Hakerat sulmojnë faqen e Kryeministrit


Hakerat kanë sulmuar faqen e korrespondencës konfidenciale të Kryeministrit të vendit Edi Rama duke marrë prej andej korrespondencën që ai ka patur me qytetarë të ndryshëm,të cilën më pas e kanë shpërndarë po vetë. Lajmin e kanë bërë të ditur burime nga vetë hakersat, duke e shoqëruar me dërgimin e  179 mesazheve  që qytetarët i kishin dërguar Kryeministri. Mesazhet kanë qenë të adresuara nga brenda, por edhe nga jashtë vendit. Ato mbajnë si datë fillimi 01 nëntorin 2013 dhe vazhdojnë deri në 26 dhjetor 2013. Lënda e mesazheve, tashmë të shpërndara nga hakerat, përmban  sugjerime, kandidime për vende pune, urime, CV, propozime, këshilla,  kërkesa dhe dhënie mundësish për punësim. Lidhur me motivin e këtij sulmi, pasi i urojnë marrësit të tyre festat e fundvitit, hakerat e  sqarojnë se e kanë ndërmarrë sulmin e paprecedent të indinjuar prej pjesëmarrjes së kryeministrit Edi Rama në meshën e Krishtlindjes Ortodokse, që sipas tyre është zhvilluar në gjuhën greke, por edhe për t’i hapur sytë shqiptarëve, që të kuptojnë dështimin e qeverisë në mbrojtje të tyre.
Komenti i gazetës:
Hakersat dhe e vërteta
Nuk e dimë në fakt se cili mund të ketë qenë shkaku i vërtetë i zemëratës, që i ka detyruar hakersat të sulmojnë faqen kryeministrore. Pasi ajo e pjesëmarrjes së Kryeministrit të vendit në një meshë fetare të mbajtur në gjuhën greke, nuk duket se e mbush edhe aq mendjen e publikut. Sikundër nuk është mëndjembushëse edhe arsyeja e dështimit të pretenduar të qeverisë për mbrojtjen e shqiptarëve. Ndoshta ndonjë shkak tjetër do t’ua ketë mbushur mendjen hakersave të ndërmarrin këtë veprim aspak normal, dhe për më tepër antiligjor, që shkon përtej të zakonshmes dhe merr përmasat e një lajmi ndryshe./Koha Jone