A kanë ndonjë gjë të përbashkët boksi me shahun?

Shahu dhe boksi duken si një çift gjërash shumë të ndryshme, por dukshëm ata kanë diçka të përbashkët, strategjinë që shpie drejt fitores, shkruan David Edmonds

Leuis vs. Klitçko


Njëri është shpesh një duel i karakterizuar nga barbaria, ashpërsia dhe dhuna. Dhe boksi është pikërisht ky.
Por ish-kampioni i peshave të rënda, Lenoks Leus (Lennox Lewis), tashmë ka më shumë gjasa të jetë në një tavolinë shahu se sa në një arenë boksi. Vetë ideja se boksierët mund të luajnë shah dhe anasjelltas, shahistë që mund të bëjnë boks, shihet si diçka e pamundur nga shumica e njerëzve.
Shahu, në fund të fundit, është sporti më i lartë mendor ndërsa boksi është hapur brutal. Kur kundërshtarët e tij në shah mësojnë se ai më herët ishte boksier, Lenoks thotë se ata bindeshin menjëherë se kishin një lojtar të dobët shahu përpara. “Dhe kur unë i rrihja në shah, mërziteshin shumë”.
Ai nuk është i vetmi boksier që luan shah. Leuis me sukses mbrojti titullin e tij kundër ukrainasit Vitali Klitshko. Klitshko mban titullin profesor (PhD) dhe tashmë ka hyrë në politikën e Ukrainës. Njësoj si i vëllai, Vladimir, një kampion tjetër boksi, edhe Klitshko është shumë i pasionuar pas shahut.
Leuis bën shaka se ai dëshiron një ndeshje promovuese shahu mes tij dhe rivalit të vjetër – megjithëse ka pak gjasa që shahu të sjellë miliona dollarë, siç solli beteja e tyre e vitit 2003.
Çudia e kombinimit të boksit me shahun, – trurit dhe muskujve – ndërkohë ka tërhequr spektatorë në një sport të ri “shahu i boksierëve”. Tingëllon si diçka nga “Liza në botën e çudirave”.
Te shahu i boksierëve, dy luftëtarët kanë ndeshje të alternuara shahu dhe boksi, fitorja arrihet në shumë mënyra por më qartë arrihet me shah mat ose me nokaut.
Pasi përpiqen të rrëzojnë apo tronditin njëri-tjetrin në fytyrë dhe trup, kundërshtarët heqin vetëm një dorezë dhe përballen, duke u djersitur, nëpër të 64 kuadratet.
Ndërkohë komentatori zhvendoset në mënyrë surreale nga një aktivitet te tjetri – “ai e goditi atë me një grusht të fuqishëm”, dhe tani “Re1, një lëvizje e mrekullueshme për të kapur kontrollin e mesit të fushës”. Ka pasur turne shahu dhe boksi në Londër, Los Anxhelos, Kalkuta dhe Tokio.
Një nga komentatorët më të njohur të shahut, kryemjeshtri Xhonatan Rouson (Jonathan Rowson), thotë se boksi është një sport që i ngjan shumë shahut. “Pjesë e kësaj ngjashmërie është pastërtia e konkurrencës, – thotë ai. Praktikisht nuk ka asgjë që mund të ndërhyjë në një ndeshje një me një. Boksi ka doreza, por nuk ka topa, nuk ka porta, as shkopinj apo raketa”.
Pastaj ka edhe brutalitet. Në boks kjo është e dukshme. Në shah është te nënvetëdija por jo më pak reale. “Impulsi emocional pas shahut dhe dhimbja që shkakton, është e krahasueshme – por thjesht ka një formë të ndryshme”, thotë Rouson. Në shah, lojtarët e mundur nuk mund të akuzojnë për asgjë kundërshtarin për pamjaftueshmërinë e aparatit të tyre mendor – kufizimeve konjiktive me të cilat ata duhet të jetojnë çdo ditë. Si e tillë, disfata mund të jetë tronditëse nga pikëpamja psikologjike.
Dhe fitorja në shah, veçanërisht por jo ekskluzivisht në nivelin e elitave, kërkon një fuqi të jashtëzakonshme vullneti. Ish-kampioni amerikan i botës, Bobi Fishes (Bobby Fischer) dikur tha se e shijonte momentin kur ai mund të ndiente se egoja e kundërshtarit të tij po mposhtej.
Dhe kampioni rus i botës, Geri Kasparov, po aq ashpër, e përshkroi shahun si “sporti më i dhunshëm që ka bota”, që synon “të shkatërrojë egon e kundërshtarit”. Ndoshta nuk është rastësi se si boksi ashtu edhe shahu janë aktivitete në mazhorancë dërrmuese meshkujsh dhe se gjuha e ashpër e përdorur për të përshkruar shahun është po aq e përshtatshme edhe për boksin. Lojtarët e shahut flasin për “shtypje”, “copëtim” dhe “shkatërrim” të kundërshtarit.
Lenoks Leuis luan shah pothuajse çdo ditë. Ai thotë se kjo lojë e mbajti atë jashtë telasheve në rininë e tij të ashpër në Londrën Lindore. “Kur dikush thërret emrin tënd dhe ti dëshiron t’i biesh me grusht… kjo është pika kur të ndihmon shahu, ku duhet të mendohesh edhe për lëvizjet pasuese”.
Ai beson se kjo lojë e ka ndihmuar në arenën e boksit, madje edhe në ndeshje të famshme si ajo kundër Majk Tajson (Mike Tyson). Tajson, këmbëngul ai, ishte thjesht një luftëtar njëdimensional. Atij i mungonte sensi i sofistikuar strategjik. Kundër Tajsonit, njësoj si në fushën e shahut, Leuis synoi të kontrollojë qendrën.
Figurat e shahut duken shumë të dobëta në duart e stërmëdha të ish-boksierit. Trupi i tij gjigant 1.9 metra ishte gjithmonë një prani frikësuese për kundërshtarët.
I pyetur mbi joshjen më të madhe që ka nga kjo lojë, kampioni i pamposhtur i peshave të rënda përgjigjet me një metaforë konflikti: “Unë i dashuroj luftërat mendore”.