Home »
Patologjia
» Inflamacioni
Inflamacioni
Inflamacioni akut është reagimi i menjëhershëm ndaj lëndimit që shkakton skuqje, temperaturë, ënjtje, dhimbje dhe humbje të funksionit. Ndryshimet hemodinamike tek inflamacioni akut ndërmjetësohen nga materiet kimike vazoaktive dhe pas vazokonstriksionit kalimtar fillestar, prodhojnë dilatim masiv me permeabilitet të shtuar vascular. Neutrofilet janë qeliza të bardha të rëndësishme të gjakut të cilat përmbajnë granula me enzime të shumta shpërbërëse. Neutrofilet dalin nga qarkullimi i gjakut me anë të procesit të rregulluar lartë ku përfshihet margjinimi (lëvizja drejt murit të enës), adhezioni (ngjitja për endoteli), dhe emigrimi (lëvizja ndërmjet qelizave endoteliale për të dalë nga ena). Defektet e adhezionit mund t’i kontribojnë imunosupresionit i cili vërehet tek diabeti melit dhe përdorimi i kortikosteroideve. Kemotaksa është tërheqja e qelizave drejt një mediatori kimik i cili lirohet në zonën e inflamacionit. Fagocitoza e bakterieve nga neutrofilet përmirësohet akoma nëse opsoninat siq është pjesa Fc e Imunoglobulinës G apo produkti C3B i komplementit janë të lidhura për bakteriet. Sindromi i Chediak-Higashi-t është shembull i sëmundjes gjenetike me fagocitozë defective të neutrofileve. Posa bakteria të jetë fagocituar atëherë enzimet që kërkojnë oksigjen dhe ato që janë të pavarura nga oksigjeni mund të kontribojnë në mbytjen e bakterieve. Sëmundja granulomatoze kronike e fëmijërisë dhe deficiencat e mieloperoksidazës janë imunodeficienca të lidhura me deficiencën e mbytjes së bakterieve të varur nga oksigjeni.
Mediatorët kimikë të inflamacionit përfshijnë aminet vazoaktive, sistemin e kininave, produktet e acidit arahidonik, kaskadën e komplementit dhe citokinet. Inflamacioni akut mund të qojë deri te rigjenerimi indor, formimi i vrragës fibrotike, formimi i abscesit apo në inflamacion kronik. Në qelizat e rëndësishme në inflamacionin kronik përfshihen makrofagjet, limfocitet, eozinofilet dhe bazofilet. Inflamacioni kronik granulomatoz është formë e specializuar e inflamacionit kronik me makrofagje të modifikuara (qeliza epitelioide dhe qeliza gjigante me shumë nukleuse) zakonisht e rrethuar nga një unazë e limfociteve. Një numër i madh sëmundjesh mund të shkaktojë inflamacion granulomatoz kronike më së shpeshti tuberkuloza, sifilisi, leproza dhe infeksionet fungale. Format e reagimit të indeve ndaj agjentëve infektivë mund të përfshijnë inflamacionin eksudativ, inflamacionin nekrotizues, granulomatoz, intersticial, dhe inflamacionin proliferativ citopatik.