Vendi i tyre njihet si vend i pasur, por për shumë irlandezë, kriza e fundit ekonomike ka bërë që ata t’i rikthehen emigrimit në SHBA si zgjidhja e vetme përballë vështirësive ekonomike në shtëpi
Kriza ekonomike
Pak vite më parë, Irlanda shihej si historia e suksesit të Bashkimit Europian, me të ardhura për frymë prej 120 për qind të mesatares së rajonit. Por pesë vjet krizë ekonomike kanë bërë që shumë irlandezë t’i drejtohen rrugëzgjidhjes së tyre tradicionale, emigrimi drejt Amerikës, njësoj siç bënë gjatë shumë shekujve. Mijëra prej atyre që janë zhvendosur në SHBA po bëhen emigrantë të paligjshëm.
Nga lagjet irlandeze të Amerikës, ajo që gjendet në kufi mes Bronxit dhe Jonkers në Nju Jork mund të jetë më e gjalla. Përgjatë rrugës gjenden klube sipas modës irlandeze. Dyqanet e ushqimeve ofrojnë proshutë të zierë, bukë tërshëre dhe çaj. Një dyqan dhuratash shet pulovra leshi e statuja që mbajnë kryqe keltësh.
Emigrantët irlandezë janë vendosur në këtë zonë prej dekadash, në valë të shkaktuara nga krizat ekonomike në shtëpi. Në rrugët kryesore, dominon aksenti irlandez.
Ndërsa kontrollet për emigrantë janë ashpërsuar vazhdimisht, udhëtimi i tyre është bërë gjithnjë e më i vështirë. Por papunësia, rënia e pagave dhe perspektiva e vakët për karrierë i ka nxitur sërish irlandezët që nga viti 2008 të ndërmarrin aventurën përtej Atlantikut.
“Ishte njëfarë surprize për mua”, thotë Megan, 20 vjeç, e cila ndoqi të dashurin e saj tre muaj më parë nga Dublini dhe gjeti punë në një kafene irlandezësh në Jonkers, Nju Jork. “Kur sorollatem në këtë zonë gjatë natës, nuk duket sikur jam në Amerikë. Ndihem si në shtëpi, për shkak se këtu ka kaq shumë irlandezë”.
Nëse nuk do të ishte për bashkësinë, Megan thotë se malli për shtëpinë do të kishte mjaftuar që ajo të kthehej, por tashmë ka në plan të qëndrojë gjatë.
“Sa herë që marr në telefon mamanë, ajo duket sikur thotë ‘mos e vrit mendjen të kthehesh – asgjë nuk ka ndryshuar shumë këtu’”.
Shifrat e emigrimit irlandez në SHBA janë të vështira për t’u gjetur për shkak se shumë, si Megan, vijnë me vizë turistike dhe pastaj punojnë në ekonominë informale.
Në Jonkers, burrat vërdallisen me gotat e birrës nëpër pabe gjysmë të zbrazura. Ata thonë se tashmë ka më pak emigrantë se sa në valën e fundit të madhe të emigrimit irlandez në vitet 1980.
Por ata që punojnë me emigrantë në qytete të mëdha si Nju Jorku, Bostoni, Çikago dhe San Francisko, kanë dalluar një rritje të fuqishme në numrin e emigrantëve të rinj gjatë dy apo tri viteve të fundit.
Sipas autoriteteve irlandeze, gati 20 mijë njerëz ikën në SHBA mes prillit 2010 dhe marsit 2013 – dy herë më shumë se sa patën ikur në tre vitet e mëparshme.
Qendra e Bashkësisë Irlandeze në SHBA thotë se ka një rritje të stërmadhe, ndoshta me dhjetë herë, në mbërritjen e emigrantëve të rinj në krahasim me një dekadë më parë. Shumica janë të rinj, megjithëse ka edhe të moshuar që kanë emigruar dy herë, ishin kthyer në Irlandë gjatë kohës së bumit para se të emigronin sërish kur Irlanda u thye.
Shumica e atyre që kërkojnë ndihmën e Shoqatës Irlandeze të Amerikës, kishin punë në Irlandë, por ishin të shqetësuar nga papunësia apo nga ulja e orëve të punës.
Destinacioni i parapëlqyer është SHBA, si pasojë e lidhjeve të forta historike, si dhe me lidhjet fizike që kanë të sapoardhurit atje me të afërm apo miq.
Emigrimi irlandez në SHBA arriti kulmin në mes të shekullit të 19, rreth kohës së Urisë së Madhe. Më 1855 kishte rreth 200 mijë irlandezë që jetonin në Nju Jork dhe ata mbetën bashkësia më e madhe e lindur jashtë SHBA-së në qytet për mbi 30 vjet. Shumë të tjerë shkuan në Boston apo në Bregun Lindor.
Mbi 70 për qind të atyre që emigrojnë nga Irlanda janë në të njëzetat, por ata kanë edhe arsimim më të lartë se sa mesatarja e vendit. Por Nill O’Doud (Niall Dowd), një gazetar irlandez që jeton në Nju Jork thotë se ata nuk gjejnë gjithmonë punë të mira.
“Shumë prej tyre janë të arsimuar e inteligjentë, por gjejnë vende pune të shtresës së ulët si ndërtim apo lokale këtu. Është rrjeti i irlandezëve që i udhëheq dhe shpesh nuk janë në gjendje të dalin nga ky rrjet.
Për sa kohë nuk janë me shumë fat për të fituar lejen e qëndrimit në lotarinë Green Card, ata që dëshirojnë të emigrojnë duhet ose të gjejnë një punëdhënës bamirës para emigrimit ose të vijnë me një vizë J-1 për studentë ose të sapodiplomuar.
Ka një vizë 90-ditore, J-1 që i lejon studentët të punojnë në SHBA gjatë pushimeve të verës dhe një vizë 1-vjeçare J-1 që i kërkon të sapodiplomuarve të gjejnë një vend pune të lidhur me diplomën e tyre.
Riçard Bërk (Richard Burke) erdhi dy herë me vizë vere J-1 dhe punoi si “kopshtar i famshëm” në Kaliforni më 2009 e si barist në Çikago më 2012. Në gusht ai lëvizi në Filadelfia, pasi u diplomua në inxhinieri kimike.
Tashmë punon për shtetin e Delaueres dhe po shpreson të transferohet në një vizë me afat më të gjatë para se të aplikojë për leje qëndrimi. Ai dëshiron të jetojë përgjithmonë në SHBA.
Megjithëse amerikanët “të pranojnë me krahët hapur”, ai shton se një lidhje irlandeze mund të jetë me rëndësi. “Aktualisht duhet të njohësh dikë që të vësh këmbët brenda për shkak se shumica e korporatave do të shohin se vizat zakonisht kërkojnë shumë dokumente, pra telashe e bezdi”.
Bërk, 23 vjeç, ka mbështetje morale nga anëtarët më të moshuar të bashkësisë irlandeze të Filadelfias.
Danielle Allen, 26 vjeç, erdhi gjithashtu me një vizë J-1. Ajo ka master në marketing, por e gjeti veten duke punuar si recepsioniste në një hotel në kontenë Kork në Irlandë. Ajo mendoi të shkojë në Kaliforni, ku kishte kaluar verën si studente, por një kushëri në Çikago e bindi të shkojë në këtë qytet. Ajo gjeti punë në një bashkësi emigrantësh irlandezë, një grup i madh miqsh irlandezë që kanë ardhur gjatë viteve të fundit.
Irlandezët “lidhen me njëri-tjetrin, – thotë ajo. Ka një bashkësi të madhe irlandezësh dhe çdokush përpiqet të ndihmojë të sapoardhurit për të gjetur strehë e punë. Nëse dëshiron të merresh vetëm me irlandezë, mundesh të hash, të flesh dhe të pish si në shtëpi”.
Të premten e parë të çdo muaji, organizata e irlandezëve mbledh njerëzit që kërkojnë vende pune. Por ata që janë pa dokumente kanë edhe më shumë nevojë për këtë organizatë, pasi ajo ndihmon për të gjetur strehë apo punë në të zezë.
Në shumë zona, këto lloj organizatash kanë zëvendësuar kishat si pika kryesore e kontaktit. Këto qendra vlerësojnë se aktualisht ka mbi 50 mijë irlandezë që jetojnë pa dokumente në SHBA.
Një studim i kohëve të fundit zbuloi se për shumë emigrantë, nuk është e logjikshme që të qëndrojnë ilegalisht në SHBA, megjithatë, vetëm një në dhjetë prej tyre tha se kishte ndër mend të kthehej në Irlandë kur viza e tyre të skadonte.
Pas valës së fundit masive të emigrimit irlandez në vitet 1980, politikanët e fuqishëm amerikanë me rrënjë irlandeze arritën të krijojnë bazë ligjore për viza speciale për dhjetëra mijë prej tyre.
Irlandezët do të përfitojnë 10 mijë viza të ngjashme nga programi i reformës së emigrimit të mbështetur nga presidenti aktual, por për momentin ka pak shpresa që kjo reformë të miratohet.
Kjo do të thotë se emigrantët pa dokumente janë zënë në kurth, nuk janë në gjendje të kthehen në atdhe për martesa apo funerale pasi kanë frikë se nuk do të rikthehen dot në SHBA. Edhe marrja e një leje drejtimi automjeti apo kujdesi shëndetësor është një problem. Dhe shumë janë të shqetësuar nga rreziku i deportimit, nëse ndalohen nga policia.
Konor, 27 vjeç, ka jetuar pa letra që nga viti 2010. Ai u largua për shkak se “nuk kishte më miq në lagje dhe asgjë për të bërë”. Tani punon si elektricist për të vëllain në Çikago.
“Për mua është e vështirë, sepse nuk mund të kthehem në shtëpi. Vazhdimisht hap sytë se mos më kapin”, thotë ai. Pasi ka humbur tri Krishtlindje familjare, po mendon të kthehet në Irlandë dhe pastaj të niset për në Australi.
Emigrantët e rinj të Irlandës
70 për qind e tyre janë të rinj, në të njëzetat
62 për qind janë të diplomuar
47 për qind kishin vende pune me kohë të plotë para se të largoheshin
Emigrantë të famshëm:
Në drejtimin e orës nga majtas, sipër: Pierce Brosnan, Samantha Pauer, (Power), Gabriel Birn (Byrne), Samantha Mumba, Brendan Behan, Maureen O’Salivan (Sullivan), Frank Mekkurt (McVourt, Xhon Filip (John Philip) Holland
Aktori Pierce Brosnan u bë nënshtetas amerikan më 2004
Samantha Pauer, ambasadorja e SHBA-së në OKB, emigroi atje në moshën 9 vjeç
Aktori Gabriel Birn është nga Dublini që shkoi në SHBA në vitet 1980
Këngëtarja Samantha Mumba ndoqi një karrierë filmi përtej Atlantikut
Skenaristi Brendan Behan ra në dashuri me Nju Jorkun, por bashkëshortja e tij, jo
Maureen O’Salivan luajti rolin e Xhenit krahas Tarzanit të Xhoni Ueismyler (Johnny Weismuller)
Shkrimtari Frenk Mekkurt la fëmijërinë e ashpër në Irlandë
Inxhinieri Xhon Filip Holand njihet si babai i nëndetëses moderne





