shkojnë përshtati gjuhës së bukur arabe, por jo edhe asaj shqipe. Mjaft më përfituat nam prej skandaleve. Mediat pise këtë janë duke e pritur nga ju! Të vërteten thonë, por kujdes se ky popull ka probleme me shkronjën A, ndërsa shoh se disa ligjërojnë për të kuptuarit e shkronjës ZH. Vërtetë unë kam përfituar shumë prej gjithë hoxhallarve, Allahu i shpërbleftë, por ndiej nevojë që edhe hoxhallarët tashmë të përfitojnë prej këshillave tona, mbase unë ende vijoj të përfitoj, vetëm se dua; jo vetëm të kuptoj prej juve por edhe të kuptohem prej juve!
Burimi:Iljasa Salihu





