Një princ saudit, i cili akuzohet për vrasjen e një bashkëkombësi mund të dënohet me vdekje nga autoritetet e Arabisë Saudite.
Edhe pse ai është pjesëtar i familjes mbretërore që udhëheq vendin, rrezikon seriozisht dënimin kapital. Mediat saudite nuk e bëjnë publik emrin e princit, por thonë se vetë familja mbretërore ka kërkuar që ligji të zbatohet, pavarësisht prejardhjes së të akuzuarit.
Mediat saudite thonë se princi regjent, Salman u ka kërkuar gjykatave që të mos hezitojnë për të dhënë dënimin kapital për pjesëtarin e familjes mbretërore, nëse ai shpallet fajtor.
Princi regjent i dërgoi edhe një letër ministrit të Brendshëm për çështjen në fjalë. “Ligjet e Sheriatit (Ligjet Islamike) duhet të aplikohen pa asnjë përjashtim”, shkruhet ne letrën e princit regjent, drejtuar ministrit.
Kërkesa e princit Salman u përshëndet nga familja e viktimës, së cilës i është ofruar edhe një shumë e majme parash si dëmshpërblim.
Megjithatë, familja e viktimës i refuzoi paratë e ofruara. Në një intervistë për një gazetë lokale, princi regjent, Salman shprehu vendosmëri për veprimin e ligjit mbi këdo që kryen krime.
“Nuk ka asnjë ndryshim mes të madhit dhe të voglit, të pasurit apo të varfrit. Kush shkel ligjin duhet të dënohet, dhe askush nuk duhet të ndërhyjë apo ndikojë në vendimet e gjykatave. Drejtësia është traditë e shtetit tonë. Ne jemi të vendosur që të zbatojmë Ligjet e Sheriatit”, tha princi.
/Shekulli Online/E.D./