Uole Sojnika – Duke ëndërruar një Afrikë të re


“Librat dhe çdo lloj forme të shkruari janë një tmerr për ata që duan të mbysin të vërtetën”. Uole Sojnika (Wole Soyinka), shprehet kështu, teksa shpjegon marrëdhënien e tij të gjatë me të shkruarin. Tashmë 79-vjeçar, shkrimtari i njohur nigerian, fitues i çmimit Nobel në letërsi në vitin 1986, nuk e ka lënë shkrimin. Ai vazhdon të shkruajë, i bindur se vetëm në këtë formë nuk do të ndiejë çastin kur do të ikë përgjithmonë. Sojnika u lind më 13 korrik të vitit 1934 në Nigeri dhe para se të shkruante romane, ai ishte i njohur si poet dhe dramaturg. Ai është ndër shkrimtarët më të mëdhenj  bashkëkohorë të Afrikës, si dhe një nga avokatët më të zjarrtë të kulturës vendase dhe të rendit shoqëror që mishëron kjo kulturë. Lindur në Nigerinë Perëndimore në vitin 1934, Sojinka u rrit në një mision anglikan në Aké. Ndoqi arsimin fillor në shkollën e famullisë ku ishte drejtor i ati dhe më pas një shkollë të mesme në Abeokuta, ku drejtor ishte xhaxhai i tij. Edhe pse i rritur në një mjedis anglishtfolës, Joruba mbeti trashëgimia etnike e Sojinkës dhe prindërit e tij baraspeshonin edukimin kristian me vizita të rregullta në shtëpinë e të parëve të tyre në Isara, një komunitet i vogël që ruante traditat me fanatizëm. Vitet e fëmijërisë në Aké dhe kohën e kaluar në Isara, Sojinka i kujton përmes librave  autobiografikë, Vitet e Fëmijërisë (1981) dhe Isara, një udhëtim përqark (1989). Largohet nga Aké në vitin 1945 kur është vetëm njëmbëdhjetë vjeç me përfshirjen e tij në lëvizjen e protestave që gjatë dhjetëvjeçarit në vijim i dha Nigerisë lirinë nga sundimi britanik. Trazirat politike të atyre viteve formuan adoleshencën dhe moshën madhore të Sojinkës, të cilat ai i trajton në veprën e tij autobiografike, IbadanVitet Penkelemes,Kujtime: 1946-1965 (1994). Në moshën 12-vjeçare ai shkon në Ibadan ku frekuenton kolegjin shtetëror dhe 18 vjeç futet në universitet. Por në vitin 1954, shfaq ambicie të mëdha në fushën e teatrit, prandaj udhëton drejt Anglisë ku diplomohet në Lids për dramë, udhëhequr nga kritiku i njohur i Shekspirit, G. Knight. Pas diplomimit në vitin 1957, Sojinka zgjeron njohuritë e tij duke punuar për disa vite si lexues skenarësh, aktor dhe drejtor në “Royal Court Theatre” në Londër. Gjatë kësaj periudhe lindin dhe dramat e para të Sojinkës që janë: Banorët e Kënetës dhe Luani dhe Xhevahirët, të cilat u shfaqën me sukses si në Londër, ashtu edhe në Ibadan. Në vitin 1960, një bursë kërkimore i dha mundësinë që tashmë në moshën 26-vjeçare të kthehej në Nigeri. Atje ai ngriti një kompani teatrale, krijoi një dramë të re të titulluar Vallja e Pyjeve dhe llogariti që vënia në skenë të përputhej me festimet zyrtare të pavarësisë së vendit në tetor. Edhe pse kthimi i tij nga Anglia u mirëprit, drama “Vallja e Pyjeve “shkaktoi një çarje në marrëdhëniet e tij me liderët e sapovendosur të Nigerisë dhe me shumë nga miqtë e tij intelektualë. Nga përmbajtja tematike drama paraqet një panoramë të “ciklit të përsëritur të marrëzive” të Afrikës së zezë, si një shfaqje e ideuar për t’u kujtuar njerëzve për pandershmërinë dhe abuzimin me pushtetin me të cilat kolonializmi ka mëkuar brezat e politikanëve vendas. Në pikëpamja stilistike, drama është një shkrirje, gërshetim kompleks i traditave të festivalit Joruba me modernizmin europian. Urrejtja karshi dramës shpërtheu nga të katër anët. Autoritetet nigeriane u zemëruan nga aludimi i Sojinkës për korrupsionin gjithëpërfshirës; të majtët u ankuan për estetikën elitiste të dramës dhe fanatikët afrikanë, – ithtarë të një race të zezë të pastër, të cilët Sojinka i etiketon si ‘Neo –Tarzanistë’ – kundërshtonin përdorimin e teknikave europiane në dramën e tij. Atë që kritikët e tij nuk arritën dot ta vlerësonin ishte origjinaliteti dhe qasja e tij radikale për çlirimin e Afrikës nga trashëgimia uloke e imperializmit europian. Ai përfytyronte një ‘Afrikë të Re’ që do linte pas të shkuarën koloniale duke shartuar përparimet teknike dhe teknologjike të së tashmes në trungun e traditave të saj të lashta. Mitet vendase, të riformuluara për të përshtatur realitetin bashkëkohor, do të ishte themeli i së ardhmes duke hapur udhën drejt ‘vetëkorrigjimit, kujtesës dhe sigurisë kulturore’. Në fakt, Sojinka ëndërronte një kontinent vërtet të shkolonizuar, ku kultura autonome afrikane të asimilonte vetëm elementët përparimtarë të historisë që të përputheshin me identitetin e saj autentik. Gjatë shtatë viteve të tjera, nëpërmjet posteve universitare në Ife, Lagos dhe Ibadan, Sojinka mbante shpresat e tij për një Nigeri të rilindur. Shkroi dhe vuri në skenë shumë drama, që nga komeditë si Gjyqi i vëlla Xheros, një kritikë ndaj sharlatanëve të fesë, deri te një mori tragjedish me temë politike si Rruga, Raca e Fortë dhe Të Korrat e Kongit. Përveç këtyre, ai themeloi edhe revista satirike, ngriti një ‘teatër guerilas’ dhe shkroi për radion dhe televizionin. Ndërkohë publikoi edhe romanin e tij të parë Intepretuesit (1965) dhe librin e parë me poezi, Idanre dhe Poezi të tjera(1967). Këto vepra sfiduan hapur autoritetet nigeriane, por Sojinka u përfshi praktikisht edhe në politikë. Për këtë arsye në vitin 1965 iu nënshtrua një procesi gjyqësor nga ku doli i pafajshëm. Më pas në vitin 1967 arrestohet dhe burgoset për më shumë se dy vjet. Sojinka kujton këtë traumë në Vdekja e Burrit (1972), një tjetër vepër autobiografike e tij. Pasi doli nga burgu në vitin 1969, Sojinka mërgoi vullnetarisht dhe rinis një tjetër periudhë krijimtarie intensive. Nga arritjet më të mëdha janë një libër me poezi botuar në 1972 dhe një roman i ri, Stina e Katrahurës (1973). Të dyja këto vepra janë pasqyrim i hidhur i viteve të burgimit. Po ashtu shkruan dhe dy drama jashtëzakonisht tragjike të titulluara Të Marrë dhe Specialistë (1970), Vdekja dhe Kalorësi i Mbretit (1975). Përveç kësaj krijimtarie shpërthyese, Sojinka mbajti edhe leksione dhe shkroi ese mbi natyrën e artit të tij, gjurmoi rrënjët në traditën Joruba dhe krahasoi praktikën dhe parimet e tij estetike me atë të shkrimtarëve të tjerë afrikanë dhe europianë. Disa nga këto shkrime ai i rishikoi dhe i publikoi nën titullin Miti, Letërsia dhe Bota Afrikane (1976). Pjesën më të madhe të shkrimeve të mbetura i mblodhi rreth dhjetë vjet më vonë me titullin Art, Dialog dhe Tërbim (1988). Historia politike që i jep jetë mendimit kulturor të Sojinkës në këto dy vëllime është edhe temë e veprës Plaga e Hapur e një Kontinenti (1996). Ky libër nxjerr në pah rënien e Nigerisë nën sundimin e qeverive ushtarake, shembull tipik i së cilit është dhe ekzekutimi i dramaturgut Ken Saro Uiua, si dhe vetë dënimi me vdekje i dhënë për vetë Sojinkën në vitin 1997. Për lexuesin euro-amerikan, këta tre libra përbëjnë një hyrje të domosdoshme në artin e Sojinkës. Në qendër dhe në misionin e tij artistik qëndron ideja e ‘revolucionit organik’, të cilin Sojinka e ballafaqon me praktikat neokolonialiste që Afrika përthithi nga imperializmi europian. Ashtu siç e përcakton ai këtë koncept, revolucioni organik është një proces i përbashkët përtëritjeje që arrihet në çastet e një ndërgjegjësimi të përbashkët kulturor, çaste të cilat janë të veçanta për çdo shoqëri. Në fakt, mënyra e çlirimit që predikon Sojinka nxjerr përfundimisht jashtë loje logjikën e politikës perëndimore dhe e zëvendëson me atë të ritmeve të ritualit vendas. Sepse revolucioni që mbron ai, hedh poshtë abstraksionet e materializmit dialektik dhe ekonomisë së tregut për t’i lënë vendin e veçantë një shërimi ceremonial – dhe ndarjet që veçojnë individët nga shoqëria dhe rrjedhimisht të dy këta të fundit nga integrimi i vazhdueshëm me natyrën. U lind më 13 korrik të vitit 1934 në Abeokuta, afër qytetit Ibadan në Nigerinë Perëndimore, në atë kohë nën sundimin britanik. Pas studimeve në Kolegjin Qeveritar në Ibadan, vazhdoi studimet në Universitetin Lids ku në vitin 1973 mori doktoraturën. Gjatë gjashtë viteve të kaluara në Angli, punoi si dramaturg në Royal Court Theatre në Londër gjatë viteve 1958-1959. Në vitin 1960, iu ofrua një bursë Rokfeler dhe kthehet në Nigeri për të studiuar dramën afrikane. Në të njëjtën kohë jepte mësime drame dhe letërsie në universitete të ndryshme në Ibadan, Lagos dhe Ife, ku, që nga viti 1975, ka punuar si profesor i letërsisë së krahasuar. Në vitin 1960, themeloi grupin teatral Maskat 1960 dhe në vitin 1964, Kompaninë Teatrale Orisun, ku vuri në skenë dramat e tij dhe mori pjesë edhe si aktor. Ka punuar si profesor edhe në universitetet Cambridge, Sheffield dhe Yale. Sojinka ka kritikuar ashpër shumë diktatorë ushtarakë nigerianë, veçanërisht ish-gjeneralin Sani Abaca, si dhe regjimet e tjera tiranike, përfshirë edhe regjimin e Mugabes në Zimbabve. Duke jetuar jashtë shtetit, kryesisht në SHBA, ai punoi si profesor, në fillim në universitetin Cornell dhe pastaj në universitetin Emory në Atlanta. Gjenerali Abaca shpalli dënimin me vdekje në mungesë. Sapo u vendos ligji dhe rregulli në vitin 1999, Sojinka u kthye në Nigeri. Ai ka dhënë mësim edhe në universitetet Oxford, Harvard dhe Yale. Nga viti 1975 deri në 1999, punoi si  profesor i Letërsisë së Krahasuar në universitetin Obafemi Awolowo, që më vonë u quajt universiteti Ife. Mbas vitit 1999, mori titullin profesor Emeritus. Gjithashtu ka punuar si profesor në universitetin e Nevadës, në Las Vegas. Në vjeshtën e vitit 2007 u caktua profesor në universitetin Loyola Marymount në Los Anxhelos, Kaliforni. Si dramatist është ndikuar ndër të tjerë edhe nga shkrimtari irlandez, J. M. Singe, por veprat i lidh edhe me teatrin tradicional afrikan ku kombinohet kërcimi, muzika dhe aktrimi.
a.b