Duket se LDK-ja është duke iu kundërpërgjigjur kryeministrin Thaçi në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Vizita e Ramës dhe e Erdoganit në Prizren, ashtu sikurse edhe mbledhja e dy qeverive po në këtë qytet, e cila mbahet më 16 nëntor, shihet si një lëvizje për fushatë politike nga ana e LDK-së.
Kjo e fundit, siç thotë një burim brenda partisë, po planifikon që të ftojë në Kosovë, ish-kryeministrin Berisha për t;iu kundërpërgjigjur Thaçit. Një burim brenda LDK-së i tha mediave kosovare se vizita e Berishës është më shumë se mundshme dhe ka ditë që diskutohet. Ajo pritet të ndodhë gjatë mbledhjes së dy qeverive në Prizren.
Burimi ka thënë se, derisa PDK- po e shfrytëzon kryeministrin Rama për fushatën e saj në Prizren, LDK është duke bërë përpjekje ta sjell në Kosovë, e pikërisht në Prizren, ish kryeministrin dhe ish-kryetarin e PD-së së Shqipërisë, z. Sali Berisha.
Sipas tij, tashme janë bërë edhe hapat konkret në këtë drejtim dhe janë vendosur edhe kontaktet me Berishën për të vizituar Kosovën para mbajtjes së raundit të balotazhit.
“Organet e LDK-së e kanë analizuar me kujdes efektin që do të sillte ardhja e Berishës në përkrahje të LDK-së dhe impaktin qe mund të sill të një ndërhyrje të tillë brenda politikës kosovare, gjë e cila të paktën nuk ka ngjarë në mënyrë të hapur deri në zhvillimet e fundit ku Rama në mënyrë implicite doli në mbështetje të kandidatit të PDK-së në Prizren.
Mirëpo, pas analizave të bërë nga zyrtarët e lartë të kësaj partie kjo gjë është vlerësuar si normale për shkak së këto dy parti, LDK dhe PD e Berishës janë anëtare të Partive Popullore Evropiane (PPE) dhe së është normale që partitë si motra të mbështesin njëra tjetrin qoftë edhe në kohë fushatash”, ka thënë ky zyrtar i LDK-së, duke arsyetuar së kjo është normale për LDK dhe PD për këto arsye, ndërsa i quan jo normale përkrahjen e PS-së si parti e majtë dhe anëtare e Internacionales Socialiste qe ja bënë një partie të vetë deklaruar si parti e djathë, siç është partia e kryeministrit Thaçi.
“ Ne kemi orientime të njëjta ideologjike dhe programore si parti të djathta dhe kjo është arsyeja pse po planifikojmë të ftojmë në vizitë z. Berisha. Shpresojmë se ai do të jetë në Kosovë para datës 1 dhjetor. Mirëpo vendimi përfundimtar për të zyrtarizuar ftesën është në dorën e kryetarit Isa Mustafa dhe kandidatit të LDK-së për Prizrenin Eqrem Kryeziut.
Ka mbetur të bëhen vetëm vlerësimet përfundimtare në lidhje me efektin dhe reagimin ndërkombëtar në lidhje me këtë çështje. Ideja e LDK-së është që këtë vizitë të Berishës ta shfrytëzoj për mbështetje të kandidatit të saj në Prizren dhe jo vetëm kaq, duke pasur parasysh reputacionin që gëzon Berisha në Kosovë”, ka thënë ky burim.






