Anxhela Tato
Zbardhet analiza e mjekësisë ligjore, në trupin e ish-deputetit, jo lëndë të dyshimta
Viktima ka goditur kokën tek kolona e makinës, sipër dritares së pasagjerit
Shoku traumatiko-hemorragjik i ka marrë jetën ish-deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi. Ekspertiza e plotë mjekoligjore është zbardhur ditën e djeshme dhe është depozituar në Prokurori. Burime nga organi i akuzës kanë bërë të ditur se gjatë ekspertizës së të ndjerit, nuk janë gjetur lëndë të huaja në trupin e Olldashit. Ekspertiza mjekoligjore është kryer nga dy mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të gjitha veprimet janë regjistruar nga kamera, për efekt të provave. Pas aksidentit, nga trupi i Olldashit ishin marrë kampionë, me qëllim evidentimin e lëndëve të huaja në trupin e tij dhe nëse kishin ndikuar në shkaktimin e aksidentit mbrëmjen e datës 20 nëntor 2013 që i mori jetën deputetit demokrat. Burime nga Mjekësia Ligjore thanë se viktima Sokol Olldashi ka pasur dëmtime të mëdha në pjesën e kokës që i kanë prekur edhe trurin, që kanë qenë fatale për të, duke i sjellë edhe vdekjen e menjëhershme. Gjithashtu, nuk janë evidentuar shenja apo dëmtime që mund të jenë marrë përpara se të ndodhte aksidenti tragjik, që i mori jetën deputetit Olldashi. Koka e deputetit është goditur nga kolona e makinës, sipër dritares së pasagjerit.
Ekspertiza autoteknike
“Tri pikat e shkelura janë: Shpejtësia e automjetit (neni 139 i Kodit Rrugor). Në momentin e aksidentit, drejtuesi i mjetit po udhëtonte me shpejtësi 45 km/h. Sipas ekspertizës, në bazë të nenin 139 të Kodit Rrugor, më specifikisht, në paragrafin 3 të tij, thuhet: Veçanërisht, drejtuesi i mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë në pjesët e rrugës me fushëpamje të kufizuar, në kthesa, në pjerrësi të forta, në orët e natës, në rastet e fushëpamjes së pamjaftueshme për shkak të kushteve atmosferike. Në kushte atmosferike të rënduara, siç ka qenë në momentin e aksidentit dhe në një kthesë të fortë, siç është konstatuar nga këqyrja e vendit të ngjarjes, automjeti duhet të lëvizte me shpejtësi më pak se 20 km/h. Mosrespektimi i sinjalistikës rrugore (neni 144 i Kodit Rrugor). Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, është konstatuar se ekziston sinjalistika vertikale, e cila tregon drejtimin e kthesës në të majtë. Megjithatë, sipas ekspertëve, mungon sinjalistika horizontale. Përdorimi i rripit të sigurimit (neni 170 i Kodit Rrugor). Nga këqyrja në vendngjarje dhe nga ekspertiza, ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk ka pasur të vendosur rripin e sigurimit. Nga ana tjetër, raporti i ekspertëve autoteknikë ka nxjerrë edhe një përfundim tjetër, mbi gjendjen e pareteve anësorë të rrugës. Sipas materialit zyrtar, dorëzuar ditën e djeshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, konstatohet: Nga enti pronar i rrugës nuk janë vendosur barrierat e sigurisë në pikat kritike, të cilat rrisin sigurinë e përdoruesve të rrugës në qarkullim. Lidhur me këtë çështje, grupi i ekspertëve prezanton edhe një këndvështrim teorik, sipas të cilës: Një barrierë garanton të gjitha performancat – që janë mbajtja e mjeteve të rënda, zbutja e efektit të përplasjes për personat, mjetet e lehta dhe ridrejtim të kontrolluar të mjetit pas përplasjes – duhet gjithashtu të sigurojë një veprim efikas kundërshtues për përmbysjen e mundshme të mjeteve që kanë bariqendrën e lartë (situatë që mund të jetë po aq e rrezikshme aq sa edhe mungesa e mbajtëseve), dhe mundësisht duhet të karakterizohet për të pasur hapësira të limituara pune ( gjerësi operative, deformim edhe devijim). Lidhur me rastin konkret, ekspertët autoteknikë shprehin mendimin: Konstatojmë edhe shkeljen e kërkesave të nenit 14 të Kodit Rrugor nga enti pronar i rrugës. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon të kryejë të gjitha veprimet e duhura hetimore për të përcaktuar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje./standard






