Europa ka nevojë për një euro të re

Intervista

Nga Euro në N’euro?! Flet Prof. Dr. Eckart D. Stratenschule, Drejtor i Akademisë Europiane të Berlinit

Monika Shoshori Stafa

Disa dekada më parë, kur u përmend se Europa e ardhshme do të kishte një monedhë të përbashkët, me emrin “ecu”, shumë pak ishte e besueshme. Monedhat ndërkombëtare historikisht janë vendosur me luftë. E vetmja monedhë që e ka shtrirë autoritetin e saj në gjithë kontinentin e bashkuar pa armë, pa dhunë dhe pa luftë është euro. Me euron është e lidhur dhe paqja e Europës. Kurrë ndonjëherë Europa nuk ka jetuar më shumë se një gjysmë shekulli pa luftë. Kjo është paqja më afatgjatë e saj. Në “euro”? Kjo është pyetja që i bëjnë sot qytetarët europianë njëri-tjetrit. Në “euro” apo jashtë saj? Euro hyri me druajtje në tregun e monedhave, por shumë shpejt u bë shumë autoritare. E parashikuar të ishte nën kursin e dollarit, ajo rezultoi dhe u provua mbi të. Por kriza botërore që detyroi supershtetet të nxjerrin rezervat e thesarit në qarkullim bëri të pashmangshme pyetjen: cila do të jetë e ardhmja e Europës: euro, një “neë euro”, apo edhe më keq, një “n’euro”, një situatë tendosjeje në konfederatën europiane në provë. Pikërisht në kushtet e kësaj krize u mbajt dhe një konferencë pa praninë e shtypit dhe të televizioneve, ku referuan akademikë gjermanë dhe shqiptarë dhe përfaqësues të tjerë. Kjo ishte dhe nxitja ime për të këmbëngulur në një intervistë me prof. dr. Eckart D. Stratenschule, drejtor i Akademisë Europiane të Berlinit që nga viti 1993.

Ju flisni për rolin e euros si faktor integrimi. Por a nuk është shfaqur dhe rreziku i dezintegrimit? Për shembull, nëse Greqia kthehet prapa, tek dhrahmia, çfarë do të ndodhë?
Euro është një urë ndërlidhëse e rëndësishme për integrimin europian, ekonomikisht por edhe politikisht. Prandaj të gjitha shtetet europiane janë të apeluara dhe shumë të angazhuara për të shpëtuar monedhën e përbashkët. Përjashtimi i Greqisë nga Eurozona duhet të përjashtohet si mundësi. Në pamje të parë mund të duket tërheqëse duke thënë: Greqia tërhiqet, fut përsëri dhrahminë dhe mund të zhvlerësojë monedhën e vet. Por kjo do të thotë që nëse borxhet e një vendi janë në euro, borxhi i tij do të thellohet më tepër, siç është rasti aktual dhe nuk do të ishte në gjendje t’i rikthente borxhet e veta asnjëherë, që do të thotë që Greqia do të ishte në vazhdimësi një rast (klinik) / për përkujdesje për Bashkimin Europian (BE). Kjo nuk është mirë për BE-në, as edhe për Greqinë, prandaj duhet ta mbajmë Greqinë në Bashkimin Europian dhe në Eurozonë për të qenë të sigurt që kjo urë ndërlidhëse “euro” të funksionojë edhe më tej.

Është evidente që ekonomitë e mëdha, si Gjermania, po bëjnë sakrifica për të ruajtur rolin integrues të euros. Po a nuk mban kjo rrezikun e edukimit të njerëzve për të jetuar me burime të pamerituara, domethënë për të edukuar qytetarin europian parazit?
Solidariteti nuk është rrugë me një kalim. Kjo shihet në mënyrë të tillë si në Eurozonë, ashtu edhe në Gjermani, dhe janë gjithashtu ekonomitë më të vogla, që duhet të japin kontributin e tyre, për aq kohë sa janë të qëndrueshme, si ajo holandeze apo finlandeze, nuk janë vetëm gjermanët, që iu kërkohet kjo. Por natyrisht që ne kërkojmë nga vendet që përfitojnë ndihmë, reforma të vazhdueshme dhe këto sigurisht edhe kontrollohen. Ajo që po ndodh në moment është, që këto vende jo vetëm ndihmohen, por njëkohësisht u jepet edhe një linjë reformash, e cila do t’i bëjë që në disa vite të shkëputen ndihmat e mëtejshme. Pra është krejt e kundërta: është edukim për më shumë produktivitet, për më shumë pavarësi nëpërmjet komunitetit të shteteve në Eurozonë.

Cila është rruga që ka përshkuar euro prej konceptit si para europiane, tek ecu-ja (eky), te paraja konvencionale, te paraja e vërtetë dhe tani edhe si monedhë ndërkombëtare?
Konkretisht mbi euron, si monedhë e përbashkët, është vendosur në vitin 1989, menjëherë pas rënies së Murit (të Berlinit). Prej kohësh ka pasur përpjekje për të krijuar një monedhë të përbashkët. Dikur ka ekzistuar një njësi e përbashkët financiare, ECU (European Currency Unit), por era politike e mbështetjes erdhi fillimisht nëpërmjet ndryshimit në Europë, duke qenë se qëllimi ishte integrimi më i fortë i shteteve, njëkohësisht edhe i Gjermanisë, gjithashtu edhe krijimi i një ure ndërlidhëse për Bashkimin Europian, i cili po rritej akoma më shumë. Pra euro ka një parahistori, atë të mendimeve dhe përpjekjeve për një monedhë të përbashkët dhe ka një histori, që prej vitit 1989. Marrëveshja është nënshkruar në vitin 1991. Në vitin 1992 është marrë vendimi në qytetin e Mastrihtit në Holandë dhe ka hyrë në fuqi në vitin 1993. Euro ka pas vetes shumë vite suksesi, tani është në vështirësi të mëdha, por unë jam optimist, që së shpejti do të ketë përsëri faza të tjera suksesi.

A sëmuret euro kur sëmuret dollari?
Po dhe Jo. Natyrisht kjo varet nga e gjithë ekonomia botërore, por edhe nga dollari dhe një zhvlerësim i dollarit (një situatë të tillë e kemi pasur tashmë) ka për ekonomitë tona kombëtare avantazhe dhe dizavantazhe. Avantazhet janë, që resurset (burimet), që bilancohen apo llogariten në dollarë, kanë çmim më të lirë, si për shembull nafta dhe gazi. Dizavantazhi është, që produktet tona janë më të shtrenjta në tregun amerikan dhe tregun në dollar. Prandaj zhvillimi i dollarit ka impakt edhe në zhvillimin në Bashkimin Europian dhe në zonën e euros. Më e mira për ne është, që ne të kryejmë detyrat tona për të stabilizuar monedhën tonë dhe amerikanët të kryejnë njëkohësisht detyrat e tyre për të stabilizuar monedhën e tyre. Euro gjendet në turbullira serioze. Ajo po humbet dhe akceptancën politike në popull. Në Gjermani përjetojmë dhe shikojmë diskutime mbi garanci të mëdha, ku bëhet fjalë për shumë para, në rastin gjerman mbi 200 miliardë euro, por nga ana tjetër shikohet qartë funksioni pozitiv, që euro ka, në aspektin politik për të mbajtur të bashkuar Europën, por edhe në aspektin ekonomik. Gjermania është një nga vendet që ka përfituar më fort nga euro, edhe si komb që eksporton shumë, dhe tani për këtë duhet të paguajmë një çmim. Nuk është gjë e bukur, por e pranueshme.

A ka një situatë sot në Europë për të thënë “Save euro currency”?
Jo, ajo që kemi bërë në Parlamentin Gjerman është se ne kemi zgjeruar paketën e shpëtimit, pra kemi dhënë miratimin gjerman për këtë. Mbetet që të japin miratimin e tyre edhe të gjitha vendet e Eurozonës (17 gjithsej). Ideja është, që duhet të ketë më shumë para për të garantuar shumën për të cilën është rënë dakord. Pra, bëhet fjalë për një rritje të garancive. Këtë miratoi dhe Parlamenti Gjerman me shumicë votash, madje edhe një pjesë e madhe e opozitës ka votuar pro, sepse në Parlament shikohet qartë, që ne kemi një përgjegjësi për euron dhe që duhet të mbajmë mbi shpatulla një rrezik të madh, në qoftë se kjo euro dështon.

Si u prit në popull?
Po, pritshmëria e këtyre masave për shpëtimin e euros në popull është e kushtëzuar, sepse njerëzit kanë sigurisht frikë, që duhet të mbajnë mbi shpatulla pasoja negative për sjelljen e popujve të tjerë. Këtu luajnë rol edhe paragjykimet tradicionale: gjermanët e zellshëm dhe punëtorë dhe të tjerët më pak punëtorë. Por elita politike shikon si shumë të domosdoshme shpëtimin e euros dhe prandaj dhe miratimi i kësaj mase ishte shumë i lartë në Parlament. Pjesa e madhe e popullsisë, në bazë të disa anketave, është kundër këtij plani shpëtimi, gjë që është injoruar nga politika, mendoj me të drejtë dhe në interes edhe të popullit gjerman.

Mos është vënë ndonjëherë në dyshim ekzistenca e euros si monedhë europiane?
Jo, unë besoj që ne duhet të mbajmë euron që kemi dhe ta përforcojmë atë. Formimi i një Unioni Verior Monetar Euro ndoshta me Francën, Holandën, Finlandën, Estoninë apo Luksemburgun nuk do të na shpinte më tej, përkundrazi ne duhet të stabilizojmë euron që kemi. Dhe këtë gjë mund ta arrijmë, nëse të gjitha shtetet e Eurozonës janë të gatshme të përmbushin detyrat e tyre. Mbi këtë ato janë zotuar në Paktin Plus të Euros (Euro-Plus-Pakt) dhe tani do të shikohet, nëse këto shtete do të përmbushin detyrat dhe detyrimet, për të cilat janë përgjegjëse dhe për të cilat kanë nënshkruar.

Titulli i kësaj konference ishte “Nga euro në N’euro ?!”. Cili është kuptimi i saj?
Në gjermanisht kjo është një lojë fjalësh: “neu” do të thotë “e re” dhe duke marrë nga euro dy shkronjat e para, pra “EU”, që ndodhet dhe në fjalën “neu”, pra duke bashkuar këto dy fjalë “neu” dhe “euro”, krijohet fjala “Neuro”. Ne nuk kemi nevojë për një “Neuro”, kemi nevojë për këtë euro./shqip

Related Posts: